Pas Bjellorusisë, Shqipëria kërkon 3 pikë …Balaj dhe Roshi: Të kënaqur me 3 pikët, mendojmë për Lituaninë

Dy kuqezinjtë e kombëtares shqiptare të futbollit, Bekim Balaj dhe Odise Roshi kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për shtyp pas rikthimit në Shqipëri.Interesimit të gazetarëve i janë përgjigjur të dy shokët e kombëtares, të cilën u shprehën të lumtur për 3 pikëshin e marrë në transfertën e Bjellorusisë teksa tani mendja është te kundërshtari i radhës.

Bekim Balaj në fjalën e tij theksoi:

– “Ajo që na ngroh të gjithëve është 3 pikëshi që morëm, fitorja jashtë fushe na jep moralin e duhur për fillimin e këtyre eliminatoreve për Nations League. Mendoj që jemi në rrugën e duhur me atë fitore që arritëm.Pas dy ditësh kemi ndeshjen tjetër dhe ndoshta nuk kemi dhe shumë kohë të gëzohemi. Të mendojmë për 3 pikëshin e radhës.” Titullar në ndeshje?-

“Sigurisht që dëshira e të gjithëve është ta nisim ndeshjen titullar por që kjo nuk varet nga ne, janë zgjedhjet e trajnerit.Në fund të fundit arritëm fitoren dhe kjo na lë të kënaqur të gjithëve. Pak rëndësi ka sa minuta na jepet mundësia, të paktën në aspektin personal them gjithmonë, jam i gatshëm për të dhënë më të mirën për ekipin kombëtar.”

Një gol në “Air Albania kundër Lituanisë- “Dëshira është e madhe të shënosh për ekipin kombëtar, pak rënëdësi ka ku shënon, por siç thatë dhe ju, në stadiumin tonë të bukur tashmë, nuk kemi arritur akoma të gëzohemi me një gol. Për fat të keq në këto ndeshje mungojnë dhe tifozët dhe gëzimi i golit nuk është i njëjti sikur të jenë dhe tifozët por që këtë ndeshje, e rëndësishme është ta fitojmë. Dëshira është e madhe ta fitojmë por në fund pak rëndësi ka kush shënon.”

Edhe Odise Roshi u shpreh i kënaqur me fitoren e kombëtares mbrëmjën e djeshme: “Është një kënaqësi të nisësh me një 3 pikësh në Bjellorusi, nuk ishte e lehtë, ishte ndeshje e vështirë, por ekipi ka bërë një ndeshje shumë të mirë dje. Tani pas dy ditësh kemi një ndeshje tjetër me Lituaninë, nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin. Të marrim dhe një 3 pikësh tjetër dhe pastaj të shikojmë për ndeshjet e radhës.”

Vendi i titullarit? – “Besoj se çdo lojtar do të luajë nga fillimi, është normale, por gjithmonë e kemi thënë në çdo lloj interviste, sa herë na jepet mundësia, të gjithë lojtarët, edhe unë jap 100% në fushë, bëjmë detyrën, pastaj është trajneri që e vendos se kush luan dhe kush nuk luan.

Por kënaqësia është gjithmonë që të luash nga filimi. Unë bëj më të mirën, kam dëshirë të luaj nga fillimi si çdo lojtar por kur na jepet mundesia japim maksimumin për kombin tonë, luajmë në radhë të parë për veten, familjen pastaj për të gjithë shqiptarët.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: