Largimi nga Shqipëria/ Zhaku: “Më bëri mirë, pata depresion dhe krizë”

Në studion e emisionit ‘’Rudina’’ në ‘’Tv Klan’’ ishin të ftuar Inida Gjata, e njohur për publikun si Zhaku dhe bashkëshorti i saj, Christian Kreus. Ata erdhën për të folur mbi jetën e tyre në Gjermani, ndryshimet në të, projektet e tyre përgjatë viteve dhe planet e reja artistike.


Zhaku rrëfen se largimi nga Shqipëria erdhi në momentin e duhur, pikërisht atëherë kur ndodhej në një krizë depresioni dhe Gjermania ishte krijimi i një jete tërësisht të re për të. Nisja e një jete të re në vendin europian, së bashku me Christianin, e bëri të rilindte sërish dhe pa të ajo nuk do e kishte marrë kurrë e vetme iniciativën për diçka të tillë.

Rudina Magjistari: Christian të mori, të tërhoqi atje?

Inida Gjata: Po, ishte një vendim në fakt që erdhi pasi pata një lloj krize, një lloj depresioni, largimin nuk e kisha kaq të bujshëm se e kam shoqëruar edhe me daljen tek Çani me këngën ‘’Censura’’ dhe gjithnjë me bujë, ika me bujë, erdha me bujë. Më bëri mirë largimi, bëri mirë Christian që më mori. Po mos të kishte qenë për Christian-in, po mos të kishte qenë për marrëdhënien që kemi, nuk do të kisha shkuar në Gjermani asnjëherë besoj, si refugjate. Por që më eci mirë edhe në Gjermani, më nisi jeta nga e para, ishte e domosdoshme, si një lloj feniksi kur rikthehet prej hirit, bëhet një i ri. Ashtu u bëra edhe unë, nisa një jetë të re plotësisht.

Rudina Magjistari: Pra, le të themi kishe një bazë të sigurt në momentin që shkove se ky është ndryshimi, që ti nuk do e bëje kurrë vetëm të shkoje në një vend ku të pret gjithçka e panjohur apo jo? Nuk do rrezikoje aq shumë.

Inida Gjata: Po, kisha një bazë të sigurt. Jo, nuk do e bëja. Edhe pse isha 31 vjeç, nuk mund të shkosh vetëm, është ndryshe kur mikpritesh atje si zonja Kreuz dhe ndryshe kur shkon si hallexhi. Me thënë të drejtën, këtë ia them shumë shqiptarëve kur duan të emigrojnë se mendojnë se do të shpëtojnë nga mjerimi, por në fakt, si refugjat shqiptar, si azilant, do jetosh në kushte jo të mira.

Kur Shqipëria përzë bijtë e saj!

Silvana Begaj

“Qëllimi arsimit është të zëvendësojë një mendje bosh, me një të hapur.” – Malcolm Forbes

Lamtumirë Shqipëri po të thotë Rinia! Rinia e ëndrrave dhe shpresave. Ata janë mushkëria! Ata janë ndryshimi! Aty fillon një ëndërr,  dhe një ëndërr do një territor o Shqipëria ime e vjedhur dhe e plackitur nën petkun e paaftësisë dhe tradhëtisë! Do vendin ku është lindur dhe është rritur,


Lamtumirë o Shqipëria ime po të thonë!  Të vetmen zgjidhje  të ofrojnë dhe kokën mënjanë po ta lënë duke të venitur bukuritë.

E zemërimi dhe zhgënjimi i të pafajshmëve po  të vret.  Vret më shumë se këto politika stolisur me injorancë. Këto politika që shuajnë dhe ndezin ëndrrat.  Zhgënjimi i rinisë që po sjell shuarjen e një kombi.

O Shqipëria e nostalgjisë dhe fëmijërisë sime! Shqipëria e ambicieve, e mallit, e dy deteve, kodrave, liqeneve, lumenjve maleve…Shqipëria ime, juaj, fëmijëve tanë dhe e vazhdimësisë së një vendi me diell! Shqipëria ku duhet të marrin jetë ëndrrat tona. Të kanë zënë shkëlqimin ata që krihen nën luksin e pushtetit, ata që kanë shkopat magjik të fateve tona.

Shqipëria që po ngelet një ëndërr! Shqipëria e historisë së vjedhur! Shqipëria e tradhëtisë, e bukurisë,trimërisë dhe bujarisë, duke u udhëhequr nga parajsa e  demonëve! Shqipëria e fëmijërisë sime, Shqipëria që lejon të vriten shpresat nën dritën e diellit.


Lamtumirë Shqipëri, po të thonë se ke futur në një rreth vicioz degradues arsimin! Po ushqen të rinjtë me mllefe, alergji dijesh me anë të politikave të veshura me frymën e arrogancës kur në botë trumbetojnë ndryshime dhe zhvillime të paimagjinuara në jetën ekonomiko shoqërore.

Lamtumirë Shqipëri po të thonë të rinjtë që me pasion kthejnë ëndrrat në realitet dhe bëjnë yjet të ndricojnë shpresë dhe ngrohtësi perfeksioni.

Në vendin tim, në vendin tënd do ngelen vetëm disa prindër dhe gjyshër me kokë nga perëndimi sikur kjo gjë do ti afrojë me fëmijët në emigrim sepse cekani i pushtetit iu syrgjynosi ëndrrat. Do ngelen cakajtë që nuk do iu duhet as errësirë më që të bëjnë batërdi!

Prandaj Rini! Mos thoni Lamtumirë  Shqipëri!Por, në dorën tuaj të fuqishme e plot dritë merrni fatin e Atdheut tonë! Digjeni barin e e thatë të  ligësisë  dhe shkulni nga rrënjët paaftësinë, vjetërsinë!

Shqipëria është në duart tuaja, e prandaj luftoni si ju ka hije! Si burim i shpresës, si agimi një të ardhmeje të ndritur.

Ju jeni forca! Ju jeni e ardhmja! Ju jeni drita e hënës dhe diellit. Ju jeni vazhdimësia e historisë së humbur në legjendat e një kombi . Ju jeni ndryshimi! Ju jeni historia!

Sot, unë dua të jem Ju!

COVID-19 Greqi / Ja sa raste janë regjistruar

Në 24 orët e fundit në Greqi janë shënuar 835 raste të reja me COVID, prej të cilëve 397 në Atikë, 112 në Athinë dhe 68 në Selanik.Mediat greke bëjnë me dije se 22 pacientë nuk e kanë fituar dot betejën me këtë sëmundje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në shtetin fqinj në 12 465 në total.

Ndërkohë numri i pacientëve që po trajtohen në intubim është 343. Mosha mesatare e tyre është 67 vjeç. Në 24 orët e fundit në spitale janë shtruar 98 pacientë të rinj, të infektuar me COVID.

E rendë/Vetëvritet me armë zjarri 57-vjeçari në Korçë, kurohej për depresion

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë, ku një 57 vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:43 në lagjen nr.16, teksa mësohet se viktima është Fatos Pulaha, rreth 57 vjeç, i cili u gjet i pajetë në bodrumin e shtëpisë së tij.
57 vjeçari kurohej për probleme me depresionin dhe dyshohet se ky problem e ka çuar drejt vetëvrasjes. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Korçë/Informacion paraprak

Më datë 15.06.2021, rreth orës 17:43, në lagjen nr. 16, Korçë, në bodrumin e banesës së tij, dyshohet të jetë vetëvrarë me armë zjarri shtetasi F. P., rreth 57 vjeç.


Ngacmoi seksualisht të bijën /Gjykata e Korçës jep vendimin….

Eshtë dhënë sot vendimi për Rudolf Merollin, 38 vjeçari nga Maliqi i cili u denoncuar nga e bija-18 vjeçare për ngacmim seksual .Merolli jetonte në fshatin Vloçisht dhe ishte i ndarë nga gruaja e tij.Organi i akuzës kishte kërkuar 6 vite burg për të, por trupa gjykuese vendosi dënimin me 5 vjet heqje lirie.Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Merolli ka fituar uljen e 1/3 së dënimit duke u dënuar me 3.4 vite burg.Në seancën gjyqësore, ai deklaroi se natën që ndodhi ngjarja ka qenë nën efektin e substancave narkotike dhe nuk mbante mend asgjë.


Parodisti i Vlorës që nuk flet më /Jeton vetëm me 280 mijë lekë të vjetra në muaj

Mane Lumani, një prej parodistëve të Vlorës që prej vitit 2004 nuk flet dot më. Shkak u bë një ndërhyrje kirurgjikale në fyt, ku I janë hequr të gjitha kordat, pas një mase tumoriale të hequr prej aty.Sot, edhe pse pa zë, ai gëzon shëndet të plotë. Por vitet bëjnë të tyren.Kjo ka shtyrë ish-deputetin e Vlorës Arben Malaj të bëjë një thirrje për autoritetet që u kërkon ti jepet një pension I posacëm aktorit të madh të humorit vlonjat Mane Lumani.Sikurse evidenton Malaj, ai jeton sot me 28 mijë lekë pension në muaj. Por kjo është shumë pak për kontributin që ai vetë ka dhënë ndër vite në skenat shqiptare.

Postimi i plotë i Arben Malaj:


Një miqësi me parodistët e Vlorës që veç është rritur, pasuruar dhe ruajtur me dashuri e respekt reciprok.

Mane një mik i veçantë më shprehu një shqetësim që me gjithë atë kontribut të jashtëzakonshëm, me aq shumë fleta lavdërimi dhe tituj nderi merr tani vetëm 28.000 lekë pension në muaj.

Nuk dua të abuzoj por qeveritë kanë një fond të veçantë që akordon një shpërblim mujor për personalitetet e historisë, kulturës dhe sportit.

Gjatë viteve 1997-2005 ky fond u akordohej çdo vit deri 15 personaliteteve dhe shpërblimi ishte 15.000 lekë/muaj.

Besoj se kjo politikë vlerësuese dhe shpërblyese ekziston, numri duhet të rritej dhe masa e shpërblimit duhet të rritej sipas rritjes dhe pensioneve mesatare.

Nqs PO, jepini Manes shpërblimin edhe financiar që meriton.

Jepjani tani që është gjallë, dhe mos prisni të përloteni plot hipokrizi në një kohë të dytë, që nga zemra uroj të jetë sa më e largët për parodistët tanë të dashur, dhe jo vetëm për ata.

Përqafime i dashur Mane!!!!

COVID -19/ 8 të infektuar ,1 humbje jete

Janë kryer 3,375 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 8 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: nga 2 raste në Tiranë, Kuçovë, nga 1 rast në Shkodër, Durrës, Lezhë, Has.Vlora është qarku i parë në vend ku nuk ka raste aktive me Covid19. Aktualisht janë 136 raste aktive në vend. Prej tyre, po marrin trajtim spitalor 19 pacientë, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive.


Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve nuk e ka fituar dot betejën me Covid19 një qytetar 73 vjeç nga Tirana. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 14 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,879 që nga fillimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes, për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital’, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Statistika (15 Qershor 2021)

Raste të reja ditore 8
Të shëruar në 24 orë 14
Të shtruar në spitale 19
Humbje jete në 24 orë 1
Testime ditore 3,375

Testime totale 762,976
Raste pozitive 132,469
Raste të shëruara 129,879
Raste Aktive 136
Humbje jete 2,454

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Shkodër 43
Tiranë 37
Berat 17
Durrës 11
Lezhë 7
Elbasan 6
Gjirokastër 6
Korçë 3
Dibër 3
Fier 2
Kukës 1

Bie edhe Elbasani/Certifikohet 25 prilli, Kolegji Zgjedhor rrëzon të gjitha dosjet e PD-LSI

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, rrëzon kërkesën e Partisë Demokratike për përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Elbasanit. Me shumicë votash, gjyqtarët e Kolegjit kanë vendosur rrëzimin e kërkesës së PD duke lënë në fuqi rezultatet e 25 prillit.140 mandatet e Parlamentit të ri janë vulosur nga Kolegji Zgjedhor, duke i dhënë fund ankimimeve të opozitës. Kështu 74 mandate mori PS, 59 për PD, 4 LSI dhe 3 PSD-së.Vendimi i Gjykatës Zgjedhore është i paankimueshëm duke i hapur rrugë certifikimit të zgjedhjeve nga Komisioni Rregullator javën e fundit të qershorit, kohë kur deputetët pritet të marrin mandatet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.Opozita kërkoi rinumërimd dhe zgjedhje të reja në disa qarqe, por Kolegji hapi vetem pak kuti dhe rrëzoi të gjitha dosjet për rizgjedhje në 9 qarqe.


Arrestohet turku në Korçë/ U kap duke transportuar 2 emigrantë të paligjshëm

Një 53-vjeçar nga Turqia me iniciale R.O., është vënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit “Perimetri”. Turku u kap në flagrancë pasi ishte duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit. Ai i kishte futur emigrantët e paligjshëm në kamionin e tij dhe iu kishte premtuar kalimin drejt vendit tonë dhe më pas drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i Policisë


Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë-Thanë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. O., 53 vjeç, banues në Turqi.

Shtetasi i mësipërm, është paraqitur në hyrje të Republikës së Shqipërisë, me mjetin tip kamion “Renault”, gjatë procesit të skanimit së të cilit, në brendësi të karrocerisë, u konstatuan dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve 53-vjeçari, kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendit tonë dhe më pas drejt vendeve të BE-së.”- bën me dije policia e Korçës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.

Dt 30 qershor/Hidhen në treg kartëmonedhat e reja 1 mijë lekë dhe 10 mijë lekë (FOTO)

Banka e Shqipërisë prezantoi zyrtarisht dy kartëmonedhat te reja që hidhen në qarkullim nga data 30 qershor.Risia është që për herë të parë do të kemi një prerje 10 mijë lekëshe e cila do të ketë këtë pamje. Kartëmonedha e re do të ketë të stampuar portretin e poetit dhe autorit të vargjeve të himnit kombëtarë Aleksandër Stavre Drenova, i njohur me emrin letrar si Asdreni.

Prerjet e reja ofrojnë elemente më të forta sigurie. Ndërkohë që prerjet aktuale janë hedhur në qarkullim që në vitin 1996.

Guvernatori theksoi se “pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, si p.sh. ato elektronike, paraja në qarkullim vijon të ketë ndër vite një trend rritës, i cili pasqyron kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë për para fizike si mjet pagese. Banka e Shqipërisë planifikon me kujdes për të garantuar plotësimin e kësaj kërkese të tregut, si në situata normale ashtu edhe në ato jotipike. Edhe situata më e fundit e pandemisë COVID-19, është një shembull konkret në këtë drejtim.

Prisnin dru në zonë të mbrojtur, dy në pranga, procedohen dy të tjerë

Pas një hetimi disamujor finalizohet operacioni “Mokra” nga Komisariati i Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prerjes së pyjeve.Ushtronin në mënyrë të organizuar aktivitetin kriminal të prerjes së pyjeve në zonën e mbrojtur të Llëngës, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë.

Mësohet se midis të ndaluarve është edhe një inspektor pyjesh, i cili shpërdoronte detyrën. Sekuestrohet lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës.

NJOFTIMI I POLICISË


Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas një hetimi disamujor nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, finalizuan operacionin e koduar “Mokra”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Xh., 43 vjeç (me detyrë inspektor pyjesh pranë Bashkisë Pogradec), A. Xh., 35 vjeç, si dhe u proceduan penalisht shtetasit F. M., 51 vjeç dhe G. A., 30 vjeç, banues në Pogradec.

Nga veprimet hetimore të kryera gjatë këtij operacioni rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin në mënyrë të organizuar, prerje të paligjshme të pyjeve në zonën e mbrojtur të Llëngës në Pogradec, dhe grumbullonin, transportonin e më pas shisnin lëndën drusore në subjekte dhe persona të tjerë.

Shtetasi A. B., duke qenë me detyrë inspektor pyjesh, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lejuar dhe favorizuar këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, shërbimet e Policisë, në rrugën Vërdovë-Pogradec, kanë kapur 35-vjeçarin A. Xh. (i proceduar edhe më parë për prerje të paligjshme të pyjeve), duke transportuar me mjetin tip kamion “Benz”, 20 metër sterë dru ah dhe lis, pa dokumentacionin përkatës, sasi e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.

Shorti i Championsit, Teuta sfidon kampionët e Moldavisë

Në ditën e sotme është hedhur shorti i Champions League për turin e parë kualifikues.Shorti i hedhur këtë të martë vendosi durrsakët përballë kampionëve të Moldavisë.Teuta kampione është e pozicionuar në grupin e skuadrave jofavorite për turin e parë, duke pasur një koeficient relativisht të ulët (2.750), nisur nga fakti se ka mbi dy dekada që nuk merr pjesë në Ligën e Kampioneve.


Ndeshjet e para që janë parashikuar të luhen më 6 ose 7 korrik dhe ato të kthimit më 13 ose 14 korrik. Ndeshjen e parë “Djemtë e detit” do ta luajnë në ‘Niko Dovana’ më 6 ose 7 korrik ndërsa atë të kthimit në “Sheriff Sports Complex” një javë më pas në 13 ose 14 korrik.

SHORTI:

TEUTA-SHERIF TIRASPOL- 6 ose 7 korrik, ndeshja e kthimit në javë më vonë.

Ndërsa Shkëndija ishte ekipi i parë nga shqiptaret që mësoi rivalen e saj. Skuadra e Ernest Gjokës përballet me kampionët e Sllovenisë, ekipin e Mura.

Banka e Shqipërisë prezanton dy kartëmonedha të reja/Dalin zyrtarisht në treg duke nisur nga 30 qershori

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantoi sot dy prerje të reja të kartëmonedhave, 1.000 lekëshe dhe 10.000 lekëshe,të cilat dalin zyrtarisht në treg duke nisur nga 30 qershori.Prerja 10 mijëshe është më e madhja deri më tani dhe del për herë të parë në treg me një prerje të ridizajnuar. Për këtë kartëmonedhë, është zgjedhur autori i Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni).


“Kartëmonedha më e re, me vlerë 10 mijë lekë, prezantohet sot. BSH prezanton sot dy kartëmonedha të reja, prerjet 1 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, ku kjo e fundit është një prerje krejtësisht e re në serinë e kartëmonedhave shqiptare. Hedhja në treg për herë të parë përfaqëson në vetvete shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe tregues të tjerë, që lidhen me trajtimin e parasë. Kjo shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe plotëson kërkesat e tregut për ta pasur. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë një qarkullim më të mirë të parasë, duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, si dhe duke rritur efikasitetin e BSH. Gjithashtu, prezenca e kësaj prerje më të lartë rrit efikasitetin e BSH edhe për të administruar një stok, për të përballuar raste të rritjes së paparashikuar të kërkesës së tregut. Kartëmonedha 1 mijë lekë del me një dizajn të rifreskuar, duke pësuar ndryshime që lidhen me të gjitha elementët në tërësi. Kartëmonedha 10 mijë lekë mban simbolet e identitetit tonë kombëtar, shoqëruar me autorin e Himnit Kombëtar Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni). Kartëmonedha 1 mijë lekë ka të integruar numrat, shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, ndryshon ngjyrë në kënde të ndryshme shikimi, si dhe shiritin e ndritshëm në pjesën e pasme. Kartëmonedha e re 10 mijë lekë ka të integruar numrat, shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, hologramën e shoqëruar me efekte të ndryshme optike.”