Gjendet një person i plagosur rëndë poshtë urës së Maliqit, në aksin Korçë-Pogradec

Një person është gjetur pasditen e sotme në gjendje të rëndë shëndetësore poshtë urës së Maliqit, përgjatë aksit nacional Korçë-Pogradec. Sipas informacioneve paraprake, kanë qenë familjarët ata që kanë raportuar humbjen e kontakteve me të afërmin e tyre që prej mbrëmjes së kaluar.

Ata kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe paralelisht janë përfshirë edhe vetë në kërkimet në terren.

Rreth orës 15:30, në bashkëpunim me forcat policore, personi është lokalizuar poshtë urës, me shenja jete, por në gjendje të rëndë fizike. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Korçës, ku aktualisht po i jepet ndihma mjekësore.

Burime nga spitali bëjnë me dije se i dëmtuari reagon dhe është në monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.

Ndërkohë, forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të zbuluar rrethanat që çuan në këtë incident.

Vodhi 1400 euro në makinën e një pushuesi, arrestohet i 25-vjeçari në Himarë

Një 25-vjeçar është arrestuar nga Policia e Himarës pasi dyshohet se vodhi 1400 euro nga automjeti i një pushuesi, në plazhin e “Porto Palermos”. Blutë kanë sekuestruar shumën e vjedhur dhe automjetin e përdorur për kryerjen e vjedhjes.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të vjedhjes së një shume parash nga automjeti i një pushuesi, shtetasit:

A. S., 25 vjeç, banues në Kosovë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për të cilin vijon puna për kapjen, më datë 26.07.2025, ka vjedhur shumën prej 1400 euro nga automjeti i një pushuesi, i cili ishte i parkuar në plazhin e “Porto Palermos”.

Shuma e vjedhur, së bashku me automjetin tip Volkswagen, i cili dyshohet se është përdorur për kryerjen e vjedhjes, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Kreu i Shoqatës së Hoteleri Turizmit: Numri i pushuesve në bregdet ka rënë ndjeshëm

Duket se këtë vit sezoni turistik është larg pritshmërive pasi shifrat tregojnë një numër të ulët të pushuesve në vendin tonë. Këtë e ka konfirmuar edhe kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, i cili ka ngritur shqetësimin për rënien e ndjeshme të turizmit bregdetar në Shqipëri.

Ai theksuar ndikimin e mungesës së turistëve kosovarë dhe konkurrencën në rritje nga vendet fqinje.

“Në fakt, sipas raportit të bërë para disa ditëve nga INSTAT jemi diku ke 4.7% më shumë lëvizje të të huajve, por nga sondazhet që kemi bërë ne si shoqatë, të paktën jemi nga 2 mijë hotele, 360-380 jemi në grup, rezulton që turizmi i rërës dhe i detit është gati 25% më pak sesa një vit më parë.

Këto janë efekte që janë raportuar nga mesi i qershorit, që pretendonin se do të kishte punë dhe deri në tre javët e korrikut ku është e dukshme, pasi mund të hysh për të pronetuar një hotel në jug apo dhe në pjesën bregdetare dhe gjen akoma vende të lira, gjen oferta me ulje 20-15% ndërkohë që nuk ka ndodhur herë tjetër.

Dihet që dhe një nga efektet është dhe mungesa e turizmit kozovar të shtresës së mesme dhe të shtresës që kanë mundësi financiare.

Ne duhet të përgatiteshim seriozisht për këtë situatë, jo thjesht se turizmi Kosovës nuk do të jetë determinant në Shqipëri, por mundësia në vitet e para për të eksploruar është shumë më e madhe sesa ndjenja patriotike për t’i bërë pushimet në Shqipëri.

Mos harrojmë që nuk konkurojmë dot me rajonin. Greqia ka bërë një lëvizje të jashtëzakonshme duke e luhatur këtë situatë. Ka rikonstruktuar një pjesë të mirë të hoteleve apo resorteve. Ka krijuar një sistem apartamentesh dhe vilash që ata e kanë pasur prej 70′ dhe kanë çmime konkuruese. Plazhin, detin është e pamundur ta konkurosh dhe kjo ka bërë që një pjesë e mirë e Kosovës të largohet“, u shpreh Topuzi në Ora News.