Egnatia ka fituar në shtëpi përballë Skënderbeut, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena Egnatia”, përfundoi 2-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i korçarëve, Julian Ahmataj.
“Duke parë edhe shortin që na përplasi që në fillim me skuadrat më në formë, që janë Egnatia dhe Dinamo që kanë shkuar më larg. E dinim vështirësinë. Por nuk kemi parë ndonjë diferencë që këto skuadra të kenë kundrejt nesh. Fati nuk ka qenë me ne. Në të dyja ndeshjet kemi pasur mundësinë të shënonim para kundërshtarëve. Ne kishim raste të pastra që nuk u shfrytëzuan, është keqardhje.
Një skuadër e re, do një bonus që të përformojë mirë. Ne kemi akoma limite për të eksploruar, për të parë skuadrën më lart. Në shtëpi do të jetë ndryshe. Merr më shumë adrenalinë. Por nuk besoj që kjo mungoi te ne. Goli erdhi për neglizhencë, siç ndodhi edhe me Dinamon. Është një problem shumë i zgjidhshëm. Lojtarët janë të rinj, duhet kohë sepse edhe nuk njohin kampionatin.
Duke ditur që karakteristikat e lojtarëve tanë janë cilësore, duke pasur sistemin me 5 mbrojtës, është e vështirë të ngrihesh lart me presion. Jemi automatizuar me 4-2-3-1, sistemi bazë për gjithë kampionatin, pasi përshtaten edhe lojtarët me këtë sistem. Ndryshimi ka ardhur për efekt të kundërshtarëve, si Dinamo dhe Egnatia që luajnë në romb. Gradualisht manovrat do të kristalizohen.
Lojtarët janë rishtaz të ardhur, s’kanë automatizmat me njëri-tjetrin, nuk njohin lojën. Kjo do të vijë me kalimin e ndeshjeve. Jemi munduar që të merremi me linjën e mbrojtjes. Ne luajtëm me Dinamon një pjesë loje me këtë sistem, por nuk na rrezikoi fare. Kur ishim në pjesën e dytë sot, nuk kishte ndonjë rast të pastër për Egnatian. Rastet më të pastra i patëm ne. Lojtarët tanë sapo kanë ardhur, por u duhet koha që të njihen me njëri-tjetrin.
Edhe njohja e kampionatit ndikon, por edhe lojtarët. Disa kanë ardhur edhe me vonëse, nuk kemi qenë të plotë nga fillimi. Kjo formë do të vijë gradualisht me ndeshjet që po zhvillohen. Përqendrimi nga lodhja humbet, na duhet më shumë përqendrim. Mendoj se jemi skuadër shumë e fortë për çdo kundërshtar.
3 ndeshje, 1 pikë, presion tani? Nuk besoj që do të ketë pengesë psikologjike. Mendoj se të gjitha skuadrat kalojnë momente të tilla. E dinim që fillimin do ta kishim të vështirë. Duke qenë skuadër e sapoardhur dhe në total ka zëvendësuar 80% të skuadrës, do kohën e vet”, tha Ahmataj.
