Rritja profesionale mund të rris më tej të ardhurat e mësuesve. Kur kryeministri Rama flet për reformim në paga, ku rritja duhet bërë sipas meritës e performancës; këtë vit shkollor mësuesit kanë mundësi të tregojnë interes edhe më shumë për t’u zhvilluar profesionalisht. Ministria e Arsimit ka publikuar datën e provimit me shkrim të kualifikimeve të mësuesve, në 11 maj.
Më herët, mësuesi që kërkon të kualifikohet duhet të plotësojë brenda datës 27 shkurt kërkesën për t’u përfshirë në procedurat e kualifikimit dhe e dorëzon së bashku me portofolin profesional në zyrën arsimore që i përket.
Kriteri kryesor për të marre pjesë në testim është vjetërsia në punë për 2 shkallët e kualifikimeve. Për të marr titullin “mësues specialist” duhet të kesh mbi 10 vite punë, ndërsa me më shumë se 20 vite punë garon për gradën “mësues mjeshtër”.
Për kategorinë e parë “mësues i kualifikuar”, arsimtarët duhet të zotërojnë të paktën 5 vite punë dhe ju nënshtrohen orëve të hapura mësimore të monitoruara gjatë periudhës 1 deri në 26 prill.
Provimi me shkrim për kategorinë e dytë dhe të tretë më 11 maj fillon në 10 dhe zgjat dy orë e tridhjetë minuta. Mësuesit testohen në lidhje me formimin e përgjithshëm, madje ka pyetje dhe nga drejtshkrimi i gjuhës shqipe, si dhe gjithashtu ka pyetje shkencore të lëndës që jep mësim. Njësoj si nxënësit, edhe mësuesit do të marrin nota.
