Më keq se në Gaza/ Tavanë të çarë, dysheme të shkatërruara, ndryshku mbulon spitalin e Korçës

Nuk bëhet fjalë për një spital në Gazën e shkatërruar nga lufta, por për spitalin kryesor të qytetit të Korçës! Një qytetar nga Korça i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen alarmante të spitalit të qytetit, i cili shërben si qendra kryesore spitalore për të gjithë qarkun. Pamjet e mbërritura në redaksi tregojnë qartë degradimin e thellë të mjediseve spitalore.

Pavionet lidhen mes tyre me ura metalike, të cilat nuk janë mirëmbajtur që nga koha kur janë ndërtuar. Denoncuesi ka mbetur i tronditur kur ka parë gjendjen e urave, duke thënë se kalimi mbi këto ura është shpesh i pasigurt për shkak të amortizimit dhe rrezikut të shembjes.

Brenda ambienteve vërehen tavanë të çarë, dysheme të shkatërruara, tapetë të grisur të mbledhur nëpër cepa, lagështi, dhe erë e rëndë ndryshku që përhapet gjithandej.

Sipas denoncuesit: “Spitali i Korçes, urat qe lidhin pavijonet. Jane ndryshkur fare, gati per te rene. Vjen shume ere e keqe si ndryshk. Nuk e ka prekur asnje me dore, e kane lene kështu.”

Këto kushte janë shumë larg standardeve evropiane që qeveria propagandon. Pacientët dhe stafi mjekësor detyrohen të kurohen dhe të punojnë çdo ditë në ambiente të degraduara. Gjendja në spitalin e Korçës është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të punës e trajtimit./ Joq Albania

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: