Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar në Zvërnec të Vlorës, ku pati përplasje mes protestuesve dhe personave të maskuar të identifikuar si roje private.
Në një reagim publik, Bido e cilësoi situatën si të papranueshme dhe të dënueshme, duke theksuar se në një shtet demokratik nuk mund të ketë privatizim të forcës dhe as zëvendësim të institucioneve shtetërore nga individë apo struktura private.
“Ngjarja e sotme me persona të maskuar dhe roje private që përplasen me protestues janë të papranueshme dhe të dënueshme. Shqipëria është një shtet demokratik ku nuk mund të ketë privatizim të forcës dhe as zëvendësim të institucioneve shtetërore nga individë apo struktura private”, shprehet deputeti.
Bido vlerësoi se Shqipëria ka nevojë për investime dhe se çdo projekt që respekton ligjin duhet të realizohet, por nënvizoi se konfliktet mes palëve nuk mund të zgjidhen përmes forcës, intimidimit apo ndërhyrjes së strukturave private të sigurisë.
“Konfliktet mes privatëve, qofshin pronarë, investitorë apo qytetarë që kundërshtojnë një projekt, nuk mund të zgjidhen me forcë, intimidim apo struktura private sigurie që marrin përsipër role që i përkasin shtetit. Kjo është arsyeja pse shteti ekziston dhe pse zbatimi i ligjit është monopol i institucioneve publike”, deklaroi ai.
Deputeti socialist përgëzoi gjithashtu Policinë e Shtetit për reagimin pas protestës dhe për procedimin e rojeve private të përfshira në incident.
“Përgëzoj Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për reagimin pas protestës dhe për procedimin e rojeve private të përfshira në ngjarje. Hetimi i plotë dhe vendosja e përgjegjësive për çdo shkelje është mënyra e vetme për të garantuar se ligji vepron njësoj për të gjithë”, tha Bido.
Në përfundim të reagimit të tij, deputeti theksoi se respektimi i shtetit ligjor mbetet një parim i panegociueshëm.
“Shteti i së drejtës nuk negociohet”, përfundon deklarata e tij.
