COVID 19 /241 RASTE TË REJA ME TË INFEKTUAR,7 HUMBJE JETE

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat lidhur me situatën e Covid-19 në vendin tonë ku raporton se në 24 orët e fundit janë kryer 1260 testime ditore ku kanë rezultuar pozitivë 241 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2 .Janë shëruar 92 qytetarë,ndersa e kanë humbur jetën 7 qytetarë mes tyre nje 68 vjeçar nga Korça dhe nje 48 vjeçar nga Pogradeci thuhet në njoftimin e MSH.

NJOFTIMI I PLOTE

Ju informojme për situatën në 24 orët e fundit të përhapjes së virusit Sars Cov2, rastet e reja dhe situatën në spitalet Covid.
Nisur nga shtimi i numrit të pacientëve në spitale është hapur spitali Covid3 në ambientet e ish-kurirgjive në QSUT, i cili do të menaxhohet nga Spitali Infektiv dhe do të ofrojë shërbim spitalor për pacientë të prekur nga Covid19 në gjendje më të lehtë shëndetësore.Aktualisht në 3 spitalet Covid, po trajtohen 319 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Me gjithë përpjekjet e mjekëve, ne 24 oret e fundit, kanë humbur jetën 7 qytetarë me Sars Cov2 pozitiv në 2 spitalet Covid: 34 vjeçar me sëmundje bashkëshoqëruese dhe 44 vjeçar pa sëmundje bashkëshoqëruese, 66 vjeçar nga Tirana, 48 vjeçar nga Pogradec, 68 vjeçar nga Korça, 68 vjeçar nga Elbasani, 81 vjeçar nga Fieri me sëmundje bashkëshoqëruese.Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1260 testime, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 241 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2.Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:148 raste në Tiranë, 25 në Vlorë, 11 në Berat, nga 9 raste në Durrës, Lushnje, 8 në Fier, 5 në Shkodër, 4 në Mallakastër, nga 3 raste në Kurbin, Mirditë, Peqin, nga 2 raste në Kamëz, Gjirokastër, Kuçovë, nga 1 rast në Elbasan, Përmet, Sarandë, Delvinë, Tepelenë, Ura Vajgurore, Gramsh.Në 24 orët e fundit janë shëruar 92 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 11,189 që nga fillimi i epidemisë.

Apeli për qytetarët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën thirrje qytetarëve të mos e ulin vigjilencën për zbatimin e masave antiCOVID, ruani distancën fizike me persona që nuk janë familjarët tuaj, kujdesuni për higjienën personale dhe mbani maskën në ambientet jashtë shtëpise.Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID19.Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për sherbim psikologjik te specializuar dhe të sigurt si dhe për çdo informacion tjetër rreth COVID19.

COVID-19 – Statistika (31 Tetor 2020)
Raste të reja ditore 241
Të shëruar ne 24 orë 92
Të shtruar në spitale 319
Humbje jete në 24 orë 7
Testime ditore 1260

Testime totale 125,220
Raste pozitive 20,875
Raste të shëruara 11,189
Raste Aktive 9,177
Humbje jete 509

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 4650
Durrës 851
Fier 706
Korçë 566
Shkodër 524
Lezhë 410
Elbasan 396
Vlorë 384
Berat 278
Kukës 190
Gjirokastër 129
Dibër 93

Studentët, të hënën në protestë kundër mësimit online

Një ditë pasi komiteti i ekspertëve komunikoi vendimin për të zhvilluar mësimin online, studentët kanë vendosur të ngrihen në protestë. Data kur ishte paracaktuar për hapjen e vitit të ri akademik nuk do t’i gjejë të rinjtë në auditorë, por as në shtëpitë e tyre për mësim në distancë.Pikërisht të hënën, në orën 10:00, ata do të dalin në sheshin përpara Ministrisë së Arsimit për t’i thënë “JO” mbylljes së universiteteve.Kyçja e universiteteve, ende pa u hapur erdhi dy ditë më parë si pjesë e masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së infeksionit të pandemisë.

Greqia shtrëngon masat, mbyllen restorantet

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar këtë paraditet masat e reja të pandemisë në vend. Protothema shkruan se ndër masat e reja që u njoftuan sot nga Kryeministri grek Mitsotakis, janë mbyllja totale e restoranteve, aktivitetet sportive, si dhe vendet e argëtimit.Ndërsa do të ketë një shtetrrethim nga ora 00:00 deri në 05:00 të mëngjesit.Masat izoluese, të ngjashme me ato në Francë do të zbatohen duke nisur nga 3/11 deri në 3/12, pra një muaj, deri në 3 dhjetor 2020. Universitetet gjithashtu do zhvillojnë mësim vetëm online dhe detyrohen punonjësit që kanë mundësi ta kthejnë punën nga shtëpia.Këto masa sjellin ndryshime edhe në hartën epidemiologjike pasi territori do të ndahet në 2 zona.

Zona e parë përfshin zonat e gjelbërta dhe të verdha ku do të aplikohen masa si përdorimi kudo i maskave dhe ndalimi i trafikut nga ora 12 i mesnatës deri në 5 të mëngjesit.

Zona e dytë e cila e ka kurbën e infeksionit më të madhe, përfshin zonat portokalli dhe të kuqe, dmth Athinën dhe të gjithë Greqinë Veriore dhe për to, izolimi përfshin edhe mbyllje të hotelerisë, vendeve të argëtimit dhe aktiviteteve sporteve.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis vuri në dukje se “Tetori i kuq” me rritjen eksponenciale të rasteve e detyron atë të vendosë përsëri në përparësi absolute mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe sigurisë së tyre.

“Mesazhi im sot është një, që nuk doja mbyllje nga e para. Por nuk më lejohet të mbyll sytë para realitetit të ashpër.Unë duhet të vë përsëri në radhë të parë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve grekë. Unë e kam këtë detyrim. Dhe kjo është ajo të cilës unë i shërbej ”, theksoi ai veçanërisht në fjalën e tij.

Masat e reja u konsideruan të nevojshme pas shpërthimit të rasteve të infektimeve, të cilat arritën dje në 1,690. Më herët autoritetet greke kanë shtrënguar masat në zonat ku numri i të infektuarve është më i lartë.

Covid-19/Belgjika hyn në karantinë prej 2 nentorit

Belgjika do të vendosë rregulla më të rrepta të izolimit nga e hëna (2 nëntor), duke mbyllur bizneset jo-thelbësore dhe duke kufizuar vizitat në familje.
“Këto masa janë mundësia e fundit nëse duam të zbresim shifrat”, tha kryeministri belg, Alexander de Croo, duke paralajmëruar që rregullat e reja do të mbesin në fuqi për të paktën një muaj e gjysmë.
Edhe në fillim të pandemisë, në pranverë, Belgjika ka qenë ndër vendet më të goditura nga pandemia.
Që nga mesi i muajit tetor, ky vend evropian, ka regjistruar mesatarisht nga 15 mijë raste të të infektuarve në ditë.
Edhe vendet tjera evropiane po përballen me rritje të numrit të rasteve me COVID-19, dhe shumica e tyre tashmë kanë marrë masa shtesë të izolimit dhe kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Mbi 10 milionë të infektuar janë regjistruar deri më tani në Evropë./REL

Britania, karantinë në 3 nivele

Britania pritet të rikthejë një formë të bllokimit kombëtar për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Boris Johnson konfirmoi sot se pas dy ditësh, Anglia duke filluar nga mbrëmja e së mërkurës do t’i nënshtrohet karantinimeve lokale me tre nivele: të mesme, të larta dhe shumë të larta.Pasi këshilltarët e tij shkencorë i thanë se ishte mënyra e vetme për të shpëtuar Krishtlindjet, shkruajn “Times” dhe “The Guardian”. Shkencëtarët paraqitën raportin me shifra të zymta që tregojnë se Covid po përhapet ‘dukshëm’ më shpejt se edhe parashikimi i tyre që ishte ‘skenari më i keq’. Detajet priten të zbulohen ditën e hënë por sipas mediave britanike të mërkurëm më 4 nënëntor pritet që pub-et dhe restorantet të mbyllen për javë të tëra – duke shkaktuar dëme të mëtejshme në këtë industri.Njoftimi vlen vetëm për Anglinë e jo për Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut, pjesë të Britanisë së Madhe.Liverpuli është qyteti i cili do të jetë në nivelin më të lartë, ku do të mbyllen pabet, restorantet, palestrat e gjithçka tjetër, pasi spitalet në atë qytet janë në gjendje kritike.Boris Johnson pritet ta bëjë njoftimin të hënën, me kufizimet që fillojnë të mërkurën. Mendohet se ato mund të zgjasin deri më 1 dhjetor. Shkollat pritet të qëndrojnë të hapura, por një burim pohoi për The Times se dyqanet jo thelbësore do të mbyllen. Deri tani Britania e Madhe ka shënuar 992,874 të infektuar, nga të cilët kane ndërruar jetë, 46,319

“Legjenda e Futbollit” Maradona mbush 60-vjeç, tregon dëshirën e çuditshme

Diego Armando Maradona feston ditëlindjen e tij të 60-të dhe pa asnjë dyshim ai njihet si një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave në futboll.Fitoret me Argjentinën dhe me Napolin ishin thuajse individuale, duke udhëhequr skuadrat drejt majave, të tilla që napolitanët nuk i mendojnë dot as sot 30 vjet pasi idhulli i tyre u largua nga qyteti.Sulmet e tij ndaj FIFA-s, miqësia me Fidel Kastron, lufta në krah të njerëzve të thjeshtë janë të gjitha veprime të një njeriu të fortë, që mund të krijojë debate, adhurim, kundërshti deri edhe antipati apo urrejtje, por që nuk mund t’i bëjë kushdo. Vetëm një legjendë si Muhamed Ali mund të matet me Diego Armando Maradonën.

I pyetur për dëshirën e tij të ditëlindjës Maradona befasoi me përgjigjen e tij.

“Unë ëndërroj të jem në gjendje të shënoj një gol tjetër kundër Anglisë … këtë herë me dorën time të djathtë” deklaroi ai duke qeshur.

https://fb.watch/1sqepskcXn/

Çfarë mund të mësojmë nga vala e dytë vdekjeprurëse e pandemisë së vitit 1918?

Pandemia e vitit 1918 ishte përhapur ne ate kohe në tre valë, nga pranvera e vitit 1918 deri në dimrin e vitit 1919 – duke vrarë 50 milionë deri në 100 milionë njerëz në të gjithë botën. Vala e parë në pranverën e vitit 1918 ishte relativisht e butë. Shumica e vdekjeve ndodhën në vjeshtën e vitit 1918, vala e dytë dhe njëherësh më e rënda e këtij gripi.Sipas CNN, ekspertët e shëndetësisë presin që infeksionet e COVID-19 të rriten këtë dimër pasi virusi që shkakton këtë sëmundje është një coronavirus, dhe coronaviruset e tjerë përhapen më shumë gjatë dimrit. Në ajrin dimëror, më pak të lagësht, grimcat që mbajnë virus mund të qëndrojnë në ajër më gjatë. Për më tepër membranat tona të hundës janë më të thata dhe më te prekshme nga infeksioni në dimër. Derisa moti bëhet më i ftohtë, ne kalojmë më shumë kohë në ambiente të mbyllura pa ajrosje të mjaftueshme që do të thotë se sëmundja ka gjasa më larta të përhapjes.

Pse vala e dytë ishte më vdekjeprurëse?

Ekzistojnë disa mundësi pse vala e dytë e vitit 1918 ishte kaq e tmerrshme, duke përfshirë ndoshta mundësinë e pësimit të mutacionit si dhe modelet e lëvizjes ose edhe sjelljes njerëzore në atë kohë. Dimri reflektonte edhe me përhapje të gjerë të gripit, derisa njerëzit qëndronin më shpesh të mbyllur brenda shtëpive të tyre.

“Ndoshta nuk arriti që të infektonte kaq shumë njerëz në pranverë”, u shpreh John Barry autor i librit The Great Influenza.

“Pastaj një mutacion mjaftoi që të rezultonte me këto infektime dhe ndoshta ishte gjithashtu më virulent”, shtoi ai.

Tek pacientët me Gripin Spanjoll, sëmundja e pneumonisë zhvillohej dhe operonte shpejt duke vrarë njerëzit deri në ditën e dytë. Përpjekjet për Luftën e Parë Botërore veçse kishin filluar, përhapja e shfrenuar u ‘ndihmua’ edhe nga lëvizjet e trupave dhe kampet e mbingarkuara ushtarake.Një pengesë e madhe ishte mungesa e njohurive për karakterin, sjelljen dhe ashpërsinë e virusit, shkruan CNN.Vërshimi i valës së dytë bëri që disa njerëz dhe mjekë të mendonin se kishin të bënin me një sëmundje tjetër, ndryshe nga ajo në pranverë.

Avantazhi i ditëve moderne

Tani nëse ecim përpara në vitin 2020. Përparimet e shumta shkencore na kanë dhënë një avantazh të lehtë në zbutjen e përhapjes dhe efekteve të sëmundjeve të frymëmarrjes si gripi dhe COVID-19.

Përmirësimet teknologjike iu kanë lejuar studiuesve të shohin qelizat dhe viruset përmes mikroskopëve elektronikë dhe kristalografisë me rreze X, që iu mundëson gjithashtu edhe kapjen e miliona imazheve të tyre.

Mikrobiologët tani mund të izolojnë, identifikojnë si dhe të përshkruajnë strukturën e viruseve.

Megjithëse kemi teste të coronavirusit, një e metë qëndron se nuk ekzistojnë aftësitë e mjaftueshme testuese, dhe testimi zgjatë shumë, sipas reporters Gina Kolata.

“Gjendja rëndohet pasi simptomat e coronavirusit ngjasojnë me ato të gripit, gjë që mund të ngarkojë sistemin e testimit”, u shpreh ajo.

Vitet e progresit shkencor na kanë mësuar se si sëmundjet e frymëmarrjes përhapen nga pikat e frymëmarrjes mes kontaktit të ngushtë, si dhe nga higjiena e pamjaftueshme. Sidoqoftë, për të qenë efektivë, këto përparësi shkencore dhe mjekësore kërkojnë pajtueshmëri nga publiku.

Çfarë mund të bëjmë?

Duke marrë parasysh që rastet me COVID-19 janë në rritje dhe mund të rriten këtë dimër, ka gjëra që mund të bëjmë për të ndaluar përhapjen. Masat paraprake si distancimi fizik, shmangia e grumbullimeve dhe udhëtimet e panevojshme, larja e duarve dhe mbajtja e maskave janë akoma të rëndësishme.Grumbullimi i artikujve ushqimorë si dhe i artikujve mjekësorë – mund të ndihmojë në kufizimin e udhëtimeve në dyqane, duke ulur kështu shanset e përhapjes.Në vitin 1918, nuk kishte një vaksinë të aprovuar për përdorim. Kësaj radhe me coronavirusin programi Operation Warp Speed si dhe programe të tjera janë duke testuar vaksinat për të qenë në gjendje të trajtojnë publikun potencialisht deri në pranverën e vitit 2021, raporton CNN.Ajo që ende ka vlerë të madhe është edhe marrja parasysh e udhëzimeve shëndetësore nga autoritetet lokale për sa i përket njohurive shkencore.

“Nëse distancimi shoqëror dhe maskat janë efektive kundër coronavirusit, nëse jemi me fat, ato mund të rezultojnë efektive edhe kundër gripit”, u shpreh Kolata.

“Unë do të shpresoja që njerëzit t’i marrin vaksinat kundër gripit – jo se ato janë 100 për qind efektive, por sigurisht që ndoshta do të ishte më mirë se sa asgjë”, shtoi reporterja. /Telegrafi/

Në Itali hidhet ideja për një karantinë të re pa afekte në ekonomi, ja si është menduar

Italia po përballet me një valë të dytë agresive të koronavirusit. Ndërsa qeveria ka vendosur disa masa që janë cilësuar si “karantinë e butë”, autoritetet janë në dilemë për strategjinë që duhet ndjekur për të mos çuar në kolaps sistemin shëndetësor duke mbajtur njëkohësisht hapur bizneset dhe aktivitetet e tjera.Një ide e re është hedhur nga Instituti për Studime Politike Ndërkombëtare, i cili propozon karantinë të plotë për të moshuarit.Sipas ISSP, izolimi i mbi 80-vjeçarëve do të zvogëlonte vdekshmërinë direkte të virusit me 50%. Dhe nëse ky izolim do të niste që nga moshat mbi 60, në mënyrë efektive, vdekshmëria do të binte në 0,07%, rreth dhjetë herë më e ulët sesa është aktualisht.

Në analizën e Institutit për Studime Politike Ndërkombëtare thuhet se “vdekshmëria totale gjatë një viti kalendarik në Itali do të rritet me 71% pa izolim, por vetëm me 18% nëse izolohen moshat mbi 70, dhe vetëm 7% me izolimin e moshës mbi 60”.

“Çdo bllokim i ri – thotë studiuesi Matteo Villa – rrezikon stabilitetin financiar dhe, me pak fjalë, të ardhmen e vendit tonë.Në të njëjtën mënyrë, është e sigurt se nuk mund të mbështetemi as në të ashtuquajturën “strategji e imunitetit të tufës”, domethënë ta lësh virusin të lirë të qarkullojë derisa të gjithë ta kenë kaluar”.Skenari i fundit, sipas Villa-s, do të kishte një kosto shumë të lartë. Në Itali, kjo do të nënkuptonte rreth 42 milionë të infektuar dhe midis 430 000 dhe 700 000 vdekje më shumë.Për të mos përmendur presionin mbi sistemin tonë shëndetësor, që përllogaritet se, në një skenar të tillë, do t’i duhej të përballonte në kujdesin intensiv rreth 110 000 njerëz.Tema