Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar ndaj diskutimeve për hapjen e një konsullate serbe në qytetin e Shkodrës, duke shprehur kundërshtimin e saj dhe duke njoftuar organizimin e një proteste ditën e diel.
Përmes një reagimi publik, Koçeku kritikoi institucionet shqiptare për mënyrën se si kanë trajtuar këtë çështje, duke folur për mungesë transparence dhe sqarime të paqarta.
“Deri më sot për këtë çështje ka vetëm sqarime të turbullta nga institucionet shqiptare, pra përpjekje me mos me sqaru hiç”, shprehet ajo.
Ish-deputetja e lidh reagimin e saj edhe me zhvillimet e fundit në Kosovë, ku autoritetet vijojnë kërkimet për personat e zhdukur nga lufta.
“Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate more?!”, shkruan Koçeku.
Sipas saj, argumentet që lidhen me marrëdhëniet diplomatike apo përfitimet ekonomike nuk mund të anashkalojnë ndjeshmërinë që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.
Koçeku bëri të ditur se të dielën pritet të zhvillohet një protestë në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe.
“Të dielën pritet të nisin protestat në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe. Kjo nuk asht nji punë që kalon lehtë”, deklaron ajo.
Në reagimin e saj, ish-deputetja shton se ndërsa në Kosovë vazhdojnë të zbulohen varre masive dhe të hetohen krimet e luftës, diskutimet për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër kanë shkaktuar reagime dhe kundërshtime.
