Gazetari Marin Mema ka reaguar ashpër pas deklaratës së zv.ministrit të Brendshëm të Greqisë, Kostas Gjolekas, i cili gjatë vizitës në Korçë u shpreh se grekët duhet të vizitojnë qytetin e serenatave për të parë trojet e tyre të hershme.
Përmes një postimi në Instagram, Mema kujton se prej 14 vitesh është shpallur “Non Grata” nga shteti grek. Sipas gazetarit, ky vendim erdhi pas një reportazhi ku dokumentoi nga terreni Çamërinë dhe trojet shqiptare që sot ndodhen brenda kufijve të Greqisë.
Duke komentuar deklaratën e zyrtarit grek, Mema ngre pikëpyetje mbi pretendimet për troje të hershme greke në Korçë, qytet që ai e cilëson si një nga qendrat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
“Prej 14 vjetësh jam ‘Non Grata’ në Greqi, sepse dëshmova nga terreni të vërtetën për Çamërinë dhe trojet e tjera të mbetura në Greqi… ndërsa një zv.ministër grek zbret në Korçë dhe u bën thirrje grekëve të vijnë për të parë, sipas tij, tokën e të parëve të tyre! Çfarë të parësh kërkojnë këta në Korçë?”, shkruan Mema.
Gazetari shpreh shqetësimin edhe për zhvillime të tjera që, sipas tij, lidhen me pretendimet për minoritetin, vendosjen e shtatores së Napoleon Zervës, zgjerimin e muzeut dhe kërkesat për varreza e territore.
“Ky qytet është një nga gurët e themelit të Lëvizjes Kombëtare, ku shumë figura dhanë jetën për gjuhën shqipe. Njëri kërkon minoritet aty ku nuk ka, tjetri vendos Zervën, tjetri do muze më të madh e mbi të gjitha në qytetin e pavarësisë, tjetri do varreza, territore! E frikshme!”, përfundon reagimin e tij gazetari.
Deklarata e Memës rikthen në vëmendje debatet mbi historinë, identitetin kombëtar dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke, ndërsa reagimi i tij vjen pas komenteve të zyrtarit grek gjatë vizitës në Korçë.
