Jani Kaçi: Nuk thamë të vërtetën për Skënderbeun, politika e do futbollin si dashnore për një natë…

Jani Kaçi ndihet shumë keq kur shikon se çfarë po ndodh me Skënderbeun. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai deklaron ndër të tjera se në këtë situatë nuk janë fajtorë vetëm ata që drejtojnë klubin prej vitesh. Legjenda e portës korçare është kundër idesë për ndryshimin e emrit të klubit, ndërsa bën një thirrje të ndjerë.

Profesor Kaçi, si e shikoni situatën ku ndodhet Skënderbeu pas lënies në fuqi të dënimit nga UEFA dhe a mendoni se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë që ndodhi?


Unë nuk dua të merrem me ata që kanë përgjegjësitë, duke bërë në këtë mënyrë avokatin apo gjyqtarin e tyre, por në këto momente i bëj thirrje edhe vetes sime dhe të gjithë atyre që kanë ndjenjë qytetare, por edhe profesionale, që të jenë të gatshëm për ta ndihmuar këtë Skënderbe. Të jemi të gatshëm ta nxjerrim nga ky kaos që e ka përfshirë. Me apo pa të drejtë, këtë nuk mundem ta them, veçse unë personalisht dua t’i gjendem Skënderbeut dhe Korçës. T’i gjendem edhe presidentit Takaj, që në këtë moment të vështirë e kanë lënë vetëm.

Pse mendoni se e kanë lënë vetëm?

Të gjithë së bashku duhet t’i zgjidhim problemet e Skënderbeut, jo vetëm ai. Kjo, pasi të gjithë jemi fajtorë.

Pse ndiheni fajtorë?

Jemi fajtorë, sepse nuk kemi thënë të vërtetën. Në të kundërt nuk do të kishim arritur këtu, kështu që na del për detyrë që të gjithë ta ndihmojmë Skënderbeun.

Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja më e mirë?

Zgjidhja më e mirë për momentin është organizimi me njerëz që kanë ndjenjë dhe profesionalizëm, jo militantizëm.

Është diskutuar gjatë për ndryshimin e emrit të klubit dhe për ta nisur gjithçka nga e para. Si ju duket kjo ide?

Unë kam qenë dhe jam me mendimin që Skënderbeu është dhe do të mbetet i tillë nga viti 1909. Vitin e kaluar ishte 120-vjetori i klubit, paçka se u harrua. U harruan brezat e të rinjve korçarë që kontribuuan në ngritjen e Skënderbeut. Prandaj, unë them që klubi duhet të mbajë atë emër dhe të vazhdojë, sepse ka një histori 120- vjeçare. Mendoj se kjo është një histori e lavdishme. Një gjë të tillë ia kam thënë edhe presidentit Takaj, pra nuk është e udhës që të bëjmë ndryshim emri. Edhe ai vetë ka qenë i këtij mendimi.

Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.