Vajza vrau babanë dhe e groposi/ Sociologu i njohur: “Ngjarja e përbindshme, familja shqiptare ka dalë nga shinat…

Një ngjarje e kobshme tronditi opinionin publik shqiptar gjatë ditës së sotme. Vajza studente, Hygerta Meta ka pranuar se ka vrarë babanë e saj, Pëllumb Meta. Ajo ka deklaruar në polici se e ka ekzekutuar babanë, pasi i ati donte ta martonte me një djalë në fshat, pa dëshirën e saj. Për ngjarjen e rëndë, po hetohen edhe familjarët e tjerë.  Sociologu Gëzim Tushi, në një lidhje me Skype në News 24, tha se ngjarja është e përbindshme.

Ai theksoi se familja shqiptare ka dalë nga shinat dhe është zhytur thellë në kriminalitetit, ndërsa shtoi se edhe shteti duhet të bëjë më shumë.

‘Ngjarja është e përbindshme. Vetëm në letërsi mund të kemi lexuar të tilla strategji të krimit. Pavarësisht shkaqeve, krimi është makabër. Familja shqiptare ka dalë nga shinat. Ky institucion që duhet të ishte më solidari, është kthyer në një çerdhe gjarpërinjsh, ku gëlojnë konflikte nga më të ndryshmet. Shoqëria shqiptare ka një larmishmëri të krimit në familje. Krimi në familje është bërë si buka e përditshme. Jemi adoptuar me kulturën e krimit.

A e kuptoni se çfarë do të thotë që shoqëria është mësuar me këto krime?

80 deri në 90 përqind e krimeve bëhen brenda familjes dhe është tronditëse, është trend global. Ne kemi krime të shtuara, aq sa është kthyer në glob si trend që sa herë ka ngjarje të rënda, thuhet se është ‘krim ballkanik’.

Shoqërisë shqiptare i janë shqepur tegelat socialë. Krimet brenda familjes janë turp i madh social. Gjërat mund të zgjidhen jo me helm e me armë, por mund të zgjidhet me komunikim. Në Perëndim zgjidhet problemi me komunikim ose me ligj, ndërsa tek ne zgjidhet individualisht e kjo është e gabuar. Është dhe problemi i shtetit. Dhuna në familje nuk denoncohet, është plagë e rëndë sociale. Shteti të mbështesë familjen. Shkaqet janë varfëria, kornizat sociale, lakmia për pasurim etj’, tha Tushi.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.