Universiteti i Korçës nuk do nxjerrë me Sokratë…

Nga Daniela Zisi :

Asnjë maturant nuk zgjedh filozofinë,drejt mbylljes edhe ekonomiksi dhe matematikë-fizika. Në mungesë të vullnetit për ta reformuar kohë më parë Universitetin e Korçës përmes profilizimit dhe ndërkombëtarizimit,duket se reformimi po nis si një proçes që po e dikton oferta dhe cilësia e saj, e cila përmbush jo mjaftueshëm interesin e të rinjve të juglindjes për tu shkolluar.

Deri tani,kur janë rregjistruar gati 80% e maturantëve,disa programe të Universitetit “Fan Noli” nuk kanë asnjë ose 1 deri 2 maturantë të rregjistruar dhe në këto kushte këto programe nuk mund të mbahen hapur.

Asnjë maturant nuk ka zgjedhur programin e filozofi-sociologjisë dhe ekonomiksit dhe për fat të keq matematikë- fizika dhe matematikë- informatika kanë deri tani 1 ose 2 rregjistrime, çfarë do tē sjellē nē mënyrë tē pashmangshme mbylljen e tyre. Në nivele të tilla të ulëta vijojnë të mbeten edhe programet dy vjeçare,të cilat mbahen hapur për të plotësuar orët e mësimit të pedagogëve.

Edhe programi i ri gjuhë- letërsi shqipe dhe gjuhë pakicash,rezultoi një dështim dhe do mbyllet pa u hapur mirë.

Universiteti i Elbasanit hapi para disa vitesh një program të ngjashëm për gjuhën dhe kulturën rome, por e mbylli. Po ashtu u mbyll edhe programi i pakicave në Universitetin e Shkodrës,për shkak të interesit të pakët të maturantëve.


Por,këto eksperienca as që konsiderohen nga Universiteti i Korçës.

Hapja e programeve të rinj si ky i gjuhës së pakicave, ku janë rregjistruar vetëm 2 maturantë,tregon që vendimmarrjes i mungon qartazi analiza, statistika,argumenti,perspektiva dhe vizioni,duke shpërfillur kërkesat e tregut dhe detyrimin për të ofruar programe të vlefshme për të rinjte.

Herët a vonë reforma në Universitetin e Korçës ka për të vijuar,e plotë,e thellë dhe e pakthyeshme. Reforma duhet të ndajë përfundimisht këtë aset rajonal dhe kombëtar nga statusi si NRGJ politike,që i vetmi punim shkencor që do tu mbahet mend, është manuali “Si të humbësh zgjedhjet”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: