Inflacioni për muajin Nëntor ka shënuar një rritje të lehtë prej 0.1%, duke bërë që niveli i çmimeve për këtë periudhë të përllogaritet në 3.9% nga 3.8% që ishte një muaj më parë. Të dhënat e përllogaritura nga instituti i statistikave bëjnë të ditur se çmimet e larta po vijojnë të mbahen nga kategoria e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 2.52 pikë përqindje ndjekur nga grupi qira, ujë,
lëndë djegëse e energji me 0.37 pikë përqindje.
Për nëntorin qytetarët kanë shpenzuar më shumë para për të blerë zarzavate e prodhime shtazore si vezë mish e bulmet, çmimet e të cilave sipas institutit të statistikave kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke bërë që inflacioni të qëndrojë ende larg objektivit të bankës së Shqipërisë për ta normalizuar inflacionin në nivelin 3%.
Krahasuar me muajin Tetor 2023, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,9 %, pasuar nga, “Transporti” me 0,3 %, e “Komunikimi” me 0,1 %.
Nga ana tjetër sipas Bankës së Shqipërisë çmimet e rritura po dobësojnë fuqinë blerëse të qytetarëve duke rritur kostot e jetesës. Inflacioni sipas tyre po mbahet lart nga dinamikat e tregut të brendshëm dhe çmimi i naftës.
