Me dy pëllëmbë dëborë u gdhinë çatitë, si lindin netëve të dimrit përrallat…

Nga Vangjush Ziko:

DY POEZI PËR KORÇËN
KORÇËS
Sikur mos kisha pirë ujin tënd
Në prozhmet e Moravës të filtruar.
Sikur mos kisha shkelur mbi kalldrëm
Prej dorës së korçares të pastruar.

Sikur mos isha ulur një mëngjese
Në ato bango të Mësonjëtores,
Të nxëja ato shkronja t’ abecesë
Të shkruara me gjak të kuq shënjtorësh.

Sikur mos kishte dehur shpirtin tim
Një serenatë e ëmbël mandoline,
S’ do kisha pjekur, mbase, një agim
Binjaket Dashuri dhe Poezinë.

Sikur mos ishe Ti, un’ jam i bindur
Në jetë e në botë duke u endurr,
S’ do mbaja unë lart kokën e thinjur,
O djepi dhe varri im i dhembsur.

DIMËR NË KORÇË
Dritaret u gdhinë me dy gisht okitë
Nga avulli i levenxeve dhe shtretërve.
Me dy pëllëmbë dëborë u gdhinë çatitë
Mbuluar me ëndrrat e ngrohta të njerëzve.
Drurët, pleq të kërrusur flokëbardhë,
U ngarkuan me mallin e njomë të fletëve.
Kangjellat, shkopinj magjikë radhë-radhë,
Kujtuan zjarrin e farkave të koveçëve.
Tërë dheu u zbardh. Malet shkrepëtinë,
Qielli u hap të shohë qielli çudinë,
Të shohin sytë figura, reflekse të rralla
Si lindin netëve të dimrit përrallat.