Ndryshon situata për një nga dy futbollistët ganezë që janë federuar me Skënderbeun, por që ende nuk i janë bashkuar skuadrës korçare. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë, Jozef Ado Teteh dhe qendërmbrojtësin Agbodzie Abei. I pari ka pasur një dëmtim kronik (pubalgji), ndërsa i dyti ka qenë në pritje të pajisjes me vizë për të mbërritur në Shqipëri. Mirëpo, vonesa në dokumentacione ka bërë që mbrojtësi të vonojë prezantimin e tij me Skënderbeun. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë lojtari, i cili dje ka kontaktuar me “Panorama Sport”, duke shpjeguar edhe arsyet e vërteta të kësaj vonese. 20-vjeçari ka thënë se vonesa e dokumentacioneve të nevojshme si pasojë e pandemisë dhe punës së reduktuar të instancave, kanë sjellë shtyrjen e bashkimit të tij me Skënderbeun, ku ka firmosur për 4 vite.

“Më në fund duket se gjithçka është gati edhe pse dokumentacioni i nevojshëm vonoi shumë. Sapo jam njoftuar nga ambasada përkatëse se viza ime është gati dhe me të marr pasaportën, do të nisem drejt Shqipërisë. Jam i lumtur që gjithçka mori fund dhe tani do të kem mundësi të bashkohem me ekipin e ri”, deklaroi Abei të hënën për gazetën. Ai pritet që të jetë një element i rëndësishëm për prapavijën e Skënderbeut, pasi në këtë sezon të pazakontë me një kalendar që pritet të shumë i ngjeshur, trajneri Ahmataj dhe Skënderbeu do të kenë nevojë për një numër të madh lojtarësh. Me afrimin e qendërmbrojtësit ganez, në këtë mënyrë korçarët dublojnë çdo pozicion në prapavijë.

BIND SULMI – Nëse një sezon më parë në repartin e sulmit Skënderbeu haste vështirësi si pasojë e mungesës së elementëve cilësor, duket se tani po ndodh e kundërta. Nga sa është parë në të gjitha testet miqësore të zhvilluara nga Skënderbeu në këtë fazë përgatitore reparti i sulmit është ai që ka edhe konkurrencën më të madhe. Në tri pozicionet e sulmit Ahmataj ka të gatshëm 6 futbollistë me karakteristika dhe cilësi të njëjta, e thënë ndryshe nga dy për secilin pozicion.
Kjo ka sjellë “probleme” luksi për sa i përket ndërtimit të formacionit nga ana e trajnerit bardhekuq. Duke filluar me krahun e majtë të sulmit, ku Armah dhe Tereziu janë në kërkim të një pozicioni si titullar në sezonin e ri. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për krahun e djathtë. Berisha është duke kaluar një formë të mirë, por nuk duhet lënë pas edhe cilësia e Çelës, i ardhur nga Luftëtari dhe që premton siguri për të ardhmen. Ndërsa në majën e sulmit, rritja e Pusit i ka hequr fanellën e titullarit, Mensah, që duket se do të luftojnë gjatë për pozicionin e qendërsulmuesit./Panorama Sport/
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.