Nga rrugët te rrjetet sociale, si po organizohet lëvizja e të rinjve 17-Tetori

Lëvizja e të rinjve italianë “17 Tetori” (M1710) ka publikuar manifestin e saj të parë, duke përcaktuar synimin për të krijuar një formë të re mobilizimi politik, të pavarur nga partitë tradicionale dhe pa drejtues të vetëm. E lindur pas protestave të 17 tetorit, lëvizja synon të bashkojë të rinjtë dhe të rrisë përfshirjen e tyre politike.

Ajo funksionon pa kryetar, pa seli dhe pa anëtarësi formale, duke e konsideruar mungesën e hierarkisë një zgjedhje të vetëdijshme.

Në manifest, M1710 kritikon qeverinë dhe institucionet për kufizimin e protestave, ndërsa shpreh mosbesim edhe ndaj partive politike, sindikatave dhe organizatave që mund të tentojnë të marrin nën kontroll mobilizimin qytetar.

Lëvizja ngre shqetësime për atë që e cilëson si rritje të represionit ndaj protestuesve, duke përmendur identifikimet, procedimet ligjore dhe masat kufizuese. Si model organizimi, ajo referohet te lëvizjet protestuese në vende të ndryshme të botës dhe te mobilizimet e brezit Gen Z.

Rrjetet sociale, përfshirë Telegram, TikTok dhe Instagram, janë mjete kryesore për komunikimin dhe organizimin e protestave. Ndërkohë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka paralajmëruar për rreziqet e përdorimit të platformave digjitale për destabilizim politik.

M1710 synon të shndërrojë protestat në hapësira diskutimi dhe formimi politik, duke nxitur pjesëmarrjen e të rinjve jashtë strukturave tradicionale.

Manifesti përmbyllet me moton që përmbledh filozofinë e lëvizjes: “17 tetori: një lëvizje, asnjë zot”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.