1 Maji nuk ka nisur mirë në vendin tonë pasi deri më tani janë raportuar 3 aksidente fatale dhe një shpërthim me lëndë plasëse.
Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësoreje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Pogradec–Korçë, në territorin e bashkisë Maliq. Sipas informacioneve paraprake të policisë, një automjet me drejtues shtetasin D. Xh., ka përplasur një këmbësore, E. M., 43 vjeçe, e cila po lëvizte në anë të rrugës. Si pasojë e përplasjes së fortë, 43-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në lagjen “Mark Lula” të qytetit të Shkodrës, ku një 58-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka pësuar arrest kardiak ndërsa po drejtonte automjetin e tij. Sipas të dhënave paraprake nga Policia, si pasojë e humbjes së kontrollit, automjeti është përplasur me dy makina të parkuara në afërsi të vendit të ngjarjes.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe transportimit të tij në spital, 58-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Një tjetër ngjarje tragjike është regjistruar në rrugët e vendit.
Një 71-vjeçar ka humbur jetën ditën e sotme, pasi motomjeti që ai po drejtonte ka dalë nga rruga, në rrethana ende të paqarta. Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor “Memaliaj–Krahës”, në afërsi të fshatit Qesarat, në jug të vendit. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve mjekësore, i moshuari ka ndërruar jetë në vendngjarje, për shkak të plagëve të rënda të marra.
Ndërkohë që në Tiranë një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 03:55, në rrugën “Pjetër Budi”. Sipas njoftimit të Policisë, në një parking pranë një spitali, është vendosur një sasi e vogël lënde plasëse në gomën e përparme të automjetit në pronësi të shtetases M. K.. Si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.