Cila ditë do ketë stuhi? Lamtumirë ditë me diell, javën që vjen fillojnë reshjet e shiut dhe borës

 

Bëhuni gati për ti lënë pas ditët me diell. Moti do të ndryshojë këtë javë dhe ditët me diell që kanë dominuar për një kohë të gjatë do të zëvendësohen me reshje shiu.Megjithëse java që vjen do të jetë e lagësht nuk do të mungojnë as momentet me diell dhe dëborë në disa zona. Sipas shërbimit meteorologjik e mërkura do të jetë një ditë delikate pasi do të ketë shtrëngata e stuhi.

“Pas një kohe të gjatë me mot me diell dhe “thatësirë” sa i përket reshjeve të shiut tashmë situata meteorologjike mbi vendin tonë ndryshon totalisht. Në këtë mënyrë kryefjala për javën që kemi përpara do të jetë moti i paqëndrueshëm shoqëruar me vranësira mesatare dhe të dendura si dhe reshje shiu të herëpashershme përgjatë pjesës më të mdhe të ditës. Por nuk do të mungojnë as orët me diell edhe pse ato do të jenë të shkurtra me intervale disa orësh”, thuhet në njoftimin e shërbimit meterologjik.

Reshjet e shiut do të jenë në shumicën e ditëve me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në formnën e shtrëngatave. Përjashtim bëjnë këtu dita e Mërkurë me reshjet të cilat në zonën e qendrës dhe atë të veriut lokalisht do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e stuhive. Nga ana tjetër dita e Enjte do të ketë mot me diell dhe vranësira kalimtare.Nuk do të mungojnë gjithashtu reshjet e dëborës (lokalisht të dendura) në relievet malore të vendit por relativisht më të theksuara në zonën e Alpeve dhe verilindje.

Përgjatë orëve të vona të natës dhe ato të para të mëngjesit ku temperaturat bien; në zonën e verilindjes dhe alpe në lartësi mbi 500 metër reshjet e shiut konvertohen në reshje dëbore ndërsa në juglindje në lartësitë mbi 700-800metër.

Në fushën termike temperaturat do të kenë luhatje nga dita në ditë por në përgjithësi ato do të variojnë nga -2ºC deri në 10ºC në vlerat e mëngjesit si dhe deri në 8ºC deri në 15ºC në ato të mesditës. Qëndroni me SH.M.U për përditësime të herëpashershme, lajmëron shërbimi meteorologjik më tej.

Për mëmëdhenë,poezi nga Mihal Grameno

 

Mbetet një nga Rilindasit më të pastër përsa i përket ruajtjes së ideve të tij, përhapjes së patriotizmit, njohjes së Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit, njohjes së luftëtarëve të lirisë së asaj kohe dhe veprave të tyre në dobi të kombit. Mihal Grameno lindi në Korçë me 13 janar 1871 dhe vdiq më 5 shkurt 1931. Është një nga emrat që ka dhënë më shumë për Pavarësinë e Shqipërisë: si me armë ashtu dhe me penë.

Për Mëmëdhenë,poezi nga Mihal Grameno

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra, se s’ka me pritë.
Të vdesim sot me besa-besë
Pranë flamurit të kuq q’u ngrit.

Pranë flamurit, pranë flamurit
Me shpatë zhveshur shqipëtarisht,
Për dhen’ e babës edhe të burrit
Kemi me vdekur sot burrërisht.

E Drini plak me oshëtima
Mbi Shqipërinë valet po derdh;
Tosk’ edhe Gegë si vetëtima
Armikut bini, se dita erdh.

Ejani burra malit përpjetë
Duke u betuar vdekj’a liri.
Se s’ka më ëmbël në këtë jetë,
kur vdes shqiptari për Shqipëri!

Takaj: Futbolli shqiptar po kalon një krizë ekonomike, ja plani im për Skënderbeun!

 

Ardjan Takaj i thotë të gjitha. Në një intervistë për emisionin Zona Gol në Supersport presidenti i Skënderbeut foli për ecurinë e korçarëve gjatë dekadës së fundit, për të ardhmen e klubit pas vendimit që do të japë gjykata Federale në Zvicër, por edhe lojtarët që kanë merkato dhe nivelin e futbollit në Shqipëri. Fillimisht fjalën e tij ai e nisi me një thirrje ndaj gazetarëve dhe specialistëve të futbollit shqiptar.

“U bëj thirrje gazetarëve dhe specialistëve të futbollit të kenë kujdes kur flasin për Skënderbeun. Janë treguar dinjitozë Flamurtari dhe Luftëtari, edhe ne do të bëjmë kampionatin. Do të jemi dinjitozë deri në fund. Do të synojmë për vendet e larta të rendijtes”.

Ardjan Takaj

Projekti i modernizimit të Skënderbeut – Kam qenë shumë i qartë kur morëm ekipin në vitin 2012, e dinim ku donim të shkonim dhe çfarë të arrinim. Synuam të ndërtonim një klub modern në Shqipëri. Deri para dy viesh kemi qenë një klub vërtet europian. Nuk ishte rastësi, çdo gjë ka qenë e organizuar. Rezultatet erdhën. Pas Europa Ligës ku morëm pjesë vitin e parë, isha i bindur se do të shkonin larg. Kur u futëm në grupet e Europa Ligës, ishte një rrugëtim shumë i bukur.

Plan B për Skënderbeun – Nuk kam projekt B, po rri te A-ja. Deri në përfundim të marrjes së vendimit të Gjykatës Federale, do merrem me planin A. Unë nuk mund të lëviz sipas kohërave. E fillova dhe dua ta mbyll te Skënderbeu.

Jashanica – Nuk është lehtë të mbash futbollistin më të mirë të kampionatit shqiptar, Jashasnincën. kur e sheh në stërvitje, por jo në fushë. Këta të rinj që kemi e bëjnë Skënderbeun pak të brishtë.

Interesime për disa prej lojtarëvë të Skënderbeut – Ka interes për Bregun, Krasniqin, Gripshin, Pëllumbin. Po mundohemi të gjejmë ekipet e duhura, por duam të gjejmë ekipe me paga dinjitoze, joqesharake. Klubi jonë po mundohet shumë t’u gjejë ekip. E quajmë të dështuar veten si klub kur nuk arrijmë të transferojmë një lojtar.

Bruno Dita – Dita është lojtar i Skënderbeut dhe mbetet te ne, por nëse ka ofertë do ta shqyrtojmë.

Kriza ekonomike e futbollit shqiptar – Ky kampionat këtë sezon është i dobët. Nuk është një kampionat që prodhon të ardhura. Vendet e para që synojnë grupet e Europa Ligës, duhet të gjenerojnë të ardhura të mëdha. Duhet të ndjekin shembullin e Skënderbeut. Kemi blerë lojtarë nga Luftëtari, Kukëis, etj. Kishim shpërndarje të të ardhurave. Por, futbolli te ne është i varfër, sepse konkurojnë 8 ekipe për Europën, por në Angli nuk konkurojnë 8 ekipe për rezultate të larta. Atje ka rregulla futbolli si dhe në Gjermani. Edhe në Greqi, Kroaci etj, janë përcaktuar rregullat. Ekipet e para kanë shpenzime më të mëdha në raport me skuadrat e tjera. Nëse nuk ka këtë lloj shkallëzimi, nuk mund të ketë fitime ky kampionat.

Ligji i Sponsorizimeve – Do të ketë disa të ardhura kur në këtë vend do të rritet cilësia e sportit. Kur përmirësohet futbolli, do të rriten të ardhurat nga Europa. Por, me këtë treg nuk mundemi. Ne jemi në nivelin e ishujve Faroe, nuk kaluam dot asnjë raund në kupat e Europës. Në Europë shkohet me cilësi. Me 2000-5000 € pagesa mujore nuk mund të mbajmë dot asnjë futbollist.

‘Në fund ne nuk do të kujtojmë fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë’

 

Dr. Martin Luther King Jr, një aktivist i fuqishëm dhe frymëzues i të drejtave civile në fillimit të viteve 1960, luajti një rol të madh në mënyrën se si ne e pranojmë dhe trajtojmë njëri-tjetrin – pavarësisht nga raca apo gjinia.Dr King është i njohur gjerësisht sot si një aktivist amerikan që vazhdimisht dhe në mënyrë efektive mbronte paqen, dashurinë dhe barazinë midis njerëzve. Ai ishte një njeri me besim dhe moral të lartë, që e veçoi atë nga shumë aktivistë të tjerë të kësaj kohe.

Martin Luther King

Forca shtytëse në pjesën më të madhe të jetës dhe fjalimeve të tij ishte gjithnjë paqja. Metoda e tij e dashurisë dhe pranimit për të gjitha qeniet njerëzore është ajo që e bëri një nga figurat publike të njohura në të gjithë historinë amerikane.

Duke nxitur krijimin e një jete aktive që gati 61 vjet më parë, Dr. King u bë shpejt fytyra dhe drejtuesi i lëvizjes për të drejtat civile. Ai luajti një rol në organizimin e Marshit në Uashington dhe është krijuesi i fjalimit të famshëm “Unë kam një ëndërr” (I have a dream…), i cili tërhoqi një turmë prej gati 250,000 njerëzish.

Përmes fjalimeve të tij dhe shërbimit të tij të palodhshëm për botën, ishte e qartë se në gjuhën e tij kishte fuqi dhe në zemër kishte pasion.

Ndërsa pranvera e vitit 2020 do të shënojë 52 vjet nga vrasja e doktor Martin Luther King Jr., trashëgimia dhe ndikimi i tij mbi një komb ka mbetur i përjetshëm. Këmbëngulja e tij për të përmirësuar veten për të dashuruar në mënyrë të efektshme njëri-tjetrin është arsyeja pse mesazhi i tij nuk mund të vdesë kurrë; sepse është gdhendur në zemrat e shumë njerëzve.

Dhe për të nderuar trashëgiminë e tij, çdo vit, Dr. King festohet në të gjithë vendin. Bëmat e tij të mira reflektohen dhe përdoren si mjete motivimi dhe fjalë inkurajimi.

Këtu do të lexoni disa nga thëniet më të mira të MLK

Martin Luther King

Mos lejo kurrë që dikush të të ulë aq poshtë sa të detyrohesh ta urresh atë.

Ai besonte se të gjithë e meritonin drejtësinë.

Ai mësoi se injoranca nuk të bën kurrë të lumtur.

Vjen një kohë kur heshtja është tradhti.

Dashuria është gjithmonë përgjigja.

Errësira nuk mund të dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund të dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë atë.

Nëse nuk mund të fluturoni, atëherë vraponi, nëse nuk mund të vraponi, atëherë ecni, nëse nuk mund të ecni, atëherë zvarrituni, por çfarëdo që bëni duhet të vazhdoni përpara.

Ajo që ka më shumë rëndësi është ajo që ke brenda.

Drejtësia duhet të jetë forca më e fortë.

Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo.

Shpresa është ajo që na lidh si popull.

Fol për atë në të cilën beson.

Ngrihuni në këmbë dhe lëreni zërin tuaj të dëgjohet.

U plakëm siç e sheh dhe vetë…

Nga Ndoc Gjetja

Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.

Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.

Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.

Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë.

Mos dilni nga shtëpia pa çadrën, ja si pritet të jetë moti për sot

 

Ditën e sotme priten reshje mesatare në qarkun e Shkodrës dhe të dobëta në qarqet e tjera.Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, në qarkun e Shkodrës reshjet do të arrijnë lokalisht deri intensive, ndërsa në qarqet Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër deri lokalisht mesatare. Në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës reshjet do të shoqërohen me shtrëngata. Në verilindje reshjet priten të jenë në formë bore.Ne rajonin e Korçes parashikohen reshje te dobeta.

TEMPERATURAT


Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 9 / 15 °C
në vendet e ulëta: 8 / 14 °C
në vendet malore: 2 / 10 °C

Anna Oxa, historia e shqiptares së famshme

 

Anna lindi në Bari më 28 prill 1961, nga nënë italiane dhe baba shqiptar (Qazim Hoxha, emigrant shqiptar në Bari). Mbiemri i saj i vërtetë është Hoxha. Filloi të këndojë si profesioniste në moshë shumë të re. Vetëm 17 vjeçe u klasifikua në vendin e dytë të Festivalit të Sanremos 1978 me këngën “Një emocion i vogël” e nënshkruar nga Ivano Fossati, të cilin e kishte njohur kur ishte 15 vjeçe gjatë audicionit të saj të parë të rëndësishëm për Rca-në.

Anna Oxa

Pasi bie në sy në Sanremo me një look vagëllimthi punk, merr pjesë në Festivalbar me “Bëjeni me mua” dhe po më 1978-ën boton albumin e saj të debutimit me titullin “OXANNA”, që përmban sidomos cover-a pjesësh të famshme ndërkombëtare. 1979-a është viti i “Kloun i kaltër” dhe i LP-së së dytë të titulluar thjesht ANNA OXA. Këngëtarja puljeze është protagoniste e filmit “Djalë, vajzë, lule, frut” i regjisorit Ruggero Miti. Në fillim të viteve ’80, Q- Disc-u “Kontroll Total” i paraprin ndryshimit të shtëpisë diskografike: më 1982-shin nënshkruan për CBS-në (sot Sony Music) dhe fillon bashkëpunimin me Mario Lavezzi-n, që prodhon pjesët “Unë jo”, paraqitur në Festivalin e Sanremos, dhe “Bëmë të qesh pak”.Një vit më pas del albumi “Për të ëndërruar, për të kënduar, për të vallëzuar”: kënga referuese është “Pa mua”. Për këtë disk, të prodhuar nga Mario Lavezzi, bashkëpunojnë edhe Ron dhe Flavio Premioli.

Anna Oxa

Në vitin 1984 kthehet në Sanremo: gjithsej ka marrë pjesë në 12 festivale si këngëtare dhe në një si prezantuese (në vitin 1994 bashkë me Pippo Baudo-n dhe Cannelle-n).

Ngjitet në skenën e Aristonit për tre vjet rresht: më ’84-ën këndon “Nuk zbres”, që i paraprin albumit “Vrapi im”, nga do të nxirret më pas kënga “Eklips total”; më ’85-ën këndon “Asaj”, nënshkruar edhe nga Roberto Vecchioni dhe e pranishme në diskun “OXA”; pas dy vendeve të shtata me radhë, më ’86-ën klasifikohet në vendin e pestë me “Eshtë vetëm një çast”, që bën pjesë në albumin me të njëjtin titull. Anna Oxa përshkon rrugën e entertainment-it televiziv si prezantuese e dy edicioneve të “Fantastico”-s në Raiuno, të parën në krah të Enrico Montesano-s dhe të dytën në çift me Massimo Ranieri-n.

Pas nja dy vitesh pushim diskografik, kthehet në skenë përsëri në Sanremo: më ’88-ën klasifikohet e shtata me “Kur lind një dashuri” të realizuar me producentin e saj të ri: Piero Cassano-n e “Matia Bazar”-ëve. Dhe në vitin 1989 fiton Festivalin bashkë me Fausto Leali-n me këngën “Do të të lë”. Në po atë vit boton albumin “Të gjitha drithërimat e botës” dhe fillon bashkëpunimin me New Trolls-at. Në vitin 1990 këndon “Grua me ty” në Sanremo, pastaj i bie rreth e qark Italisë me një tour bashkë me New Trolls-at të dokumentuar në diskun live “Anna Oxa me New Trolls-sat”.

Anna Oxa

Pas një viti kushtuar familjes së saj (në vitin 1991 lind fëmija i saj i parë, Francesca) dhe diskun “Nga kjo dashuri” (e vitit 1992), Oxa çimentohet me këngën e autorit në përmbledhjet “Cantautori” (1993) dhe “Cantautori 2” (1994): këngët e interpretuara prej saj shkojnë nga “Do të kesh” e Claudio Baglioni-it deri te “Historia” e Francesco De Gregori-t. Në të njëjtën periudhë del compilation-i “Do- gjoksi”. Në vitin 1995 lind Qazimi, fëmija i saj i dytë dhe vitin në vijim regjistron albumin “Ana nuk lihet”, që përmban këngën “Spot” dhe është prodhuar nga ish shoku i saj Gianni Belleno dhe nga Danilo Madonia. Kënga “Histori” klasifikohet në vendin e dytë në Festivalin e Sanremos të vitit 1997 dhe hap përmbledhjen e greatest hits me të njëjtin titull. Versioni spanjoll i këngës “Histori” (“Historias”) ia hap në të dy kanatet dyert e tregut jugamerikan: Anna kalon pothuajse një vit në Kili, Argjentinë, Uruguaj dhe Meksikë. 1999-a është viti i triumfit në Festivalin e Sanremos me “Pa mëshirë”, fitorja e parë si soliste e Annës pas asaj ‘në duet’ me Fausto Leali-n. Dd-ja “Pa mëshirë”, dhjetë këngë të pabotuara mes të cilave dueti “Duke ecur, duke ecur” me Cheyenne-n, është prodhuar nga Fio Zanotti.

Album i ri, “Lëvizja e përjetshme”, dhe pjesëmarrje tjetër në Sanremo me këngën me të njëjtin titull: është viti 2001 dhe disku karakterizohet nga një kërkim i fortë i ritmit, falë bashkëpunimeve me artistë ndërkombëtarë si Wil Malone dhe Tony Levin. Po më 2001-shin është protagoniste e spektaklit të Giorgio Panariello-s “Kthehem të shtunën”. Në vitin 2003 merr pjesë për herë të dymbëdhjetë në Festivalin e Sanremos me këngën “Do të ndryshoj”, kënga e parë e nxjerrë nga albumi i saj i ri “Kam një ëndërr”, i përkufizuar si disku i jetës së saj, sepse të gjitha këngët tregojnë odisenë intime të Annës në rrugën e vështirë të jetës së vet.

Burimi: Gazeta-Shqip.com

Po vjen koha që femrat në vendin tonë do të shkojnë të kërkojnë dorën meshkujve për t’u martuar

 

Nga Anisa Bega

Teknologjia kudo në botë po i largon njerëzit, duke i bërë më shumë dembelë për të bërë gjëra në jetën reale. Virtualiteti si sëmundje po i pushton të gjithë dhe një gjë që më ka rënë në sy është iniciativa që kanë meshkujt sot për të ngacmuar, propozuar dhe marrë vendime për dikë që pëlqejnë. Shkrimet i bëj pasi nxitem nga realiteti, pa i zbukuruar gjërat dhe i shtuar doza negativiteti. Nuk po mbaj as anën e femrave, por as të meshkujve, pasi çdo gjë është shkak-pasojë për të dyja palët.

Vitet e fundit kam vënë re nga ana e femrave një zhgënjim të madh ndaj meshkujve, të cilët nuk marrin guximin të të ftojnë as në kafe. Mjafton një add në Facebook, ose follow në Instagram dhe çdo gjë nis dhe mbaron aty. Nga ana tjetër, dëgjoj meshkuj që ankohen se femrat janë bërë të vështira, materialiste, etj. Lind pyetja: Po si do shijohet dashuria, ndjenja më e bukur në botë, derisa të zgjidhen këto probleme?!

Anisa Bega

Fajësojnë njëri-tjetrin dhe në fund përfundojnë jo të lumtur, nuk i shprehin ndjenjat e tyre dhe mbyllen në atë botën e ankesave, ku merr vetëm dëshpërim dhe energji negative. Disa mikesha të cilat janë beqare më kanë thënë që kur dalin edhe për jetë nate, lyhen, bëhen seksi, flirtojnë por në shumicën e rasteve asnjë mashkull nuk merr guximin t’i ftojnë për ndonjë kërcim dhe të krijojnë ndonjë njohje.

Njëra më tha: “Më ka marrë malli të ndihem ‘pjeshkë’, të vij dikush dhe të më ngacmojë”.

Madje te brezat e mëparshëm kanë pasur lezet mbrëmjet e vallëzimit, pasi njiheshin me njëri-tjetrin me mundësitë që kishin dhe kënaqeshin më shumë. Si shprehja e njohur: “O goce a ka mundësi një minutë?”

Ndërsa tani, oraret e daljes janë më të gjata, mundësi komunikimi kemi më shumë, por veprimi është shumë i ulët.

Një tjetër femër më tha: Kishte lezet kur të ngacmonin edhe në rrugë kur shkojë blije bukën të lagja dhe të thonin ndonjë kompliment. Ndërsa tani, kemi tangërllik dhe rrallë herë të bëjnë ndonjë kompliment.

Para disa kohësh bëra një pyetje në rrjetet e mia sociale: Nëse do duhej të shkonin në luftë për të mbrojtur vendin, sa prej meshkujve do ishin të gatshëm? Kisha shumë mesazhe nga femrat, të cilat ankoheshin pafund për guximin e meshkujve, madje njëra më shkruajti këtë: “Këta nuk marrin guximin për t’u martuar dhe jo më të shkojnë në luftë”.

Besoj se po vjen dita që femrat në Shqipëri do shkojnë t’i kërkojnë dorën familjes së mashkullit për t’u martuar. Ndoshta do dali si modë dhe mesa duket është drejt asaj rruge për t’u bërë realitet. Shprehini ndjenjat tuaja pa e menduar frikën e refuzimit. S’ka gjë më të keqe se të ndjesh diçka dhe të druhesh të veprosh. Gëzuar!