Një 41-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri paraditen e kësaj të enjteje në qytetin e Fierit. Autori i dyshuar e ka pritur Elton Javorin pranë banesës së tij dhe sapo ai është nisur me automjetin tip “ Porche” e ka ndjekur me automjetin tip “ Benz” duke i dalë paralel. Dyshohet se në momentin kur viktima ka ulur xhamin e makinës është qëlluar me pistoletë teksa plumbi e ka goditur në qafë duke i shkaktuar plagë të rëndë.
Edhe pse është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Fierit, nuk ka mundur të mbijetojë .
Raportohet se 1 javë më parë mes viktimës dhe autorit ka pasur një debat verbal, për arsye ende të panjohura. Ndërkohë, banorët janë të alarmuar nga krimi i rëndë. Sakaq, viktima kishte vetëm pak kohë që kishte ardhur nga Gjermania, ku ishte emigrant.
Njoftimi i policisë:
“Rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli”, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. J., 41 vjeç, banues në Fier. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit”, sqaron policia.

