Nata e tretë e Festës së Birrës në Korçë u kthye në një tjetër mbrëmje të mbushur me muzikë, ritëm dhe mijëra qytetarë e vizitorë në Polin e Eventeve në Drenovë. Mbrëmjen e 14 gushtit, skena priti disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre Aurela Gaçe, Ledri Vula dhe Devis Xherahu.
Përgjatë natës, hapësira e festivalit në Drenovë u mbush me qytetarë të ardhur nga Korça, zona të tjera të vendit dhe vizitorë, ndërsa muzika dhe atmosfera e festës vijuan deri në orët e vona. Sipas organizatorëve, fluksi i pjesëmarrësve ishte mbi 10 mijë persona.
Por në përfundim të festës, situata ndryshoi. Qytetarë të shumtë shiheshin duke u larguar në këmbë drejt Korçës. Në pamjet e siguruara në përfundim të mbrëmjes, shihet edhe një autobus që mori rreth 40–50 persona, ndërsa një pjesë tjetër e qytetarëve zgjodhën të ktheheshin në këmbë.
Kthimi në orët e vona të natës solli sërish vëmendjen te çështja e transportit për dhe nga Drenova, veçanërisht pas përfundimit të eventit, kur mijëra persona largohen pothuajse në të njëjtën kohë.
