U përfshi sherr duke nxjerrë armën pa treguar që ishte punonjës policie/ Procedohet penalisht 21 vjeçari në Korçë

Një efektiv policie 21-vjeçar me inicialet E.J është përfshirë në një sherr të ndodhur midis një grupi të rinjsh në Korçë, teksa ishte jashtë shërbimit. Ai ka ndërhyrë duke i nxjerrë armën, por nuk i është prezantuar si efektiv personave. I riu nuk ka deklaruar as ngjarjen, gjë që ka çuar në procedimin penal të tij për “shpërdorim detyre”. Është proceduar penalisht po ashtu edhe një prej personave të përfshirë në sherr, A. K., i cili ka dëmtuar me sende të forta E.Sh, 23 vjeç, banues në Korçë, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës Tiranë.

Njoftimi i Plotë:


Në vijim të informacionit paraprak datë 09.10.2021, i cili bën fjalë për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 17, Korçë, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) filluan procedimin penal për veprën “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasin A. K., 22 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll dhe për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin E. J., 21 vjeç, banues në Korçë (me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit Korçë).

Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetasi A. K., gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjete të forta shtetasin E. Sh., 23 vjeç, banues në Korçë, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa punonjësi i policisë, E. J., duke qenë jashtë shërbimit, është përfshirë në këtë konflikt ku ka nxjerrë armën e shërbimit, pa u prezantuar si punonjës policie dhe gjithashtu nuk ka kryer raportimin e ngjarjes.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: