“Po bëhet djalë i mirë, jo agresiv”, mjeku i njohur imazherist jep lajmin e mirë: Virusi nuk po prek më…

Mjeku Renato Osmënaj ka dhënë një lajm të mirë në lidhje me përhapjen e COVID-19 në organizëm duke shprehur se kovid-19 po zbutet. Ai shkruan se lajmi i mirë është se graviteti i sëmundjes ka rënë ndjeshëm dhe nuk po gjejmë prekje pulmonare!

“Lajm i mirë! Ajo ç’po kuptoj sot nga egzaminet e të sëmurëve të ditëve të fundit është se, Graviteti i sëmundjes ka rënë ndjeshëm dhe nuk po gjejmë prekje pulmonare! Virusi po bëhet djal i mirë, jo agresiv! Prapë imazheria! Ju kam shumë xhan, bashkë ja kemi dalë!”, shkruan mjeku.

Kushtet e sigurisë dhe çmimet e reja të shërbimeve në klinikat dentare

Duke nisur nga dita e nesërme (e hënë, 11 maj) lejohet hapja e klinikave dentare, sigurisht nën masa të rrepta sigurie. Mjekja stomatologe Stela Panteqi u shpreh për ABC News se do të veprohet si në vijim:

Do të vendosen orare paraprake me pacientët, në mënyrë që të shmanget radha e pritjes;
– Dezinfektimi do të aplikohet si më parë, por do të shtohen veshje mbrojtëse shtesë;
– Disa nga veshjet janë: kapuça për kokën dhe këmbët, veshje për të gjithë trupin;
– Klinikat do të pajisen me aparatura për mbajtjen e temperaturës.

Veshjet mbrojtëse do të sigurohen nga mjekët stomatologë, një kosto kjo e shtuar. Maskat kushtojnë 400-500 lekë, veshjet e këmbëve 500-700, mantelinat e kokës 700 lekë etj. Nisur nga kjo, ajo tha se kostoja do të reflektohet edhe te pacientët. “Duhet të jemi koshientë që është një kosto shtesë kjo që i shtohet shërbimeve dentare,” u shpreh Panteqi.

Kujtojme qe Dita e nesërme, 11 maj, shënon lehtësimet e reja të vendosura për hapjen graduale të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e koronavirusit. Nga nesër vendit i shtohen edhe 14 zona të reja të gjelbra, konkretisht Lushnje, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës, Kavajë dhe Vorë me të njëjtat rregulla.Gjithashtu në këto zona ka dhe një zgjatje të fashës së orarit për të lëvizur nga ora 05:00-21:00.

Nga data 11 maji do të hapen edhe blloku i tretë i bizneseve duke lejuar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.Një tjetër ndryshim është edhe me karantimin e të riatdhesuarve, ku nuk do të ketë më hotele karantinë, por të gjithë shqiptarët e ardhur në vendin tonë do të karantinohen në banesat e tyre.

Po çfarë nuk lejohet ende? Në lidhje me grumbullimet mbeten në fuqi rregullat se nuk lejohen qëndrimi me më shumë se 5 veta, aktivitetet kulturore dhe sportive të çdo lloji dhe transporti publik si dhe njësitë ekonomike ende të mbyllura.

Çfarë lejohet nga 11 maji

-Shtohen 14 zona të gjelbra

-Hapen parukeritë, berberët, klinikat dentare dhe dyqanet në qendrat tregtare

-Në zonat e gjelbra shtohet fasha e orarit nga ora 05:00-21:00

-Të riatdhesuarit karantinohen të gjithë në banesat e tyre

Çfarë nuk lejohet ende pas 11 majit

-Blindohen me postblloqe 6 zonat e kuqe

-Nuk lejohen kalimi nga zona e kuqe në atë të gjelbër

-Nuk lejohen grumbullimet

-Janë të ndaluara aktivitetet sportive e kulturore

-Nuk lejohet transporti publik

-Nuk lejohet hapja e aktiviteteve që nuk janë të përcaktuara në listën e 11 majit

Sezoni turistik, Greqia do të hapë kufirin me Shqipërinë

Vendet e Ballkanit po koordinohen për të hapur kufijtë rajonale me qëllim udhëtimet në sezonin e verës.
Për Greqinë kontributin më të madh për turizmin këtë verë do ta japin vendet e Ballkanit. Turistët shqiptarë, maqedonas dhe serbë konsiderohen të parët, të cilët do të pushojnë në brigjet greke, pasi nuk nevojitet të udhëtojnë me avion.

E gjithë kjo, sigurisht, presupozon që kufijtë do të hapen së shpejti shoqëruar me një plan për mbrojtjen e shëndetit.

Qeveria greke po punon për hapjen e vendkalimeve kufitare në fund të majit. Zëvendës ministri i Brendshëm, Theodoros Karaoglou, i ka propozuar me shkrim qeverisë hapjen e menjëhershme, si fazë të parë të katër pikave të kalimit kufitar, përkatësisht: pikën e Kapshticës, një pikë kalimi me Turqinë, një me Maqedoninë e Veriut, si dhe me Serbinë, duke vendosur në dispozicion 24 orë inspektimet shëndetësore.

Sipas qeverisë greke përveç turistëve vendas, këtë verë do pushojnë si fillim ata nga vendet fqinje, dhe më pas vendet me distanca të mesme dhe ato me distanca të gjata.

Ja kur nis plazhi në Shqipëri, si do vendosen çadrat dhe distanca mes pushuesve

Në fund të Majit pritet hapja e plazhit për të gjithë pushuesit. Në një intervistë për Tv Klan, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Kornelia Ferizaj, thotë se në bashkëpunim me strukturat akomoduese edhe me subjektet e plazhit janë marrë masat për distancimin fizik.Në plazhet ku çadrat do të jenë 3.5 metra larg njëra tjetrës do të jetë vrojtuesi i plazhit ai që do të merret me zbatueshmërinë e masave.

Edhe në ujë pushuesit nuk do të lejohen më afër se 3.5 metra.

Në strukturat akomoduese, ushqimi nuk do të jetë me vetëshërbim, por çdo pushues do i serviret në dhomën e hotelit.

Ndërsa koordinatori shëndetësor do të merret me matjen e temperaturës në mëngjes dhe darkë për turistët e hotelit.

Rifillimi i futbollit, Duka: Nëse nuk nis me 1 qershor, më mirë ti themi stop sezonit…

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është shprehur se stërvitjet të paktën duhet të nisin deri më 20 maj në mënyrë që kampionati të rinisë në fillim të qershorit.Duka në një intervistë të dhënë për “Klan TV”, shprehet se në rast se kampionati nuk rinis deri në fillim të qershorit e mira do ishte të mbyllej fare ky sezon pasi nuk do kishte më vlerë.

“E mira do ishte të rinisim stërvitjen të paktën deri më 20 maj, për të pasur më shumë kohë për lojtarët. Ne kishim një plan që të nisnim stërvitjen më 2 maj dhe kampionatin më 20 maj, por për këtë as nuk morëm asnjë përgjigje. Ne i kemi planet çfarë do që të ndodhë, është menduar edhe elîminimi i Kupës dhe në rast se kjo ndodh do të shkojnë 4 vendet e para në kampionat në Kupat e Europës.

E mira është që ne të fillojmë deri në fillim të qershorit, por nëse nuk fillojmë deri në 1 qershor, më mirë të themi stop. I bie të bëjmë ndeshje çdo 48 orë. Është thuajse kot. E mira është që të kemi filluar deri në fillim të qershorit dhe ekipet tona të jenë të përgatitura për ndeshjet e Kupave të Europës në gusht.

Në Shqipëri nëse shikojmë skuadrat dhe lojtarët që kanë, do thonim se Kukësi duhet të jetë në vend të parë, pasi ka lojtarët më të paguar në Shqipëri, por është 9 pikë pas Tiranës.”, u shpreh Duka.

“Nuk do qëndrojmë më në karantinë”, kryeministri Conte zbulon planin për pushimet në Itali

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka dhënë një lajm shumë të mirë për qytetarët e vendit të tij, të cilët prej pothuajse 3 muajsh qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të pandemisë së koronavirusit.E ndërsa temperaturat rriten dhe njerëzit po mendojnë përditë e më shumë për plazhin, kreu i qeverisë italiane dhe një përgjigje të shumëpritur për të gjithë.

Këtë verë nuk do të qëndrojmë nëpër ballkone dhe bukuria e Italisë nuk do të mbesë në karantinë. Mund të shkojmë në det, në male, të shijojmë qytetet tona, por edhe nëse do ta bëjmë këtë gjë do të duhen rregulla dhe kujdes”, u shpreh Conte duke shtuar se muajt e ardhshëm do të jenë shumë të vështirë.

I pyetur nga gazetarët, kryeministri Conte foli dhe për krizën ekonomike që pritet të godasë Italinë dhe jo vetëm. “Do të kemi një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pasojat ekonomike do të jenë shumë të dhimbshme”, nënvizoi ai.

Zone e gjelber/Nga neser ,qytetarët në Korçë mund të qarkullojnë lirisht pa patur nevojën e lejeve

Nga dita e hënë (11 maj) listës së zonave të gjelbra do t’i shtohen edhe 14 bashki në vendin tonë, çka do të thotë se qytetarët mund të qarkullojnë lirisht pa patur nevojën e lejeve.Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbërta me automjet privat.

Siç jeni në dijeni nga dita e hënë, 11 Maj do të ketë një tjetër lehtësim masash. Nga nesër shtohen si zona të gjelbërta bashkitë:Korçë, Lushnje, Patos, Roskovec, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrez, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejes, Kavajë dhe Vorë, me të njëjtat rregulla. Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbërta me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njejtës familje, deri në orën 21:00. Po kështu, lejohen të ushtrojnë veprimtarinë sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregëtare”, tha Gentiana Qirjako nga ISHP.

COVID-19/ 12 RASTE TË REJA, SHKON NË 868 NUMRI I TË PREKURVE NË VEND

Ka shkuar në 868 numri i personave të prekur nga koronavirusi në vendin tonë.Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet me 12 raste pozitive.Të shpërndara 8 raste në Tiranë, 2 në Kamëz, 1 në Krujë dhe 1 në Fier .Në vendin tonë janë 187 pacientë aktive dhe pjesa më e madhe po ndiqet nga mjeku i familjes.Juglindja e vendit vazhdon të ketë 1 person pozitiv Covid-19 të vetëizoluar në shtëpi.Numri i testeve ne total ne Qarkun e Korçes eshte 247(dje ishte 246).

Dr. Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet:

Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.Në 24 orët të fundit janë testuar 170 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 12 qytetarë, kontakte të rasteve të mëparshme. Shpërndarja e të prekurve me COVID19 është si vijon: 8 raste në Tiranë, 2 në Kamëz, 1 në Krujë dhe 1 në Fier. Të shëruar janë 23 qytetarë.

Gjatë ditëve të fundit kemi një përmirësim të situatës edhe në spitale. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive, dhe prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete.Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 868 qytetarë. Prej tyre 650 qytetarë ose rreth 75% janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.

Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.Siç jeni në dijeni nga dita e hënë, 11 Maj do të ketë një tjetër lehtësim masash. Nga nesër shtohen si zona të gjelbërta bashkitë: Lushnje, Patos, Roskovec, Korcë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrez, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejes, Kavajë dhe Vorë, me të njëjtat rregulla.

Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbërta me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njejtës familje, deri në orën 21:00.Po kështu, lejohen të ushtrojnë veprimtarinë sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregëtare.Duke filluar nga data 11 Maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë.

Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (10 Maj 2020)
Teste të kryera 10438
Raste pozitive 868
Raste të shëruara 650
Raste Aktive 187
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 87
Krujë 58
Shkodër 16
Kamëz 11
Fier 5

Kurbin 3
Elbasan 3
Mirditë 1
Berat 1
Durrës 1
Korçë 1

Teoritë konspirative Pandemia është shkaktuar qëllimisht, për të kontrolluar popullin

Disa politikanë gjermanë kanë shprehur shqetësimin, se teoritë konspirative mbi pandeminë e Coronës kanë mbërritur ndërkohë në mesin e shoqërisë gjermane. Ata kërkojnë kundërvënien ndaj informacioneve të rreme.Disa politikanë gjermanë kanë paralajmëruar në fundjavë nga shtimi i teorive konspirative në kohët e koronës.

Përfytyrimi, se pandemia është shkaktuar qëllimisht, për të kontrolluar popullin, dhe se pas kësaj fshihet Bill Gates apo fuqi të tjera të errëta, po arrin deri në mesin e shoqërisë”, i tha ministri i Punëve të Brendshme të landit të Tyringisë, Georg Maier (SPD) revistës gjermane “Der Spiegel”. “Në këtë pikë protesta kthehet shpejt në antisemitiste.”

Shqetësim përbëjnë për kreun e Konferencës së Ministrave të Punëve të Brendshme të Landeve” gjermane edhe demonstratat aktuale. “Kur njerëzit ushtrojnë kritikë, natyrisht që nuk ka asnjë problem”, tha Maier. “Ajo që na alarmon është përpjekja e ekstremistëve për të marrë peng protestat.” Politikani socialdemokrat kërkon ta vërë këtë temë në axhendën e takimit të ardhshëm të ministrave të Punëve të Brendshme.

Luftë informacioni në mbarë botën

Kurse senatori për çështjet e brendshme, Andreas Geisel, SPD tha për të ashtuquajturat demonstratat e higjienës. “E rrezikshmja aty është që këta persona arrijnë edhe njerëz që janë besnikë të kushtetutës.” Ata instrumentalizohen kështu për përhapjen e teorive konspirative.

Markus Kerber, sekretar shteti në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme vëren „një luftë informacioni në mbarë botën” për shkak të pandemisë. Po ashtu vihet re edhe një rritje e dezinformimit e propagandës nga jashtë. Ndërkohë teoritë konspirative përhapen edhe brenda vendit. „Kundër kësaj ne duhet të veprojmë me fakte, transparecë dhe mbrojtjes e shkencës”, tha Kerber. Krizat afatgjata janë terren i mirë ushqyes për teoritë konspirative.

/DW/

Ekspertët më të mirë gjermanë: Izolimi ishte një gabim gjigand, nuk ka rrezik për një valë të dytë infeksioni

Ekspertët më të mirë gjermanë deklarojnë se izolimi ishte një gabim gjigand. Ata theksojnë se nuk ka rrezik për një valë të dytë infeksioni.
Gjermani- Shteti gjerman ka ndërmarrë shumë masa lehtësuese sa i përket gjendjes së pandemisë. Ndërkohë vend raportohet çdo ditë për të infektuar dhe viktima dhe dëmet në ekonomi nuk janë të pakta. Tani pyetje që lind është: “A duhej një izolim i tillë?”Për këtë pyetje ka bërë një artikull së fundmi media gjermane “Bild”, ku ekspertët shprehen se izolimi ishte një gabim i madh.

Klaus-Dieter Zastrow, 70 vjeç, nga Instituti i Higjienës në Berlin shprehet se mbrojtja e gojës dhe hundës e mbyll burimin më të rëndësishëm të infeksionit dhe kështu mbron jo vetëm palët e treta, por edhe vetë bartësin. “Nëse e zbatojmë në mënyrë korrekte dhe të vazhdueshme këtë, nuk ka asnjë rrezik. Nuk ka asnjë rrezik nga një valë e dytë e virusit. Ajo është vetëm fantazi.”, shprehet ai.

Por, ai kërkon që të zbatohen rregullat për masat e higjienës dhe të mbahen maskat.
Ndërsa, Patricia Riekel thotë se Gjermania duhej të kishte ndjekur modelin suedez. “Unë jam në favor të rrugës suedeze, me rekomandime për të ruajtur distancën”, tha ajo.

Profesori Stefan Homburg, drejtor i Institutit për Financat Publike në Universitetin e Hanoverit është më specifik. Ai thotë se ky izolim ishte gabim gjigand. “Për shkak se dëmet shtohen çdo ditë, izolimi duhet hequr menjëherë. Askujt nuk i duhen stadiumet bosh dhe restorantet gjysmë të mbushur”., shprehet ai. Sakaq, profesori i të drejtës ligjore, Hans-Juergen Papier thotë se masat shkuan shumë larg dhe se ato duheshin diskutuar në mënyrë të gjerë në parlament dhe publik. “Duhej balancuar mbrojtja e jetës dhe shëndetit me mbrojtjen e të drejtave dhe statusin kushtetues nga ana tjetër”, thotë ai. Por një deklaratë që nuk pritej ka bërë profesori Klaus Pueschel, ekspert i mjekësisë ligjore, pasi shprehet se COVID-19 është një sëmundje virale si gripi.

Burimi: Bild.de

Reportazhi i studjuesit italian: Manastiri i Shën Naumit, Pogradeci mbi liqenin e kristaltë

Memorie.al publikon dy reportazhe të rralla dhe panjohura për manastirin e famshëm të Shën Naumit, të botuara në vitin 1942 në revistën e përmuajshme “Drini”, që nxirrte Enti Kombëtar i Turizmit në Shqipërinë e asaj kohe. Si e përshkruan studiuesi italian i historisë, Roberto Lafranceska, vizitën në atë objekt kulti ku ai mbeti i mahnitur dhe reportazhi i prof. Petraq Pepo, një nga njohësit më të mirë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në periudhën e Monarkisë. Befasia e gazetarit italian për veshjet e kostumet popullore që shikonte aty, ku ai u mahnit për atë të fshatit Dardhë, ku midis të tjerash shkruan: “Ndërmjet gjithë këtyne veshjeve me dëndësin ma të madhe u dukën gratë e bukura të Dardhës.

Dardha asht nji katund i vogël e malor i Shqipnis së jugut. I dallojshim menjëherë në gjith at grumbull veshjesh të shumta. Që të gjitha të bukura e madhështisht të veshura e të denja me u quejt princesha. Njena prej tyne kishte edhe një çupkë të vogël e lesh-verdhë si ari, me sy të kaltër si të gjetun në fundin e oqeaneve të pafund, e veshun dhe ajo me kostumin e bukur të katundit”.

Nga Dashnor Kaloçi

Ndërsa ke lënë pas kthesat gjarpëruese të Qafë Thanës dhe befas përpara syve si në magji të shfaqet me një bukuri përrallore sipërfaqja e kristaltë e liqenit të Pogradecit, në të majtë të rrugës, rrëzë një kodrine, duken disa shtëpia të vogla të cilat janë të vendosura deri mbi buzën e ujit mbi liqen. Ai është fshati Lin. Jo shumë larg prej atij fshati, banorët e të cilit janë të njohur më së shumti si peshkatarë të zot, në një rrip toke fare pranë bregut të liqenit, ndodhet manastiri i famshëm i Shën Naumit. I cili ka qenë dhe mbetet një objekt kulti nga më të frekuentuarit jo vetëm prej shqiptarëve, por edhe pothuaj prej pjesës më të madhe të popujve të Ballkanit jugor.

Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga dy reportazhe të botuara në vitin 1942 në revistën e përmuajshme “Drini”, që nxirrte asokohe Enti Kombëtar i Turizmit në Shqipëri, të cilat kanë për autorë, studiuesin italian të historisë, Roberto Lafranceska dhe profesorin e famshëm me origjinë nga qyteti i Korçës, Petraq Pepo, një nga njohësit më të mirë të trashëgimisë kulturore në Shqipërinë e atyre viteve. Në të dy këto reportazhe, të cilat më së shumti janë shkrime studimore për historinë e atij objekti të famshëm kulti, nxirret në pah edhe frekuentimi i tij i madh nga turistët dhe besimtarët e shumtë shqiptarë.

Por koha kur besimtarët dhe turistët shqiptarë dyndeshin mbi atë manastir, tashmë i përket së shkuarës dhe ajo gjë ka mbetur vetëm në kujtesën popullore, pasi që nga viti 1943, ai vënd ndodhet jashtë kufijve politikë të shtetit tonë. Sidoqoftë, këta dy reportazhe të cilat po i publikojmë të plota dhe pa asnjë ndryshim, i bëjnë një retrospektivë asaj periudhe kohe, e cila që për 45 vite me radhë i’u është mohuar me pa të drejtë shqiptarëve të atdheut amë.

Shkrimi i Roberto Lafrancesko në revistën “Drini”: Manastiri mbi liqen

Në skajin jugor të liqenit të Pogradecit gjindet një manastir. Në Shqipni e njofin të gjithë, edhe ai që vjen për të parën erë merr lajmin e qenies së një manastiri; a shkon në Pogradec? Ka për të pa një manastir, manastirin e Shën Naumit! Kështu ju pyesin dhe ju përgjigjen. E mbasi kalohet brryli i parë i Qafës së Thanës, prej së largeti duket sipërfaqja kristalin e liqenit e shikimi ndalohet me një herë përballë një bishti mali, ku janë vendosur shtëpijat e vogla të katundit të bukur e me një emën tingëllueshëm: Lin, katund peshkatarësh. E rreth bregut të liqenit shëtit deri sa takon manastirin e Shën Naumit.

Manastiri asht pak larg por megjithatë e shifni shumë shpejt qe prej atij çasti ai bahet qëndër shëtitjeje e pelegrinazh turistik me plot arsye të drejta. Një prej ditëve të prandverës u gjinda në liqen. Në atë prandverë shqiptare që asht mallëngjimi i ngjyrave të të shumta të natyrës. Mbas një udhëtimi të shkurtër u ndodha në qytetin e Pogradecit të mbuluem me gjelbërime, me shtëpija të hijshme. Por qëllimi ishte manastiri; e me maqinë gjithnjë vazhdova udhëtimin përtej shtëpijave të Pogradecit. Për një pjesë rruge, të pengueme nga gjelbërima e shpeshtë e humbën pamjen e manastirit, si nuse e re që mshehet nën velin e saj nga turpi.

E përpara nesh nuk zbret tjetër veçse rruga e vetme e popullueme në dy anët e saj me buaj bullica të zhytun deri në fyt në baltë. Shpejt arritëm në kodrinat që i kalojmë shpejt e shpejt njena mbas tjetrës deri në brrylet e fundit prej ku si për mrekulli na duel përpara manastiri i Shën Naumit, që i kthehesh pa prit shikimit të fantazis s’onë.

“Grumbuj vizitorësh në ditën e Shenjtit”

Nji mik shqiptar na shoqnonte ato ditë, e na të dy mbetëm gjithë ditën aty; e manastiri gjith vitin mbet i pabanueshëm tue përjashtue ditën e festës së shenjtit që vizitohet prej grumbuj e grumbuj vizitorësh. Hymja kryesore asht prej bronzi, mu në mes të oborrit, i rrethuem nga ndërtesat e manastirit të caktuam për strehimin e miqve që e vizitojnë nji herë në vit, ashtu ndërtesa e vorrit të shenjtit. Asht nji ndërtesë e vogël në stilin bizantin e prarueme nga dielli dhe e randueme nga koha. Në të, pushojnë eshtrat e të shenjtit qysh prej dhjetë shekujsh, mbas lodhjeve të shumta të shëtitjeve të shenjta fetare, mbasi predikoi për një kohë të gjatë në të gjithë Ballkanin fen e Krishtit. Qysh prej shekujve, fytyrat e të shenjtëve të tjerë ruejn varrin e tij.
E në këto faqe muresh asht shpirti i vërtetë i manastirit, asht qendra ku konvergojnë mija e mija peligrinësh nga të gjitha anët e Shqipnisë.
Ma pleqtë do t’u flasin mbi kët pelegrinazh të kryem nga etnit e tyne. Nji katundar plak më tregoi vizitat që i ka ba manastirit në rinin e tij, përpara se të emigronte në Rumani. “Hajdutët-zotni më thonte-nuk sulmojshin kurrë peligrinët që shkojshin e vijshin nga i shenjti, gratë t’ona udhëtojshin pa frikë, ditë e natë, pa asnjë frigë sepse ata i respektojshin”.

E si gjithmonë edhe sivjet të gjithë shqiptarët nga të katër anët e Shqipnis vrapuen për me e nderue të shenjtin për ditën e tij, nderim që shpërthej në nji festë me karakter kombëtar. I gjithë manastiri u shpirtnue, u gjallnue. Nga malet, nga fushat, nga katundet, nga qytetet, nga kishat, nga xhamijat, shqipot vrapuen tek Shën Naumi, me të gjitha mjetet e lëvizjes, me makina, me qerret, me barkat karakteristike, në shpinë të mushkave e deri në këmbë, në vargje të pa mbarueshme ecshin njerëzit e kërrusun nga pesha e dhuratat që i çojshin të shenjtit, i pasuni dhe i vobekti. E në pak kohë u shumzuen, u ba një lumë njerëzish që shpertheu nga oborri deri në kodrën e vogël ku pushojnë eshtrat e shenjtit.
Veshjet e gjallnueme e shumë ngjyrshe të krahinave të ndryshme i jepshin një harmoni të posaçme ngjyrave të hijshme të natyrës.

“Kostumet e grave të Dardhës, si tonat në Val d’Aosta”

I pakufizuem numri i lojnave të veshjeve prej grave shqiptare të rretheve deri tek arxheshat elastike e me sy të bukur, ishte një varg ngjyrash e veshjesh i mrekullueshëm. Ndërmjet gjithë këtyne veshjeve me dëndësin ma të madhe u dukën gratë e bukura të Dardhës.
Dardha asht nji katund i vogël e malor i Shqipnis së jugut. I dallojshim menjëherë në gjith at grumbull veshjesh të shumta. Që të gjitha të bukura e madhështisht të veshura e të denja me u quejt princesha. Njena prej tyne kishte edhe një çupkë të vogël e lesh-verdhë si ari, me sy të kaltër si të gjetun në fundin e oqeaneve të pafund, e veshun dhe ajo me kostumin e bukur të katundit.

Një veshje pëlhure ku e kuqja e të zezat e punuese me ar, mbi të, vargje t’argjenda zbukurofshin pamjen. Flokët e të gjithave, të tërhequna nga mbrapa ishin të mbledhuna në një facoletë të zëzë në formë të njajtë me ato të grave tona të Val d’Aostas.
Me një elegancë e hijeshi të veshuna, me krehje dhe të hijshme edhe në lëvizjet më të vogla gratë dardhake përfaqësojshin aristokracinë e festës, e në asnjenën prej tyre nuk do të mundnin me dallue edhe tue vrejtun me orë, as ma të voglën mungesë.

“Vallet e bukura karakteristike të dardhareve”

Në pyllin e vogël, në bregun e pellgut, gra e burra vallzojshin. Nga qëndrimi i tyne njeriu kishte përshtypje se ishin tue krye një funksion fetar. Në kambë, të kapuna njena me tjetrën, në rreth, lëviznin dal nga dalë trupin tue shoqnuem herë mbas here me shuplaka. Dalë nga dalë ritmi i orkestrës së vogël vinte tue u pakësue e lëvizjet e valles u dallojshin aq ma tepër, e atëhere ato u dukshin se sa më elegancë e hijeshi u kryejshin.
Për gjithë kohën e valles, shprehja e pjestarëve të valles nuk kishte ndryshue me at kthjelltësi që të bante me mendue se ishte fjala për një ceremoni të naltë. E në mes të gjithë atyne njerzëve, nji pyetje na vinte ndër mend?

Pse të gjithë vrapojnë në këtë vend? A asht vetëm flaka mistike dhe besimi i të gjithë atyne njerzvet që i shtyn me ardhë prej sa e sa vëndeve të largëta shpesh edhe tue u lodhë e tue ba sakrifica? Shqiptarët kanë ruejtun gjithmonë besimin e tyne kundrejt të shenjtit edhe historija që ka nga kjo pikë e tokës shqiptare nji nga rivendikimet kombëtare ma delikate, ia kishin hequn Shqipnisë zotnimin e manastirit, e gjithmonë kanë ardhur njëherë në vit, me i kërkue të shenjtit shërimin e sëmundjevet të tyne shpirtnore e trupore.

Por si i tha ma përpara, asht nji ndiesi tjetër që shtyen që gjith ajo masë njerëzish të çohet prej krahinavet të ndryshme të Shqipnis për me ardhë dhe me u gjunjëzue para vorrit të shenjtit. Shqiptarët e duen manastirin dhe vendet që e rrethojnë e i bijnë dhurata; edhe ajrit, diellit, gjelbërimës, qetsis dhe bukuris së kësaj pjese të mrekullueshme të tokës së tyne. Mbas dhuratës që i bahet të shenjtit, shpërndahen rreth e përqark tue u kënaq me bukuritë natyrale.

E festa e Shën Naumit përveç manifestimit fetar, asht nji rizotërim i kësaj toke, nji kthim i atdheut që shqiptarët kurrë nuk e kanë harrue edhe në ditët ma të zeza të robnis. E ata e ndjejnë vehten aq të lidhun me të sepse për histori dhe traditë ajo pjesë dheu i përket Shqipnis e shqiptarëvet.

Prof. Petraq Pepo: Shqipërija piktoreske, Shën Naumi

Toka e bukur e Shqipërisë, në kohët e vjetra dhe n’ato të reja ka qenë një urë kalimi, ku kryqëzoheshin qytetërimet të grekëve, të romakëve, të bizantëve, ku fetë e reja kan hy dhe kanë kaluar me lehtësi; në këtë mnëyrë një pjesë e popullit të këtij vendi, ka përqafuar që në shekujt e parë fenë e re, Krishtërizimin, e cila ka lënë faltore me vlerë të madhe.
Një nga këto faltore të dëgjuara të Shqipërisë dhe të gjithë siujdhesës ballkanike, është Manastiri i Shën Naumit. Të gjithë duhet ta njohin këtë vënt të shenjtë, duhet të vemë t’a vështrojmë se kështu do të kënaqemi me forcën e thellë të bukurisë së vendit dhe me forcën e fuqishme të artit dhe faltores. Nga Tirana, për të vajtur në vëndin e Shënjtë duhet ecur 152 kilometra; natyra, që kurorëzon këtë rrugë, është aq madhështore, sa frymëzon thesarin e fantazisë poetike, se turisti me hov në shpirt do të kalojë përmes maleve të lartër me lisa të gjatë, përmes luginave të qeshura me lumenj të kulluarë, përmesa fushave të vogla me shumë lule.

Turisti do të niset nga Tirana, do të kalojë qafën e Krabës (lartësia 586 metra), dhe mbasi do të bëjë 55 km. do të arrijë n’Elbasan; ky qytet, që është ndërtuar atje ku ka qenë Scampa e moçme, ka xhami të vjetra, ka kishën karakteristike të Shën Marisë me një ikonostas fort të bukur, ka kalanë që është ndërtuar në kohën e Sulltan Mehmetit të II-të, kundërshtarit më të rreptë të Skënderbeut.

“Elbasan-Pogradec-Shën Naum, 97 km”.

Duke lënë vëndin e lindjes së Kristoforidhit, turisti kalon 90 km. përmes luginave t’ëmbla, të cilat përçajnë grumbullin e maleve të Shqipërisë qendrore, udhëtari i ndritur, me gaz në shpirt, i frymëzuar nga natyra e egër plot madhështi, nga blegërimet gazmore të shqerave, arrin në Pogradec me këngë në gojë të të madhit Naim:

“Çuka kodra, brinja gërxhe dhe pylle të gjelbëruar,

Do këndonj bagëtinë, që mbani ju dhe ushqeni,

O vëndthit e bekuar, ju mëndjen m’a dëfreni”.

Pogradeci, qytet i vogël prej afro 3000 banorësh, ndodhet 693 metra mbi sipërfaqen e detit, i ndërtuar mbi sipërfaqen e liqenit t’Ohrit, i paisur me një ranishte të bukur, i kurorëzuar me male e me kodra të gjelbëruara, Pogradeci paraqet një pamje të veçantë, plot gëzim dhe plot jetë; ajëri i pastër dhe uji i ftohtë i këtij qyteti tërheqës, janë kënduar prej poetëve:

“Kroj i Pogradecit, ujë i kulluar

Sa mburon nga dalë duke mërmëruar”.

Pogradeci që është i pasur me bujtina të mira (Starova, Mbretëror, Savoia), me dekore të pastërta, me shtëpi te reja, turistit ja bën jetën të këndëshme, se këtu gjen dy të mirat; më një anë ujët e pastër të liqenit, mbë’anë tjetër të tërheq si me magji mali me lisa të gjatë.

“Legjenda e pikturës mbi portën kryesore”

Sikundër gjithë manastirët ortodoksë, ashtu dhe ky manastir, është i rrethuar me mure të lartë dhe të fortë. Turisti i ndritur, do të vështrojë mbi portën kryesore një pikturë, e cila paraqet një fushë ku një bujk liron arën duke pasur nën zgjedhë më një anë një ka, dhe m’anë tjetër një ari. Kjo pikturë shpjegohet me anën e kësaj legjende:

Thuhet se: në kohën kur rronte njeriu i drejtë Naumi, një ari zbriti nga Mal’i Thatë, hëngri një ka që shërbente për të lëruar arën e Kishës; atëhere shenjti i drejtohet ariut, i heq vërejtjen dhe e qorton kaq bukur sa ariu pendohet, unj kryet dhe hyn vetë nën zgjedhë duke zënë vëndin dhe duke sjellë shërbimin e kaut të mjerë. Siç kalon nga porta e madhe, hyn në oborr ku ndodhet një shatërvan dhe ku është ngritur në një mënyrë të bukur dhe plot madhështi kisha e manastirit.
Çdo manastir ortodoks ka kishën e tij në mes t’oborrit. Duke u bazuar në arkitekturën e kësa kishe, në materialin që është përdorur për ndërtimin, si dhe në disa afreska, jemi të mëndimit se kjo faltore është ngritur pas shekullit të X-të, d.m.th. hyn në grupin e atyre faltoreve ortodokse të Shqipërisë të ndërtuara para shekullit të XIV-të të cilat paraqitin stilin e bukur bizantin por me ndikim serb. bullgar, rumun, nga ndonjëherë dhe rus. Sikundër shumë kisha të tjera ashtu dhe faltorja e Shën Naumit përbehet prej një parakishe (artheks), prej kishës kryesore dhe prej hierores.
Kisha kryesore ka një kube shumë të thellë dhe parakisha një kube të zbukuruar me afresjka fetare.
Brenda në artheks ndodhen dy kollona, të cilat duhen të jenë të mbetura nga ndërtimi i kishës më të vjetër. Në jug, në të djathtë të artheksit, ndodhet varri i Shën Naumit;përgjithësisht mbi këtë varr peligrinët bëjnë lutje dhe japin dhurata të çmuara.

Rreth mureve ku ndodhet varri, ka afreska të ndryshme fetare, sidomos një pjesë e tyre paraqet hollësirat e legjendësm së kaut dhe t’ariut.

Afreskat përgjithësisht, ikonat ne mureve dhe veçanërisht ato që zbukurojnë ikonostasin, d.m.th. të asaj pjese që ndan hieoren nga kisha kryesore, juanë afreska dhe ikona të cilat kanë afrim të madh stili me ato të faltoreve të manastireve të Mistras, të Malit të Shenjt, të Trebizondës, të Maqedhonisë, të Serbisë, të Rusisë, gatimi i këtij arti figurativ gjatë periodës turke është punuar me frymë fetare t’ethëshme duke vënë në dukje ringjalljen e pikturës  t’epokës së Paleologëve; që nga shekulli i XVI-të, artistë të cilët pikturonin faltoret ortodokse, më të shumtit kanë qenë murgjarit; këto nuku u jepnin drejtime të reja artit, ashtu si bënin kohëshokët e tyre në kombet e Perëndimit, por ndiqnin me besnikëri gjurmët t’artit t’epokës së Paleologëve.

“Ambjentet e dekoruara që përbëjnë manastirin”

Sikundër të gjitha kishat me stil bizantin, ashtu dhe faltorja e Shën Naumit si arkitekturë dhe në pikturë, paraqitet me madhështi dhe kërkon shkëlqimin e ngjyrave.
Rreth e përqark kësaj kishe janë ndërtuar banesat ku qëndrojnë fetarët dhe murgjrit q’i shërbejnë Manastirit të Shenjtë; gjithashtu pjes ëtë tjera banimi shërbejnë për çlodhjen, fjetjen e udhëtarëve, e peligrinëve dhe t’atyre që me dëshirë të përmallëshme, venë të kalojnë të nxetat e verës në këtë vënd të bukur dhe të uruar. Pranë sallës së pritjes së vizitorëve, ndodhet një kapele dhe dhoma e Aleksandrit, ish Mbretit të Jugosllavisë.
Në një kënt t’oborrit është ngritur hije plotë kambanorja, e cila në katin e parë është zbukuruar me një kapele të hijshme, dedikuar Shën Gjon Vladimirit; turisti këshillohet të vizitojë këtë kishë me vëmëndje;ky shenjt është shumë i dashur në Shqipërinë e Mesme;

banorët e Elbasanit dhe të malësis tregojnë për mrekullitë e këtij shenjti, të mirat që bën dita ditës; për nder të tij, 6 km. jashtë qytetit, është ngritur një manastir; në kishën e tij ndodhen lipasnat e shenjtit t’adhuruar.
Afreskat që zbukurojnë kishëzën e kambanores së Shën Naumit, tregojnë në një mënyrë fetare jetën e shenjtit, martirizimin e tij. Është për të vënë re se, këto afreska paraqiten si në ngjyrat, ashtu dhe në tiparet e fytyrës, sidomos në ekspresionin e syve, një art modern sllav. 

Këshillohet që turisti të ngjitet në katin më të lartër të kampanarjos ose të vejë në ballkonin e dhomës së mbretit se do të ketë parasysh një pamje të rrallë në botë që të shtije si me magji në fuqitë e thella shpirtërore; kjo pamje magji-plotë është liqeni madhështor i Ohrit i kurorëzuar nga vargmalet e rinj t’epokës së tretë të Jablaniocës, së Mokrës, të Galiçës.

“Liqeni mahnitës i Ohrit me faunë të pasur”

Ky liqen që është nga më të mbëdhenjtë e siujdhesës ballkanike ka një sipërfaqe prek 270 km. katror dhe me një thellësi prej 200 metrash. Ujrat e tij janë të kulluara si ujë mburimi; liqeni i ëmbël që shpërndan bukuri, përmban në gjirin e tij një pasuri të madhe peshqish të dorës së parë, si: lekna, kreshnica, koranë, belushka, klena etj. Ky liqen, në shumë pjesë të buzëve, ka ranishte të këndëshme.
Natyra që kurorëzon Manastirin e Shën Naumit këndon shijen e jetës dhe mëndja e lodhur përtërihet në këtë çip të tokës shqiptare. Shëtitja më e afërme që do të bëjë njeriu duke dalë nga faltorja është ajazma, ujë i bekuar; këtu besimtari për besim lag ballin që ta ruajë nga çdo gjë e keqe, pi pak ujë dhe si kundër në Romë në Fontana dei Trevi, hedh një para, që kshtu Zoti t’i falë një shëtitje tjetër në këtë vënd të bekuarë.
Dy hapa më tej të del përpara një liqen i vogël shum i vogël, një diamant i liqeneve dhe të poezisë vetë, që ushqehet nga mburimet e këmbëvet të Malit të Thatë; nëna e këtyre mburimeve është liqeni i Prespës, i cili ngjitet 130 metra më lart se ay i Ohrit. Guri i Malit të Thatë hyn në natyrën e shkëmbinjëve të butë gëlqerorë; ujrat e liqenit të Prespës, përshkojnë në mal dhe derdhen në formë mburimi në liqenin e vogël dhe të bukur, dhe që këtu përbëjnë në këmbët e Manastirit, fillimin e Drinit që e këndon poeti.

Profesor Pepo: Aty vinë e falen të gjithë popujt e Ballkanit, Shën Naumi adhurohet jo vetëm prej shqiptarëve

Në reportazhin e tij mbi manastirin e Shën Naumit, i cili më së shumti është dhe një shkrim studimor mbi historinë e largët dhe të afërt të atij objekti të famshëm kulti të adhuruar jo vetëm prej shqiptarëve, por pothuaj nga të gjithë popujt e Ballkanit jugor, studiuesi i historisë, profesor Petraq Pepo, ka bërë edhe një përshkrim ku tregon disa prej legjendave që janë transmetuar në breza mbi të kaluarën e atij manastiri.
Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash ai ka shkruar: “Shën Naumi adhurohet jo vetëm prej shqiptarëve pa ndryshim feje, por edhe prej të gjithë krahut të Maqedonisë, prej gjithë popujve të siujdhesës ballkanike, Për këtë shenjt ballkanas, dëgjohen nga të gjitha anët jehona legjendash, se ku ka shpërndarë mirësinë, ku ka shëruarë të sëmurë e akoma dhe sot shëron ata që mbesojnë, ata që venë e falen mbi varrin e tij. Ata që flenë në kishën e tij.
Kur Shenjti ka ditën më 3 korrik, në Manastir venë peligrinë nga të gjitha anët. Falen, gëzohen në natyrën e bukur, ja thurin këngës, valles, atëhere, përfytyrimi e shpje turistin në poezinë e mesjetës n’atë kohë kur krishterizmi jepte shenjtorë; këtu kupton edhe më mirë shekujt e kaluarë të ballkanizmës.
Gjithë të mirat bashkohen dhe rrethojnë Shën Naumin, dashurija e popujve arti ballkanik, malet, pyjet, liqeni, gëzimi i peligrinëve, dhe të gjitha këto sëbashku të frymëzojnë ideale të larta, e rrëmbejnë përfytyrimin, e shpiejnë në lëmën e veprimtarisë prodhimtare, në lëmën e poezisë, në lëmën e veprës së Naimit: Bagëti e Bujqësia:

“Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë  

Tek mbin lulja me gaz shumë dhe me bukuri e erë  

Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtoja,

Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam unë mënt e mija”.    

Profesor Pepo: “Ja si u themelua manastiri i Shën Naumit”

Në reportazhin e tij për Manastirin e Shën Naumit të botuar në revistën e përmuajshme “Drini” që nxirrte Enti Kombëtar i Turizmit në Shqipërinë e viteve 1939-1943, profesor Petraq Pepo, ka bërë edhe një përshkrim të shkurtër mbi historinë e themelimit të atij manastiri të famshëm i cili që nga viti 1943, ndodhet jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash, Lafranceska shprehet:

Nga Poradeci duke kaluar 7 km. në buzë të liqenit, arrin në Manastirin e Shën Naumit. Themelimi i këtij Manastiri të Shenjtë, humbet në mjegullat e kohës së mesme. Në gjirin e tokës shqiptare, ndodhen 71 Manastire Ortodokse, një pjesë e madhe janë ndërtuar para shekullit të XVI-të, d.m.th. gjat atyre shekujve kur në zemrën e periudhës bizantine u zhvillua një ballkanozmos, n’ato kohë kur në Shqipëri si rrjedhoje e pushtimeve të ndryshme lanë gjurmët e tyre Bulgarët, Normandët, Despotati i Epirit, Serbët, princët Shqiptarë dhe të gjithë kanë ndikimin e frymës së artit bizantin.

Këtë frymë, këto gjurma i mban me krenari dhe Manastiri i Shën Naumit. Shën Naumi, Prift, dhe kohë shoku i tij, Klementi, peshkopë të paisur me dhuratat e Shenjtit, kanë ndjekur me urtësi rrugën e Cirillit dhe të Methodhit për të zhvilluar krshterizimin nër popujt ku qëndronte akoma paganizmi.

Shën Naumi me butësi, me fjalën e ëmbël, me shembuj të mirë, me mrekullia, prandaj u bë i njojtur, prandaj e nderonin si shenjt, me këto cilësi dhe në këtë mënyrë në gjithë krahinat e Maqedonis Perendimore, zhvilloi nga tërë anët krishtërizmin dhe çduki gjurmët e fundit të fesë politeiste. Për të krishterët e këtij krahu, ndërtovi rreth vitit 1000, një faltore, të cilën ja u dedikovi Arkangjellëve. Kur mirëbërsi ndërrovi jetë, populli për mirënjohjtje, këtë kishë e ka pagëzuar me emrin e Shën Naumit”.

FSHF kërkon ta nisë më 31 maj kampionatin

Dritë jeshile për rifillimin e stërvitjeve dhe kampionatit shqiptar brenda muajit maj. Shqipëria merr shembullin e Italisë, por e kopjon keq, pasi nuk jep një datë për stërvitjet në grup, por vetëm për atë individuale. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, konfirmoi dje në mbrëmje se do të lejohet stërvitja e sportistëve prej datës 18 maj.

Edhe pse ajo specifikoi frazën “stërvitje individuale”, kjo mjafton që skuadrat e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë në futbollin shqiptar të zbresin në fushë, duke respektuar kështu protokollin e masave të sigurisë kundër përhapjes së Koronavirusit. “Prej të hënës së datës 18 maj do të lejohen stërvitjet individuale të sportistëve në ambiente të hapura.Nga ana tjetër, do të vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet sportive në ambientet e hapura dhe të mbyllura. Po kështu do të vijojë të mbetet në fuqi ndalimi i grumbullimeve për më shumë se 5 persona në ambientet publike, si dhe do të mbetet i mbyllur edhe transporti publik”, është shprehur ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë.

DETAJET PËR KALENDARIN E RI DHE KUPËN

“Panorama Sport” ka zbuluar nga burime të sigurta në FSHF se sektori i garave ka bërë plane që Superiorja të rinisë më 31 maj. Kjo datë është për rastin më të mirë, gjithnjë nëse gjërat shkojnë ashtu siç janë parashikuar dhe klubet pranojnë që të kenë vetëm 12 ditë kohë për t’u përgatitur. Natyrisht, problemi i vetëm në këtë rast është se autoritetet shëndetësore nuk lejojnë përgatitjet në grup, por kjo varet sa do të zbatohet nga skuadrat.

Për t’i paraprirë gjithçkaje, sektori i garave në FSHF ka përpiluar një kalendar të ri për kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Gazeta ka mundur të sigurojë të gjitha datat, ku parashikohet rifillimi i Superiores me javën e 27-të më 31 maj dhe mbyllja e kampionatit me javën e 36-t më 29 korrik.Nëse Superiorja rifillon brenda muajit maj, atëherë parashikohet që të mos ketë një ngjeshje të madhe të kalendarit. Kësisoj, sa i përket Kupës së Shqipërisë, mësohet se ndeshjet e para të turi çerekfinal janë parashikuar të luhen më 10 qershor, ndërsa ato të kthimit më 24 qershor.

Turi gjysmëfinal do të zhvillohet në datat 8 dhe 22 korrik, ndërsa finalja e Kupës është planifikuar të luhet më 2 gusht. Por, sezoni futbollistik 2019-2020 nuk mbaron këtu, pasi sektori i garave parashikon që ndeshja mes vendit të tetë të Superiores, që të çon në “play out”, kundër ekipit fitues të “play off” mes vendeve të dyta të grupeve respektive të Kategorisë së Parë, të zhvillohet më 5 ose 6 gusht.

Vetëm java e parafundit dhe e fundit e Superiores do të luhet në tri ditë, ndërsa pjesa tjetër e kampionatit ka një kalendar të pranueshëm. Vetëm skuadrat që janë edhe në Kupë, pikërisht çiftet çerekfinale si Tirana-Besëlidhja, Vllaznia-Teuta, Apolonia-Kukësi dhe Bylisi-Skënderbeu, do të kenë një ngjeshje më të madhe se të tjerat.Një klub që i shkon Kupës deri në fund, atëherë do të zhvillojë në total 15 ndeshje në një hark kohor nga 31 maji deri më 2 gusht. Në ditët e ardhshme FSHF do të specifikojë gjithçka edhe për kategoritë e tjera, pasi nuk është vetëm Superiorja. Institucioni i futbollit kërkon që të gjitha kampionatet të mbyllen në fushë deri në fillimin e gushtit. /JORGIS MEMO/Panorama

KALENDARI I RI

JA PLANI PËR JAVËT E MBETURA NË SUPERIORE

JAVA 27 (31 MAJ)

KUKËSI-LUFTËTARI

LAÇI-TEUTA

PARTIZANI-SKËNDERBEU

BYLIS-TIRANA

FLAMURTARI-VLLAZNIA

JAVA 28 (6 QERSHOR)

LUFTËTARI-TIRANA

BYLIS-TEUTA

LAÇI-VLLAZNIA

FLAMURTARI-SKËNDERBEU

PARTIZANI-KUKËSI

JAVA 29 (14 QERSHOR)

TEUTA-TIRANA

KUKËSI-FLAMURTARI

SKËNDERBEU-LAÇI

VLLAZNIA-BYLIS

PARTIZANI- LUFTËTARI

JAVA 30 (21 QERSHOR)

LUFTËTARI-TEUTA

TIRANA-VLLAZNIA

BYLIS-SKËNDERBEU

LAÇI-KUKËSI

FLAMURTARI-PARTIZANI

JAVA 31 (27 QERSHOR)

SKËNDERBEU-TIRANA

VLLAZNIA-TEUTA

PARTIZANI-LAÇI

KUKËSI-BYLIS

FLAMURTARI-LUFTËTARI

JAVA 32 (5 KORRIK)

LUFTËTARI-VLLAZNIA

TEUTA-SKËNDERBEU

TIRANA-KUKËSI

BYLIS-PARTIZANI

LAÇI-FLAMURTARI

JAVA 33 (12 KORRIK)

PARTIZANI-TIRANA

KUKËSI-TEUTA

SKËNDERBEU-VLLAZNIA

FLAMURTARI-BYLIS

LAÇI-LUFTËTARI

JAVA 34 (19 KORRIK)

LUFTËTARI-SKËNDERBEU

VLLAZNIA-KUKËSI

TEUTA-PARTIZANI

TIRANA-FLAMURTARI

BYLIS-LAÇI

JAVA 35 (26 KORRIK)

LAÇI-TIRANA

FLAMURTARI-TEUTA

PARTIZANI-VLLAZNIA

KUKËSI-SKËNDERBEU

BYLIS-LUFTËTARI

JAVA 36 (29 KORRIK)

LUFTËTARI-KUKËSI

SKËNDERBEU-PARTIZANI

VLLAZNIA-FLAMURTARI

TEUTA-LAÇI

TIRANA-BYLIS

* Ndeshjet “play off” (Kategoria 1) dhe “play out” (Kategoria Superiore) janë parashikuar të zhvillohen në datat 5 dhe 6 gusht.

KUPA E SHQIPËRISË

TURI ÇEREKFINAL

TIRANA-BESËLIDHJA

VLLAZNIA-TEUTA

APOLONIA-KUKËSI

BYLISI-SKËNDERBEU

* NDESHJET E PARA JANË PARASHIKUAR TË LUHEN MË 10 QERSHOR, NDËRSA ATO TË KTHIMIT MË 24 QERSHOR.

TURI GJYSMËFINAL

* NDESHJET E PARA JANË PARASHIKUAR TË LUHEN MË 8 KORRIK, NDËRSA ATO TË KTHIMIT MË 22 KORRIK.

FINALJA

2 GUSHT 2020

E kritikojnë për gafat, reagon Rudina Magjistari: Po turp, s’ju vjen?! Nuk dini të vlerësoni origjinalitetin tim

Moderatorja, Rudina Magjistari ka reaguar pas kritikave për momentet spontane gjatë emisionit të saj, të cilat i kanë quajtur gafa. Disa prej tyre ditët e fundit qarkulluan në rrjete sociale dhe faqe satirike. Përmes një postimi në Instagram, Rudina shprehet se këto “gafa”, ajo do t’i quante perla. Moderatorja shkruan se ajo gjithmonë ka shfaqur vetveten në ekran dhe nuk ka dashur aspak të bëjë gazetaren e lajmeve.

Statusi i plotë: “Kaq i rrallë është spontaniteti në këtë vend, natyralja, e vërteta, sa habiten kur e ndeshin. Dhe i duket se ç’gjëmë ka ndodhur! Mesa duket ka aq shumë falsitet e injorance, sa të jesh vetvetja dhe të bësh një televizion natyral, siç ka qenë filozofi e imja gjithë jetën, duket si herezi. Në vend që të kenaqeni e të shijoni një komunikim joskematik, protestoni se sa poshtë ka rënë televizioni. Po turp, s’ju vjen?!

I quani gafa, po nga ato të gjithë bëjmë e të gjithë qeshim me njëri-tjetrin. Kurse unë do ti quaja perla more të uruar, sepse na e rrëmbejnë një buzëqeshje gjatë ditës. Sigurisht, ndryshe nga tuajat, apo edhe nga ata që bëjnë një program një dite të vetme në javë dhe kanë kohë ta krasisin siç duan, ato të miat kane më shumë vizibilitet. Sepse gjërat janë të lidhura: orët televizive në transmetim, intensiteti, publiku, audienca, shtrirja në vite e programit, dhe sidomos po të kthehet në objektivin tuaj, sigurisht që duken shumë.

Nqs s’e keni kuptuar akoma, unë BISEDOJ me te ftuarin kur e intervistoj, sepse nuk jam dhe s’dua aspak te bej gazetaren e lajmeve. Dhe te qenurit spontan është tek unë nje kriter i rëndësishëm i zhvillimit të programit. Kush ka punuar me mua, e di mirë sa s’më pëlqen ti parapërgatis situatat në program, por insistoj që gjithçka të ndodhë në mënyrë origjinale direkt në transmetim. Dhe ky është stili im unik i të bërit televizion, këtu e gati 30 vjet.

S’po merrem pastaj me rastet, kur unë vetë i ngacmoj të ftuarit me humor dhe ata “të mprehtët”, që janë mësuar vetëm me standardin e humorit të hungërimave, e quajnë si lajthitjen e rradhës.

E di që shumë prej jush, do thonë “po c’merresh me ta”! S’ia vlen! Po ja, që duhet ta shkruaj pikërisht për ta. Që të lexojnë e të kuptojnë, se televizioni në fund fare është ARGETIM, përveçse INFORMIM dhe EDUKIM. Dhe jam krenare që programi im i përmban denjësisht të gjitha këto. Shumë prej jush kanë mësuar pafund nga ky program, ku është prekur çdo lloj teme e dhënë këshilla e mësime në të gjitha format me shumë përkushtim dhe kjo mua më përmbush. Pavarësisht, se është dëshpërues fakti se jeni bukëshkalë e të paedukuar. Ju dashakeqë, që kujtoni se po bëheni interesante, uroj t’ju hyjë ndonjë gjë në kokë nga këto, se po s’hyri në kokë do hyjë në këmbë… Jeni thjesht ca paçavure për të vrarë kohën”.

Athinë/përleshje të dhunshme kundër masave kufizuese, sulmohet policia (FOTO)

Përleshje midis një grupi anarkistesh dhe policisë janë shënuar mbrëmjen e së shtunës në lagjen Kipseli të Athinës. Sipas burimeve policore, grupe ekstremistësh të majtë që kundërshtojnë masat e qeverisë për kufizimin e pranisë së banoreve në sheshe, si masë parandaluese nga CoVid 19, kanë sulmuar forcat e policisë në zonë.Policia thotë se është goditur me gurë dhe sende të forta, ndërkohë që janë dëmtuar edhe disa motoçikleta të saj. Anarkistët të ndihmuar edhe nga banorët e zonës, të cilët kërkojnë heqjen e masave kufizuese, sulmuan dhe disa vitrina dyqanesh dhe supermarkete.

Deri tani janë ndaluar 7 persona, ndërkohë që një valë reagimesh ka shpërthyer gjatë 24 orëve të fundit, ku mijëra grekë grumbullohen ne sheshet e lagjeve, por policia i largon, pasi ende është ekzistent rreziku i kontaminimit prej covid-it.

Më herët zv-ministri i mbrojtjes civile Nikos Hardhalias, deklaroi se masat kufizuese ndaj epidemisë së CoVid janë ende në fuqi dhe se ekziston rreziku i përkeqësimit të situatës, pikërisht tani që është faza e fundit e karantinës në vend.