Një 39-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane për trafik droge, pasi në fugonin që drejtonte u zbuluan rreth 41 kilogramë hashash dhe marihuanë, të fshehura brenda një kompresori.
Operacioni u zhvillua të enjten, më 3 shtator, përgjatë aksit rrugor Chieti-Pescara. Gjatë kontrollit të furgonit, efektivët vunë re një kompresor të madh, të importuar nga jashtë vendit. Pas kontrollit të pajisjes, policia zbuloi se brenda saj ishin fshehur lëndët narkotike, të cilat u sekuestruan.
Shoferi, një shtetas shqiptar 39-vjeçar, u arrestua dhe u dërgua në burgun Madonna del Freddo, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Në automjet ndodhej edhe një tjetër shtetas shqiptar, 38 vjeç, i cili ishte ulur në sediljen e pasagjerit. Ai u la i lirë me urdhër të prokurorit, pasi roli i tij në ngjarje u konsiderua, në këtë fazë të hetimit, “jashtëzakonisht i parëndësishëm”. Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur origjinën e drogës dhe destinacionin e saj.


