Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar sot shifrat e fundit sa i takon procesit të vaksinimit në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 4674 doza vaksine, duke e çuar në 796.586 numrin total të vaksinave që nga fillimi i pandemisë. Nesër prekim shifrën e pplotë 800 mijë vaksinime.
Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Fjalët e Mbrëmjes” ditën e sotme e ka mbyllur duke cituar Enzo Ferrarin, themeluesin e një prej emrave më të njohur në industrinë e automobilizmit.
“Nëse e ëndërron ti mund ta realizosh” është shprehja e tij, që kreu i qeverisë shqiptare e risjell si motiv për të mos hequr dorë nga ëndrrat.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas takimit që ka zhvilluar sot në Durrës në vazhdim të garës për kryetar të PD-së, ka reaguar në një postim në “Facebook” ku shkruan se demokratët e qarkut Durrës nuk e pranojnë masakrën zgjedhore dhe rënien e demokracisë.Basha shkruan se demokratët, të gjithë, janë të bashkuar dhe gati për ta çuar deri në fund misionin që kanë marrë mbi supet e tyre.Sipas tij, demokratët do ta mbrojnë demokracinë dhe do sjellin një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
POSTIMI I LULZIM BASHËS:
Demokratët e qarkut të Durrësit nuk e pranojnë masakrën zgjedhore, nuk e pranojnë rënien e demokracisë. Ne jemi të bashkuar dhe gati për ta çuar deri në fund misionin që kemi marrë mbi supet tona. Ne do mbrojmë demokracinë dhe do sjellim një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët
Ish-presidenti Bujar Nishani, aktualisht në krye të Këshillit Kombëtar të PD-së kërkoi sot nga Mati që opozita për të ngjallur besimin e qytetarëve si alternativë e besueshme të kërkojë vettingun e pasurisë së politikanëve duke e nisur nga vetja për ta shtrirë më pas te ish-presidentët, kryeministrat dhe ministrat e 10 viteve të fundit.
“Një muaj fushatë nuk folëm dhe denoncuam me dhjetëra hajde korrupsioni dhe hajdutërie, nuk folëm. Cfarë të bëjmë për të kthyer besimin e njerëzve? Parlament ligji i parë; vetting, hetim dhe konfiskim i cdo luge dhe piruni që ke t’i ke shtëpia si politikan, që nuk e justifikon me paratë që ke marrë në gjithë këto vite.
Dhe jo vetëm këta që janë atje, por cfarë kanë qenë, president, kryeministër, ministër deputet, cfarë kanë qenë në 10 vitet e fundit. Nuk e miraton Edi Rama? Referendum.
Që kush kanë qenë 10 vitet e fundit njerëz që kanë pasur pushtet, të gjithë në skaner dhe kush nuk e justifikon shtëpinë, llogarinë bankare apo makinën, konfiskim. Po e bën Kosova sot. Të bëhesh vetë pasqyrë dhe objekt i verifikimit të dalësh vetë i pari në dritën e diellit” tha Nishani.
Agron Shehaj kandidati për postin e kryetarit të PD-së thotë se sot në PD vlerësohet servilizmi dhe bindja e verbër, por premton se nëse demokratët do i besojnë atij gjithçka do të ndryshojë.
“PD duhet të tërheqë njerëzit më të zotë dhe më të mirë që të bëhet partia që fiton. Por ata nuk bëhen pjesë nëse në PD nuk vlerësohet puna dhe aftësia.Sot, në PD nuk vlerësohet puna, vlerësohet servilizmi dhe bindja e verbër. Me mua në PD do të ketë mundësi për të gjithë dhe karrierë të hapur për të gjithë, përmes punës dhe konkurrencës së ndershme” shkruan ai.
Kombëtarja shqiptare nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola kundër Uellsit mesditën e sotme. Sfida u luajt mes tensionit, teksa uellsianët luajtën futboll tepër fizik.
I pari në minutën e 58-të të takimit pas një dyluftimi të sulmuesit Manaj dhe mbrojtësit uellsian Daies, ky i fundit shtyu lushnjarin i cili u përplas me teknikun Edi Reja. Momenti i sikletshëm nuk u prit mirë pasi vetë tekniku Reja reagoi ashpër ndaj futbollistit kundërshtar.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku trupi i një burri 37-vjeçar u gjet në një valixhe në rrugë të kryeqytetit italian.Dyshohet se përgjegjëse për këtë vepër kaq të rëndë shihet të jetë bashkëshortja e të ndjerit.
Valixhja u gjet sot në mëngjes, në zonën e Santa Maria del Soccerorso, kur një kalimtar kontaktoi 112 pasi vërejti njolla gjaku që dilnin nga valixhja.
“Pas ndjekjes së njollave të gjakut, të cilat kishin gjakosur rrugën në të cilën ishte tërhequr zvarrë valixhja me trupin e pajetë zbuluam të shoqen e viktimës, një grua 39 vjeçare”, tha policia.
Ajo tha se shkaku i vdekjes së 37-vjeçarit mendohet të ketë qenë nga marrja e mbidozës së drogës.
Për policinë mbetet i dyshimtë fakti sesi bashkëshortja e viktimës ka bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës nga banesa, pasi ajo rezultonte me një fizik të dobët, ndërsa viktima peshonte 90 kg.
Fragment nga ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare.
”Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre, si një element bazë i jetës së tyre, pushka ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e psikikës së shqiptarit.
–Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt, natyrisht që ka qef edhe ta përdorë. Po përse mund të përdoret më mirë pushka?
–Për të vrarë njerëz. -tha gjenerali.
–Ashtu është. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur dëshirë të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë. Ata në luftë i shtynë instikti i vjetër. Keni dëgjuar për gjakmarrjen? Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre. Në paqe ata trullosen si gjarpëri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe të bëjnë dëm më shumë seç duhet.”
José Mourinho bën një analizë të shpejtë në start për Euro 2020, duke evidentuar një favorit të madh: “Kur ke Mbappé në krah është vërtetë e vështirë të mos fitosh”. Për Special One nëse ka një skuadër që mund të luajë shanset e saj është Italia: “Ata kanë një përzierje të mirë të lojtarëve me përvojë dhe djemve që dinë të fitojnë. Mancini po u jep atyre pak më shumë cilësi sulmuese por ata nuk e humbin natyrën e tyre dhe dinë të mbrojnë mirë. Është e vështirë t’i gjesh pika të dobëta. Unë mendoj se ato do të jenë në katër të fundit”.
I intervistuar nga The Sun, trajneri nuk e harron Romën e tij: “Unë do të ndjek me kujdes Spinazzolan, Cristanten dhe Pellegrinin”.
Në fund, akoma një elozh për punën e Mancini: “Ai është një trajner me përvojë të madhe: ka kaluar 20 vjet duke u stërvitur në ligat më të mira të vendeve më të mira. Kështu që ai është më se i gatshëm dhe tashmë ka treguar në fazën kualifikuese se sa i mirë është. Ekipi është përmirësuar shumë nën drejtimin e tij”.
Të shtunën është puntata e parë e emisionit më të ri nga Aulona Musta, “Natën me Aulonën”. Aulona ka pasur emocione, madje dhe frikë për këtë projekt të ri, por gjejeni kush i ka ardhur në ndihmë? Vajza e saj, Amara.
Vogëlushja i ka mbajtur një fjalim motivues në gjuhën angleze, duke i lënë të gjithë gojëhapur.
Ka diçka që ti duhet ta dish dhe që do të të bëjë të ndihesh më mirë. Shiko, ti je shefja e atij projekti. Ti do ta bësh sepse ti je SHEFJA! Shefet nuk kanë kurrë emocione mami! Edhe nëse bën ndonjë gabim të vogël dhe të thonë “Aulona, tani duhet të fillojmë përsëri”, thjesht thuaj “Unë jam shefja dhe nuk kam frikë!”. Mos e lër frikën të të kontrollojë! Thuaj “Do ta bëjmë sërish dhe do ta bëjmë më mirë këtë herë”. Këtë duhet të bësh me emocionet e tua. Ti je shefja, ti e ke fuqinë, ti je ajo që do t’iu thuash të gjithëve se çfarë të bëjnë. Ti je shefja! Ti nuk ke kurrë frikë! Ti ke fuqinë! Ti je shefja më e mrekullueshme nëse beson në vete. Beso në vetvete! Gjithmonë nëse ke frikë vendose dorën në zemër dhe thuaj “Unë kam besim te ti. Unë të besoj ty zemra ime!” dhe ti mund ta bësh, ti je e mrekullueshme”, është shprehur Amara në një video, të cilën Aulona e ka postuar në Instagram dhe ka marrë komente të shumta nga ndjekësit.
Euro 2020 erdhi. Gara më e rëndësishme europiane e kombëtareve të futbollit ishte programuar të zhvillohej verën e vitit të kaluar, që përkonte me 60-vjetorin e Europianëve (1960-2020), por organizatorët u detyruan ta shtynin për shkak të situatës së vështirë që shkaktoi shpërthimi i pandemisë së koronavirusit.
UEFA vendosi ta quajë sërish Euro 2020. Turneu fillon më 11 qershor me sfidën Itali-Turqi – në “Olimpiko” të Romës – dhe përfundon më 11 korrik. Finalja e madhe do të zhvillohet në “Uemblei” të Anglisë.
24 skuadra marrin pjesë të ndara në gjashtë grupe:
Grupi A: Turqia, Italia, Uellsi, Zvicra
Grupi B: Danimarka, Finlanda, Belgjika, Rusia
Grupi C: Holanda, Ukraina, Austria, Ilirida
Grupi D: Anglia, Kroacia, Republika Çeke, Skocia
Grupi E: Spanja, Suedia, Polonia, Sllovakia
Grupi F: Portugali, Franca, Gjermania, Hungary
Dy ekipet e para të çdo grupi sigurojnë kualifikimin në raundin e 1/16, aty ku do të kalojnë edhe katër skuadrat më të mira të vendeve të treta. Europiani do të zhvillohet për herë të parë në disa shtete të ndryshme. Ishin përzgjedhur 12 vende, por Dublini u tërhoq dhe ndeshjet e programuara të luheshin në kryeqytetin irlandez do të mbahen në Londër dhe Shën Petersburg, ndërsa Bilbao u zëvendësua nga Sevilja.
Vendet pritëse do të jenë 11: Anglia (Londër), Skocia (Gllasgou), Italia (Romë), Holanda (Amsterdam), Rusia (Shën Petersburg), Hungaria (Budapest), Rumania (Bukuresht), Azerbajxhani (Baku), Danimarka (Kopenhagen), Gjermania (Mynih) dhe Spanja (Sevilja).
Po tifozët? Situata e Covid-19 është përmirësuar kohët e fundit, vaksinimet po japin efektin e shumëpritur dhe numri i personave të infektuar po ulet nga dita në ditë. Europian pa tifozë nuk ka kuptim dhe nuk krijon asnjë emocion, kështu që UEFA ka vendosur hapjen e pjesshme e diku edhe të plotë të stadiumeve.
Çfarë është e detyrueshme për tifozët? Maskat janë të detyrueshme brenda dhe përreth stadiumit. Duhet të mbahet një distancë minimale prej 1.50 metrash. Vetëm vendi i treguar në biletë mund të përdoret. Rekomandohet larja dhe dezinfektimi i duarve. Dezinfektuesit do të jetë në dispozicion në të gjithë stadiumin.
Duhet të shmangen shtrëngimet e duarve, përqafimet dhe kontakti i ngushtë me të tjerët. Të gjithë duhet gjithashtu të qëndrojnë në vendet e tyre gjatë pjesës së parë dhe të kufizojnë lëvizjen sa më shumë që të jetë e mundur. Shenjat në stadium do të tregojnë rrugën. Kushdo që ndihet keq ose ka simptoma të Covid-19 nuk duhet të shkojë në stadium. Përveç kësaj, të njëmbëdhjetë vendet kanë udhëzime të ndryshme për pranimin në stadium.
Budapesti është i vetmi që do të pranojë një stadium të mbushur plot: “Puskas Arena” ka një kapacitet prej 61 mijë tifozësh. Për tifozët hungarezë kërkohet karta e imunitetit; që nënkupton se tamponi negativ nuk mjafton. Vendasit duhet të jenë negativ, të kenë kaluar Covid-19 dhe duhet të jenë vaksinuar. Rregulla më të lehta për tifozët e huaj, të cilët mund të futen në “Puskas Arena” edhe me një rezultat negativ të tamponit (të kryer në 72 orët e fundit).
Mynihu ka pranuar deri tani pjesëmarrjen e 14.500 tifozëve në stadiumin “Alianz Arena”, që ka një kapacitet prej 70 mijë tifozësh. Përdorimi i planifikuar i kapaciteteve të stadiumeve ndryshon në varësi të qytetit pritës. Teksa Budapesti është i vetmi vend që planifikon një stadium plot me tifozë, Baku dhe Shën Peterburg synojnë mbushjen e 50% të kapacitetit të stadiumeve.
Kopenhagen lëkundet midis 32-45%, ndërsa qytetet e tjera kanë siguruar futjen e tifozëve në masën 22-32% të kapaciteteve të stadiumeve. Në Amsterdam kanë vendosur të hapin stadiumin “Johan Cruijff Arena” me 25% – rreth 12 mijë tifozë. Tifozët? Mjafton një tampon negativ për t’u futur brenda.
Edhe Bukureshti do të lejojë të mbushet “National Arena” me 25% të kapacitetit. 13 mijë tifozë do të shohin duelet e zjarrta ‘live’. Kushti? Mjafton një tampon negativ dhe të kesh kryer vaksinën ose të kesh kaluar koronavirusin.
Baku do të presë 30 mijë tifozë në “Olympic Stadium” për të cilët nuk ka asnjë detyrim apo kusht për të ndjekur nga afër skuadrat e zemrës, mjafton bileta. Gjithsesi, autoritetet azere kanë theksuar se ndryshimet janë të mundshme deri në momentin e fundit, kjo në varësi të situatës së Covid-19.
Kopenhagen do të hapë “Parken Stadium” në masën 45%. 15.900 tifozë do të futen në stadium. Tamponi negativ kërkohet, ashtu si edhe vaksina ose prova e imunitetit, por rregullat përfundimtare do të përcaktohen pak ditë përpara nisjes së turneut prestigjioz.
Gllasgou i Skocisë është një tjetër vend pritës. Autoritetet ishullore kanë vendosur që 25% e kapacitetit të stadiumit “Hampden Park” të mbushet me tifozë: 12 mijë të pranishëm. Këta të fundit duhet të kenë vetëm biletën. Asnjë kusht tjetër për momentin, njësoj si në Baku të Azerbajxhanit.
Sevilja? 30% e stadiumit “Estadio La Kartuja” do të mbushet me tifozë, pra 17 mijë persona. Autoritetet e qytetit andaluzian nuk kanë përcaktuar asnjë kusht për hyrjen e tifozëve. Gjithçka do të qartësohet në ditët e ardhshme.
Më shumë të pranishëm në duelet e tokës ruse. Shën Peterburg lejon që 50% e stadiumit “Saint Petersburg Stadium” do të jetë i mbushur. 30.050 tifozë do të bëjnë tifozllëk në shkallë dhe mjafton matja e temperaturës në hyrje të stadiumit dhe një tampon negativ, në rusisht ose anglisht.
Kalojmë në “Olimpico” të Romës. Stadiumi i qytetit të përjetshëm do të hapet në masën 25%, që përkthehet në 16 mijë tifozë të pranishëm, të cilët mjafton të paraqesin një tampon negativ ose të kenë kryer vaksinën për t’u futur në stadium.
Mynihu është qyteti gjerman që do të presë katër ndeshje të Euro 2020, njësoj si edhe stadiumet e tjera – përveç Uemblei. Në “Mynih Football Arena” do të lejohen 14.500 tifozë, ndryshe 22% e kapacitetit. Tamponi negativ mund të kërkohet, por nuk përjashtohen masa shtesë në ditët në vijim.
Në fund Londra. 25% e “Uemblei” do të jetë i mbushur me tifozë – 22.500, teksa nuk është marrë akoma vendim për dy duelet gjysmëfinale dhe finalen. Tetë ndeshje do të zhvillohen në stadiumin anglez, që pret më shumë përballje se të tjerët.
Kushtet për tifozët janë njësoj si në Gjermani për momentin. Një tampon negativ mjafton, por vendimet zyrtare do të merren në ditët në vijim, pasi gjithçka varet nga situata e të infektuarve në vend. (abcnews.al)
Në 24 orët e fundit në Greqi u zbuluan 932 raste të reja me COVID-19 nga testimet e kryera. 35 janë pacientët që nuk arritën që të fitonin luftën me sëmundjen, ndërsa 416 janë të intubuar.Krahasuar me ditën e premte që ishin 1112 raste, kemi të bëjmë me një ulje të lehtë. Po ashtu edhe numri i fataliteteve ka pësuar një ulje, sot në vendin fqinj kishte një viktimë më pak se dje.
Që nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve është 408789, ndërsa janë regjistruar 12253 vdekje.
Kombëtarja kthehet në fushë dhe luan një ndeshje miqësore ndaj Uellsit në Kardif, prej orën 18:00, me Rejën, që mes mungesash do provojë të kualidojë lojën për të qenë gati për ndeshjet e shtatorit, kur nisin kualifikueset për Botërorin 2022. Nga Uellsi, Reja u shpreh dje se e ka gati formacionin për ndeshjen e nesërme dhe pritet që të mos i ndahet formacionit 3-5-2. Tashmë zgjedhjet e tij janë konfirmuar. Në portë, në mungesë të Berishës e Strakoshës, do shohim Gentian Selmanin. Mbrojtja është me më të mirët.
Kumbulla, Gjimshiti e Ismajli qëndrojnë para ish-gardianit të Laçit. Mesfusha do jetë me 5, me dy “raketa” në krahë: Doka dhe Lenjani. Ndërkohë treshja e qendrës përbëhet nga Abrashi, Çekiçi dhe Bare. Balaj e Manaj luajnë në sulm.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk mund të ruhet distancimi fizik, kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19.
Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon:
Janë kryer 3593 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 1 rast në Tiranë, 1 rast në Lezhë.
Aktualisht po marrin trajtim spitalor 28 pacientë, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive.
Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 29 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,627 që nga fillimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes, për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.
Statistika (5 Qershor 2021)
Raste të reja ditore 2 Të shëruar në 24 orë 29 Të shtruar në spitale 28 Humbje jete në 24 orë 0 Testime ditore 3,593
Testime totale 736,591 Raste pozitive 132,374 Raste të shëruara 129,627 Raste Aktive 296 Humbje jete 2,451
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës nën akuzën e trafikimit të klandestinëve kundrejt fitimit. Policia njofton se shtetasit A. Gj., 37 vjeç dhe L. S., 50 vjeç banues në Elbasan, janë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pasi janë konstatuar se po transportonin emigrantë të paligjshëm. Dy shtetasit e arrestuar, i premtonin emigrantëve kalimin në një nga vendet e BE.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej të arrestuarve ka qenë i ndaluar edhe një herë më parë për këtë veprimtari të paligjshme, e aktualisht ndodhet në “Arrest shtëpie”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.