“Merrem me punën, jo me portalet”/ Ministri u përgjigjet aludimeve për dorëheqjen…

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, hodhi poshtë sot lajmet e publikuara në disa portale që pretendonin se ai kishte dhënë dorëheqjen.

Gjatë vizitës që zhvilloi në Berat për inaugurimin e ambienteve të reja të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë, Lamallari u pyet nga gazetarët rreth këtyre zërave por zgjodhi të përgjigjej shkurt. 

“Unë nuk merrem me portalet, unë merrem vetëm me punë konkrete. Ky takim ku jemi sot është pjesë e punës së qeverisë shqiptare, ku edhe unë bëj pjesë” tha Lamallari.

Ministri, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektoi godinën e re, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 253 milionë lekë.

“Ky është një investim me impakt të madh social. Në fund të ditës, gjithçka bëhet për t’u garantuar qytetarëve një trajtim sa më dinjitoz dhe një shërbim sa më cilësor. Synimi ynë është të forcojmë besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, sepse siguria ndërtohet përmes bashkëpunimit,” deklaroi Lamallari.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.