Historia tronditëse e vrasjes së profesorit amerikan në Athinë

Një ngjarje e rëndë me përmasa ndërkombëtare ka tronditur Athinën dhe komunitetin akademik të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley. Profesori i marketingut, Przemyslaw Jeziorski, 43 vjeç, u vra mëngjesin e 4 korrikut në një lagje të qetë të kryeqytetit grek, ndërsa po shkonte të merrte binjakët e tij të vegjël nga shtëpia e ish-gruas.

Vrasja ndodhi në prag të një përballjeje ligjore për kujdestarinë e fëmijëve dhe ka ngjallur indinjatë të madhe për mënyrën brutale dhe motivet që qëndrojnë pas saj.

Sipas autoriteteve greke, Jeziorski u qëllua disa herë nga afër nga një person i maskuar,

ndërsa kalimtarët u përpoqën ta ndihmonin, por ai vdiq në vend. Hetimet zbuluan shpejt një skemë të dyshuar të mirëplanifikuar, ku në qendër rezulton të jetë partneri i ri i ish-bashkëshortes së tij, i cili më pas rrëfeu para policisë se kishte qëlluar profesorin “për të mbrojtur partneren dhe fëmijët” nga mundësia që Jeziorski t’i merrte përfundimisht në SHBA.

Në dëshminë e tij, autori i dyshuar tha se kishte frikë se Jeziorski do ta fitonte kujdestarinë e plotë të fëmijëve dhe se kjo do të “shkatërronte” të dashurën e tij. “E bëra për të dhe për fëmijët tanë, në mënyrë që të kishim një jetë të qetë”, deklaroi ai, duke shtuar se kishte planifikuar gjithçka me ndihmën e tre personave të tjerë – dy shqiptarë dhe një bullgar – të cilët e ndihmuan në ndjekjen dhe sulmin ndaj profesorit. Të gjithë janë arrestuar dhe përballen me akuza të rënda për bashkëpunim në vrasje me paramendim.

Ndërkohë, deklaratat kontradiktore të bashkëpunëtorëve kanë komplikuar më tej hetimin. Njëri prej tyre ka deklaruar se e gjithë skema ishte organizuar nga vetë ish-bashkëshortja e viktimës, e cila nuk donte që Jeziorski të kishte më kontakt me fëmijët. Ajo përballet aktualisht me akuza si bashkëpunëtore morale, por avokati i saj mohon çdo përfshirje të saj në planin për vrasje.

Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në SHBA dhe Poloni. Universiteti i Kalifornisë në Berkeley e përshkroi Jeziorskin si një profesor të përkushtuar dhe studiues të shquar, që kishte mësuar mbi 1,500 studentë gjatë 13 viteve të tij në institucion dhe kishte kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në fushën e marketingut sasior dhe ekonomisë digjitale.

Familja e tij është shprehur e zemërthyer dhe po kërkon që trupit i tij të kthehet në Poloni për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Fëmijët e binjakë, të cilët janë shtetas amerikanë dhe polakë, aktualisht janë nën kujdesin e përkohshëm të autoriteteve greke dhe sipas avokatëve të familjes, nëna dhe vëllai i viktimës do të kërkojnë kujdestarinë e plotë të tyre në Poloni.

Rrëfimi i autorit të dyshuar detajon se ai bleu armën e krimit dhe mori ndihmën e katër bashkëpunëtorëve të tjerë – një bullgar, dy shqiptarë dhe një tjetër person – për ta kërcënuar viktimën. Megjithatë, njëri prej bashkëpunëtorëve ka dhënë një dëshmi kontradiktore, duke pretenduar se ishte ish-gruaja e Jeziorskit ajo që e kishte “organizuar të gjithë ngjarjen”.

Ndërsa i dyshuari kryesor pretendon se partnerja e tij nuk kishte dijeni për planin, policia greke e ka akuzuar ish-gruan për bashkëpunëtore morale, akuzë që ajo e mohon. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike për shkak të ligjeve greke. Të pesë të akuzuarit pritet të paraqiten në gjykatë për të dëshmuar, ku do të vendoset nëse do të mbahen në paraburgim në pritje të gjyqit. Ky rast i pazakontë, me dëshmi kontradiktore dhe implikime të rënda familjare, pritet të shënojë një nga gjyqet me profilin më të lartë në Greqi.

Shishe në fushë dhe përplasje fizike, miqësorja mes Elbasanit dhe Pogradecit përfundon me sherr masiv(Video)

Takimi miqësor i zhvilluar në “Elbasan Arena” mes AF Elbasanit dhe Pogradecit, i cili përfundoi me rezultatin e barabartë 2-2, nuk kaloi pa incidente. Pavarësisht natyrës miqësore të ndeshjes, tensionet u rritën në minutat e fundit duke përfshirë jo vetëm futbollistët në fushë, por edhe tifozët në tribuna.

Shkak për përplasjet u bë sjellja provokuese e njërit prej lojtarëve të Pogradecit, i cili me gjeste dhe fjalë u përpoq të provokonte kundërshtarët në disa raste gjatë ndeshjes.

Kjo çoi në reagime të ashpra duke kulmuar me momente tensioni si në fushë, ashtu edhe në tribuna, ku pati përplasje fizike dhe ndërhyrje nga stafet respektive për të qetësuar situatën.

Pavarësisht incidenteve, fatmirësisht nuk pati pasoja serioze, ndërsa organizatorët shpresojnë që raste të tilla të shmangen në ndeshjet e ardhshme, për të ruajtur frymën sportive që duhet të karakterizojë ndeshjet miqësore.

https://www.instagram.com/reel/DMUYtvYN-Sg/?igsh=MW01aGlkbXAzaDcwYg==