Furtunë dorëheqjesh/ Cilat janë bashkitë që nuk kanë zbatuar urdhrin e Ramës…

Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar kryebashkiakëve në të gjithë vendin që të reformojnë stafet e tyre në varësi, duke kërkuar largimin, përmes dorëheqjeve apo shkarkimeve, të nënkryetarëve të Bashkive, administratorëve dhe drejtorëve në njësitë e qeverisjes vendore.

Urdhëri i Ramës ka nisur të zbatohet, ndërsa vala e dorëheqjeve të imponuara nuk ndalet në ato që konsiderohen si pozicione të nivelit të lartë apo të mesëm në Bashkitë e vendit. Me përjashtim të bashkive që drejtohen nga demokratët, të cilët e konsiderojnë urdhërin e Kryeministrit si politik, në shumë prej bashkive të drejtuara nga socialistët ka nisur etapa e dytë: ajo e njoftimeve, qoftë edhe fiktive, ku ftohen qytetarët që të aplikojnë për vendet vakante, pas dorëheqjeve masive.

Janë me qindra drejtorë, administrator dhe nënkryetarë të Bashkive që brenda pak ditësh kanë depozituar kërkesat për largim nga funksionet. Por duket se kanë mbetur edhe 3 Bashki që ende nuk po i binden Ramës. Pavarësisht se kanë një peshë shumë më të vogël se Bashkitë tashmë të boshatisura, duket se në morinë e madhe të pushtetit socialist në njësitë e qeverisjes vendore, 3 kryebashkiakë kanë dalë nga ‘rreshti’.


Bëhet fjalë për Vangjel Tavon e Himarës, Adriatik Mema i Skraparit dhe Ergest Dule i Konispolit. Ky i fundit e ka kundërshtuar Kryeministrin edhe në takimin që u zhvillua me të zgjedhurit vendorë në Durrës, pak ditë më parë, ndërsa u përball me reagimin e ashpër të Ramës, i cili e vuri mes dy zgjedhjesh: dorëhiqu vetë, ose largo drejtorët, administratorët dhe nënkryetarët e Bashkisë.

Gjithashtu Vangjel Tavo e ka kundërshtuar Ramën, por duke zgjedhur një rrugë më justifikuese, me faktin se të emëruarit prej tij janë të rinj, të cilët do të vlerësohen në bazë të performancës. Në anën tjetër edhe në Bashkinë e Skraparit nuk ka mbërritur ende ‘furtuna’, ndërsa në njësitë e tjera të qeverisjes vendore në Qarkun Berat, ka nisur ‘operacioni’ i pastrimeve bazuar në urdhërin e Kryeministrit. Tashmë duhet pritur se sa do t’i rezistojnë 3 kryebashkiakët presionit për të mos ndryshuar stafet.

Dorëheqjet e drejtorëve /Raqka zbaton urdhrin e Ramës…

Prej dy ditësh ka nisur vala e dorëheqjeve në bashkitë e vendit, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për rifreskimin e strukturave drejtuese në pushtetin vendor. Në disa bashki kryesore të vendit, si Fieri, Durrësi, Vlora, Korça dhe Gjirokastra, dorëheqjet janë dorëzuar në mënyrë zinxhir.

Të martën, dorëheqje janë regjistruar edhe në bashkitë Vau i Dejës, Sarandë, Berat dhe Selenicë, ku janë larguar nga detyra zëvendëskryetarë, administratorë dhe drejtorë

Megjithatë, jo të gjitha bashkitë i janë bindur kërkesës së kreut të qeverisë. Në jug të vendit, disa drejtues vendorë kanë refuzuar të ndërmarrin shkarkime. Kryetari i Bashkisë Konispol, Ergest Dule, deklaroi për Euronews Albania se drejtorët aktualë janë të rinj dhe nuk po performojnë keq, duke shtuar se kërkesa e kryeministrit është keqkuptuar në media.

Qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe kryetari i Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, i cili theksoi se drejtuesit janë emëruar së fundmi dhe se do të vlerësohet performanca e tyre përpara marrjes së një vendimi.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, deklaroi pas një mbledhjeje me kryeministrin në Durrës se zëvendëskryetarët në këtë bashki janë të rinj, duke lënë të kuptohet se nuk do të shkarkohen.

Ndërkohë, një ditë më parë, disa kryetarë bashkish nga radhët e opozitës i janë drejtuar me një letër institucioneve ndërkombëtare, ku kanë shprehur shqetësimin për cenimin e autonomisë vendore si pasojë e vendimeve të fundit të ndërmarra nga kryeministri Rama. /Euronews Albania

Më keq se në Gaza/ Tavanë të çarë, dysheme të shkatërruara, ndryshku mbulon spitalin e Korçës

Nuk bëhet fjalë për një spital në Gazën e shkatërruar nga lufta, por për spitalin kryesor të qytetit të Korçës! Një qytetar nga Korça i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen alarmante të spitalit të qytetit, i cili shërben si qendra kryesore spitalore për të gjithë qarkun. Pamjet e mbërritura në redaksi tregojnë qartë degradimin e thellë të mjediseve spitalore.

Pavionet lidhen mes tyre me ura metalike, të cilat nuk janë mirëmbajtur që nga koha kur janë ndërtuar. Denoncuesi ka mbetur i tronditur kur ka parë gjendjen e urave, duke thënë se kalimi mbi këto ura është shpesh i pasigurt për shkak të amortizimit dhe rrezikut të shembjes.

Brenda ambienteve vërehen tavanë të çarë, dysheme të shkatërruara, tapetë të grisur të mbledhur nëpër cepa, lagështi, dhe erë e rëndë ndryshku që përhapet gjithandej.

Sipas denoncuesit: “Spitali i Korçes, urat qe lidhin pavijonet. Jane ndryshkur fare, gati per te rene. Vjen shume ere e keqe si ndryshk. Nuk e ka prekur asnje me dore, e kane lene kështu.”

Këto kushte janë shumë larg standardeve evropiane që qeveria propagandon. Pacientët dhe stafi mjekësor detyrohen të kurohen dhe të punojnë çdo ditë në ambiente të degraduara. Gjendja në spitalin e Korçës është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të punës e trajtimit./ Joq Albania