Pasi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, mbajti fjalën e tij në Kuvend, në rendin e ditës ishte raportimi i Avokatit të Popullit, Endri Shabani. Megjithatë, deputetët e opozitës, me në krye Bardhin, deklaruan se nuk do të marrin pjesë në raportimin e Shabanit, duke pretenduar se ai është zgjedhur me votat e opozitës përmes mashtrimit dhe se, sipas tyre, në krye të institucionit është sjellë si “ushtar” i qeverisë si perfaqesues i shitur.
Më pas, deputetët e Pd-se u grumbulluan rreth foltores, duke penguar Shabanin të mbante raportimin e tij.
Pas bllokimit të foltores, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se zhvillimi i raportimit është një detyrim i parashikuar nga rregullorja e Kuvendit.
“Për mua, si kryetar i Kuvendit, është detyrim të zbatoj rregulloren dhe t’i jap fjalën, sipas rendit të ditës, Avokatit të Popullit, i cili sot ka të drejtën të paraqesë raportin e institucionit. Ju lutem lironi foltoren. Është e drejta juaj ta dëgjoni ose jo, por nuk është e drejta juaj të pengoni të tjerët që ta dëgjojnë“, u shpreh Peleshi.
Pas kësaj, Peleshi vendosi të ndërpresë seancën plenare për pesë minuta, me qëllim lirimin e foltores dhe vijimin normal të punimeve.
