“Nxënës i shkëlqyer, punon për shpenzimet e maturës”: Reagimi i mësueses së kamerierit që rrahu polici…

Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje opinionin publik, ku një kamerier i ri është dhunuar nga ish-shefi i qarkullimit Vlorë, ndërsa punonte në një lokal. Pas ngjarjes, ka ardhur reagimi prekës i mësueses kujdestare të të riut, i cili siç edhe deklaroi vetë në një reagim të mëparshëm ku tregonte rrethant e ngjarjes, sapo kishte mbushur 18 vjeç.

Vali Veshaj, mësuese e të riut, shprehet se 18-vjeçari ishte nxënës i shkëlqyer dhe se punonte për të siguruar shpenzimet e maturës.

“Djali është nxënësi që sapo ka mbaruar klasën e njëmbëdhjetë dhe është me dhjeta. Është me një sjellje model dhe ka pjekurinë dhe kulturën që i mungon personit përballë. Është djalë i mrekullueshëm dhe po punon për shpenzimet e maturës. Unë që po ju shkruaj jam mësuesja kujdestare e tij”, u shpreh mësuesja.

Ajo bën një apel të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore, duke theksuar se dhuna ndaj një të riu që përpiqet ndershmërisht të ndërtojë të ardhmen është e papranueshme.

“Shteti të marrë masa se kjo është rinia e cila nuk e gjen veten askund,” përfundon mësuesja Veshaj.

Ngjarja ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa kërkohet drejtësi për të riun dhe ndëshkim për autorët e dhunës.

Mbi rastin ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që autori të dalë përpara drejtësisë.

“Sot, qava si për djalin tim!”, gazetarja letër të hapur Aronit të dhunuar për një shishe uji

Nga Fatma Haxhialiu

Sot, qava si për djalin tim!

Gazetarja letër të hapur Aronit, djalit që u dhunua për një shishe ujë: Ti u tregove burrë, nuk u trembe
“Sot, qava si për djalin tim!”

Gazetarja Fatma Haxhialiu, e cila jo më larg se pesë muaj më parë solli në jetë një tjetër bekim duke u bërë mami e dy engjëjve, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur së fundmi në qytetin e Vlorës, ku kamarieri 18-vjeçar Aron Balaj u dhunua për një shishe ujë nga Adrian Isufi dhe shoku i tij.

Në llogarinë e saj në “Instagram”, e prekur nga kjo ngjarje, Fatma i ka dërguar një letër të hapur Aronit, djaloshit i cili, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij që vrapojnë nëpër festa dhe harxhojnë paratë e prindërve të tyre, vendosi të punonte si kamarier për të ndihmuar familjen e tij.

Përmes rreshtave, gazetarja i thotë Aronit që tregoi se është “burrë”, pasi foli me zë të lartë dhe as nuk u tremb, as nuk u tërhoq përballë dhunuesve të tij, ku njëri prej tyre rezultoi të ishte oficer policie – ai që duhet ta mbronte dhe jo ta godiste, vetëm sepse në tryezën e tij çoi një shishe ujë më tepër.

Letra e plotë e Fatmës:

I dashur Aron, unë kam dy djem, e sot kur dëgjova ngjarjen tënde dhe kur të pashë të prekur, të fyer, të dhunuar, qava si për djalin tim! U ndjeva po aq e pafuqishme dhe totalisht e vrarë sa prindërit e tu.

I dashur Aron, ti që në vend që të festosh nëpër shkuma-party, në bare luksoze me lekë borxh, ti që në vend që t’u bërtasësh prindërve të tu pse s’të kanë blerë makinën luksoze si shokët, ti që në vend që të punosh punë të pista, zgjodhe të bësh një punë të ndershme; në vend që të pushosh, mendove të ndihmoje familjen, ose të vije ca lekë mënjanë për universitetin… Sot u rrahe barbarisht nga ca “burra” të paburrë, të dobët e të mjerë, që frustrimet dhe paburrërinë e tyre e tregojnë kështu – duke u marrë me një fëmijë!

Ti sot, Aron, u tregove burrë, sepse fole me zë të lartë, nuk u trembe, nuk u tërhoqe, as nuk u përfshive në pellgun e qelbanikëve!

Ti sot, i dashur Aron, na vure në mendime të thella edhe një herë, si prindër dhe si shoqëri!
Nëse do t’i rrisim fëmijët tanë këtu, me dashurinë për punën, me moral e vlera, nëse do t’i rrisim si QYTETARË TË DENJË të këtij vendi…

Nëse do t’u mësojmë se puna është NDER, se duhet të bëjnë vepra të mira e të jenë gjithmonë të ndershëm me veten dhe të tjerët – a do të jenë ata viktima e radhës? A do të shihen si të dobët, të pazotë dhe të pambrojtur? A është kjo Shqipëria për të cilën u kemi folur dhe u kemi premtuar? Sot kam shumë mendime, i dashur Aron. Sot jemi të gjitha mami jot, me të njëjtat pikëpyetje, mllef, dhimbje, brengosje…

Ama ajo që them me bindje është se sot, Aron, ti tregove se i drejti zhytet, por nuk mbytet, sepse fole dhe mbrojte dinjitetin tënd deri në fund. E ndoshta kështu fillon ndryshimi! Duke shpresuar që secili nga të përfshirët të marrë dënimin që meriton, të uroj më të mirat në jetë!

Faleminderit, Aron. Të përqafoj.
Me dashuri,
Fatma

Pse Shqipëria ka shumë rrugaçë?

Nga Kreshnik Spahiu

Ishte një pasdite shtatori e vitit 1988, kur po kthehesha nga shkolla për në shtëpi. Në oborrin e lagjes pashë disa njerëz të ulur dhe një polic që fliste me zë të lartë. Iu afrova me shpejtësi nga kurioziteti dhe vura re se po zhvillohej një gjyq popullor ndaj komshiut tim, Bujarit, i cili kishte vjedhur dy pula në një shtëpi private.

Pa u zgjatur shumë: në fund, Bujari u dënua me 1 vit burg dhe internim në fshat. Pas vuajtjes së dënimit, ai nuk u kthye më në lagje, sepse i vinte turp nga komshinjtë.

Pas shumë vitesh, e takova sërish Bujarin bashkë me dy vëllezërit e tij: Ilirin dhe Sokolin.Të tre ishin përfshirë në  politikë dhe punonin si shoqërues nëpër fushata:
• Bujari me PD,
• Sokoli me PS,
• Iliri me LSI.

Pimë një kafe dhe i dëgjova me kënaqësi, por edhe me habi.Të tre ishin pjesë e policisë, por kishin dhe punë të  tjera “part-time”, jo gjithmonë të deklaruara.

“Kreshnik, kemi ndarë rolet në tri krahë,” – më thanë – “që kushdo që të vijë në pushtet, të jemi në anën e duhur.”

U ndava me ta dhe nuk i pashë më për disa vite – derisa në qershorin e kaluar, Bujari doli në disa portale dhe në kronikat rozë.

Bujari nuk ishte më polic: ishte bërë biznesmen. Madje kishte blerë një jaht dhe ishte fotografuar me një vajzë nga showbizi.

E lexova artikullin me një frymë. Bujari kishte qenë dy herë i martuar dhe kishte pesë fëmijë, por dukej shumë i dashuruar me këtë gjysmë-gazetare 25-vjeçare.

Në fakt, nuk më tërhoqi historia romantike e Bujarit, por karriera e tij “e suksesshme” që ishte shkruar në gazetë.

Pas largimit nga policia, kishte jetuar 10 vite në Holandë dhe ishte kthyer në Shqipëri me xhepin plot.

Pas “specializimeve” në Holandë për shpërndarje droge me shumicë dhe pakicë, u kthye dhe kishte punuar në doganë, në tatime dhe për disa vite në policinë bashkiake.

Mu kujtua kjo histori sot, kur pashë një video të ish-shefit të policisë që rrihte një kamarier. Fakti është që hajdutët e pulave janë bërë zyrtar dhe pushtetar.

Në fakt, këta janë njerëz që ndoshta kanë nevojë për një gjyq popullor si në kohën e Enver Hoxhës – që t’i degjenerosh publikisht, ashtu si Bujarin dikur. Por gjithsesi, ky nuk është vetëm problemi dhe kjo nuk është zgjidhja.

Jo më kot At Zef Pllumi shprehej me dhimbje: “Kurrë s’e kam kuptuar se si një popull kaq i vogël si shqiptarët, ka mundur të nxjerrë kaq shumë rrugaçë.”