Rregulla të reja për lokalet: Për çdo karrige në shesh, një pemë në Fondin e Gjelbër!

Qeveria nuk ndalet! Pas aksionit për heqjen e çadrave dhe strukturave të paligjshme që kishin pushtuar hapësirat publike, tani vjen radha e karrigeve të lokaleve.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar në Facebook se shumë shpejt do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për vendosjen e karrigeve në sheshe e zona publike.

“Për çdo karrige të vendosur në hapësirën publike, lokali do të duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër që do të krijojë qeveria e re”, – shkruan Rama.

Fondi i Gjelbër pritet të nisë me mandatin e katërt të qeverisë, si pjesë e strategjisë për më shumë gjelbërim në qytete.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur që prej korrikut, duke çmontuar strukturat metalike dhe çadrat e vendosura pa leje në gjithë Shqipërinë. Disa pronarë i hoqën vetë strukturat, ndërsa për të tjerët ndërhynë forcat e IMT.

Në disa raste, këto hapësira ishin madje të legalizuara, por Rama ka paralajmëruar se legalizimet do të anulohen dhe punonjësit e Kadastrës që i kanë kryer do të ndiqen penalisht.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.