Në emisionin Money në Euronews Albania u paraqit këtë të shtunë një investigim mbi rrugën Qukës-Qafë Plloçë. Për qeverinë shqiptare huan për ndërtimin e rrugës e dha Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim. Zyrtarisht, punimet për ndërtimin nisën në korrik të vitit 2015 dhe shiriti duhej të pritej tre vite më vonë, por as kjo nuk ndodhi.
Inxhinieri i ndërtimit dhe Transportit Spartak Tarka, tha se mospatja e një projekti çoi në mos realizimin e fondit.
“Nga ajo që unë kam informacion, problemet janë të lidhura me projektin. Nëse një projekt është i saktë atëherë dhe fondi që nevojitet për të realizuar rrugën në rastin konkret është i përcaktuar. Unë di që nuk ka pasur një projekt dhe kjo ka çuar në mosrealizimin e fondit”, tha Tarka.
Drejtori i ARRSH, Ervis Berberi zbuloi dhe arsyet pse finacimi ishte llogaritur gabim.
“Me kalimin e kohës u vu re që nuk kishte projekt, nuk ishin marrë masa për mbrojtjen e skarpatave dhe më e rendësishmja ishte që mungonte financimi për të përfunduar “atë që ishte projektuar”. Kjo coi në premtimet e përhershme që rruga do mbarojë, do mbarojë, do mbarojë. Në momentin që erdhëm në qeveri pamë dhe konstatuam problemet që kishin lënë peng këtë rrugë, ku konstatimi kryesor ishte mospasja e projektit dhe financimit dhe arritëm pikën që po japim afate të mirëqena”, tha Berberi.
Sakaq inxhineri Romeo Nazarko u shpreh: “Ajo është një rrugë panoramike, që do t’i shërbejë zonës për zhvillimin e saj. Por, siç ka të mirat ka dhe të këqijat, sepse do të shkurtojë distancën, por jo kohën e lëvizjes, sepse aty do ecet me shpejtësi më të kufizuar. E gjithë vëmendja duhet të ishte përqendruar në korridorin 8 dhe kur të përfundohej ky i fundit, mund të vazhdohej me këtë rrugë”./Euronews
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.