EUROSTAT – Vetëm në 2022-2023, gati 100 mijë shqiptarë emigruan në vendet e BE-së, ja destinacioni kryesor

Ritmet e emigracionit janë përshpejtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke tejkaluar dhe nivelin e vitit 2015, kur u konstatua një ikje masive.Teksa në 2015-n e dhëna u reflektua direkt në kërkesat për azil në Bashkimin Europian, treguesi real tashmë jepet nga e dhëna tjetër për emigrantët që kanë hyrë në vendet e BE-së, e publikuar nga Eurostat.

Instituti Europian i Statistikave referoi në publikimin e fundit për emigracionin në BE, se në vitin 2023 janë regjistruar rreth 49 mijë emigrantë të hyrë nga Shqipëria.

Edhe në 2022-n emigrimi nga vendi ynë kishte qenë në nivele të ngjashme, duke bërë që vetëm në dy vjet, 2022-2023 të emigrojnë gati 100 mijë persona nga vendi. (Të dhënat nuk përfshijnë Greqinë, që është një destinacion kryesor i shqiptarëve).

Kjo shifër është dhe më e lartë se në vitin 2015, kur emigrantët nga Shqipëria në BE arritën në 44 mijë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor (shiko grafikun). Më pas tendenca ishte në rënie, por një valë e re emigracioni nisi pas pandemisë.

Këtë herë ikjet nuk po reflektohen më përmes kërkesave për azil. Po sipas Eurostat në 2022-n kishte vetëm 13 mijë kërkesa për azil dhe në 2023-n numri i tyre zbriti në 9,145, ndryshe nga 2015-a, kur aplikimet për azil arritën rekordin në 68 mijë.

Ndërsa aplikimet për azil të krijojnë idenë që tendenca e emigracionit është në tkurrje, duket se shqiptarët tashmë nuk ikin më përmes kësaj forme, por me bashkimet familjare (kryesisht Itali), apo për punë (Gjermani).

Në vitin 2023, rreth 30 mijë emigrantë u regjistruan në Itali, ose 62% e totalit. Edhe në 2022-n, ku shtet regjistroi rreth 29 mijë emigrantë. Italia ka një numër të lartë të bashkimeve familjare, si një nga destinacionet kryesore historike të shqiptarëve që ikin jashtë, por nuk mungojnë as të rinjtë. Në 2023-n, 59% e emigrantëve ishin të grupmoshës deri në 34 vjeç, ndërsa 21% të grupmoshës mbi 50 vjeç.

Gjermania është destinacioni i dytë, me rreth 15 mijë emigrantë në 2022 dhe 14 mijë në 2023. Vitet e fundit Gjermania ka qenë e preferuar nga të rinjtë që ikin në kërkim të një pune. Më shumë se gjysma e atyre që emigruan në Gjermani në 2023-n, (55%), sipas të dhënave ishin të grupmoshës 20-34 vjeç, me dominim të 25-30 vjeç.

E treta është Kroacia, që ka parë vitet e fundit emigrimin e mbi 1 mijë personave nga Shqipëria, teksa ky shtet po tërheq punonjës në ndërtim dhe në turizëm.

Siç u theksua, Greqia nuk i raporton të dhënat, çka nënkupton se numri i të emigruarve në vendet e Bashkimit Europian është edhe më i lartë sesa raportohet.

Europa

Sipas Eurostat, në vitin 2023, 4.3 milionë persona imigruan në BE nga vendet që nuk janë anëtarë të BE-së. Kjo shifër nuk përfshin kërkuesit për azil dhe/ose refugjatët nga Ukraina që kanë marrë mbrojtje të përkohshme në disa vende (shih shënimin metodologjik).

Për më tepër, 1.5 milionë persona migruan midis vendeve të BE-së. Krahasuar me vitin 2022, numri i personave që imigruan në BE ka rënë me 17.9% (nga 5.3 milionë), ndërsa numri i personave që migruan midis vendeve të BE-së mbeti i qëndrueshëm në 1.5 milionë.

Në total, në BE u vlerësua se kishte rreth 10 imigrantë nga vendet jo-anëtare për çdo 1,000 banorë në vitin 2023.

Në raport me madhësinë e popullsisë rezidente, Malta regjistroi normën më të lartë të imigracionit nga vendet e BE-së dhe ato jo-anëtare në vitin 2023 (76 imigrantë për çdo 1,000 banorë), ndjekur nga Qipro (43) dhe Luksemburgu (40). Nga ana tjetër, Slovakia regjistroi normën më të ulët të imigracionit, me 1 imigrant për çdo 1,000 banorë, ndjekur nga Franca (6) dhe Italia (7). /Monitor/

Plagosja me th*kë në Pogradec! Arrestohet 44-vjeçari, dyshohet se ndihmoi autorin të largohej nga vendngjarja

Vihet në pranga një 44 vjeçar, i cili ishte në automjetin që u largua 54-vjeçari nga vendngjarja, ku ngeli i plagosur me mjet prerës një person.  Ngjarja ka ndodhur më 29 mars në Pogradec. 

“Policia arreston një 44-vjeçar, i cili ishte në automjetin që u largua 54-vjeçari nga vendngjarja, ku ngeli i plagosur me mjet prerës shtetasi M. T., 36 vjeç. 

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë vijuar veprimet hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 29.03.2025, në lagjen nr 3, Pogradec, ku ngeli i plagosur shtetasi M. T., 36 vjeç dhe në vijim u bë arrestimi i shtetasit L. O., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, si dhe u procedua penalisht shtetasi A. B., alias A. O., për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. 

Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë prezent dhe shtetasi S. J, i cili është larguar me automjetin me të cilin u largua dhe autori nga vendi i ngjarjes. 

Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasi S. J., kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të dhënë nga Gjykata e Korçës, për veprën penale ” Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”. 

Në vijim u bë kapja dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Pogradec, i shtetasit S.J, 44 vjeç, banues në Blacë, Pogradec., i cili u arrestua për verën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. 

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok-ut shton dëshirën e shqiptarëve për përdorimin e tij, trefishohet numri i përdoruesve

Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok-ut ka shtuar dëshirën e shqiptarëve të harxhojnë më tepër kohë në këtë platformë. Brenda pesë ditëve, numri i përdoruesve në TikTok është trefishuar. Sipas ekspertëve të IT, tashmë dëshira për të pasur këtë rrjet social ka përfshirë edhe ata që nuk e kishin më parë një të tillë, dhe kjo bëhet duke shkarkuar aplikacionin falas VPN.

Eksperti i IT, Tomi Kallaxha thotë:

“Duke qenë se është folur kaq shumë për këto VPN dhe njerëzit i ka kapur dëshira për të aksesuar TikTok-un, që është bllokuar nga kompanitë telefonike, dhe në top dhjetë aplikacionet më të shkarkuara, gjashtë prej tyre janë VPN. Ndërsa në vendin e dhjetë është TikTok-u. Përderisa është në listën e top njëzetëshes, numri i përdoruesve vetëm në muajin mars është rritur me 60-80 mijë.”

Por telefoni nuk përdoret vetëm për qëndruar në TikTok. Shqiptarët kanë shfaqur interes edhe për edukimin, sportin, bastet e palejuara dhe filmat serialë.

“Një fjalë kyçe shumë specifike që është tepër interesante është se vajzat po kërkojnë profesionet më të mira në teknologji informacioni. Kemi dhe shkarkim të madh të serialit ‘Adoleshenca’, dhe në fund, shqiptarët janë të pushtuar nga futbolli dhe bastet online”, shton Kallaxha.

Edhe pse ekspertët e IT bëjnë thirrje që përdorimi i VPN është i rrezikshëm dhe të dhënat e përdoruesve mund të hakerohen e më pas të keqpërdoren, kjo thirrje ra në veshë shurdhët, pasi para të dhënave ata preferojnë të argëtohen në TikTok.