Zbardhet pas 6 ditësh një ngjarje e rëndë e regjistruar në qytetin e Korçës, ku bashkëshorti ka dhunuar fizikisht gruan e tij invalide. E dhunuara është Diana Mulla, e cila gjashtë ditë më parë dyshohet se është hedhur nga shkallët e shtëpisë nga bashkëshorti i saj Fatos Mulla. Ky i fundit, ka fshehur ngjarjen duke e mbajtur në banesë gruan e dhunuar, e cila për shkak të rënies nga shkallët ka pësuar fraktura në gjymtyrë.
Shkak për shtyrjen është një motiv krejt banal për një gotë vaj. Përgjatë këtyre ditëve, bashkëshorti nuk e ka lejuar të kontaktojë më familjarët e saj ndërsa bëhet me dije se vajza e vetme e çiftit jeton prej vitesh në Itali. Për shkak të rëndimit të gjendjes së saj shëndetësore, Fatos Mulla ka dërguar në spitalin e Korçës bashkëshorten e tij Dianën. Aty, e dhunuara ka treguar për bluzat e bardha se është shtyrë nga bashkëshorti i saj duke rënë nga shkallët, ku ka pësuar dëmtime të mëdha në trup.
Madje, para bluzave të bardha, Diana Mulla ka treguar se është dhunuara sistematikisht nga bashkëshorti, ndonëse ajo është dhe me statusin invalid. Pas këtij rrëfimi në spital, janë lajmëruar dhe uniformat blu, para të cilave Diana Mulla, ndonëse në gjendje të rënduar shëndetësore, ka dhënë dëshminë e saj.
Policia ka bërë shoqërimin e bashkëshortit të të dhunuarës, shtetasin Fatos Mulla. Gjatë marrjes në pyetje, Fatos Mulla ka mohuar akuzat e ngritura nga bashkëshortja e tij, duke pretenduar se asaj i shërben. Por policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për veprën penale “dhunë në familje. 55 vjeçarja ka probleme shëndetësore pasi ka pësuar paralizë dhe vuan nga zemra, pra konsiderohet si person invalid. /syri.net
