Në kulmin e sezonit turistik, kur Korça pritet të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj, një pamje që po tërheq vëmendjen në Pazarin e Vjetër është ajo e dyqaneve me tabela “Jepet me qira”.
Në disa ambiente tregtare të kësaj zone historike, që prej vitesh konsiderohet një nga pikat kryesore turistike të qytetit, bizneset duket se kanë mbyllur aktivitetin, ndërsa pronarët po kërkojnë qiramarrës të rinj.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë nxitur reagime të shumta nga qytetarët. Shumë komentues e lidhin situatën me vështirësitë ekonomike që, sipas tyre, po përballen bizneset e vogla. Në komente përmenden kostot e larta të aktivitetit, taksat, rënia e fuqisë blerëse dhe mungesa e klientelës së mjaftueshme gjatë gjithë vitit.
Nga ana tjetër, ka edhe qytetarë që vënë në dyshim efektin real të sezonit turistik në ekonominë lokale, duke argumentuar se nëse fluksi i vizitorëve do të ishte i mjaftueshëm për bizneset, një pjesë e mirë e dyqaneve nuk do të ishin bosh apo në kërkim të qiramarrësve.
Pazari i Vjetër mbetet një nga simbolet më të rëndësishme të Korçës dhe një atraksion i njohur për turistët. Megjithatë, prania e tabelave “Jepet me qira” në zemër të sezonit turistik ka hapur një debat mes qytetarëve për gjendjen reale të bizneseve që operojnë në këtë zonë.
