Vendimet për lehtësimin e masave, ky shtet në Ballkan gati që të hapë kufijtë në qershor

Me rritjen e temperaturave është ulur edhe numri i infektimeve të reja nga koronavirusi në të gjitha shtetet, ndaj qeveritë po marrin vendime për të lehtësuar masat ndaj COVID-19.Maqedonia e Veriut duke filluar nga qershori ka vendosur të hapë kopshtet dhe kufijtë.

Të gjithë ata që do të hyjnë në Maqedoni do të duhet të vetëizolohen në shtëpitë e tyre, duke shmangur karantinimin e detyrueshëm në hotele.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, mesi i qershorit është periudha më e arsyeshme për hapjen e kufijve.

“Në vend të karantinës së detyrueshme shtetërore, izolimi i detyrueshëm shtëpiak përcaktohet edhe për të huajt, për të cilët shtabi kryesor i koordinimit të krizave vendos në raste të interesit shtetëror ose ekonomik”, tha ai”./newsbòmb

Dyndje në plazhet greke gjatë fundjavës

Ndërsa në Shqipëri edhe kjo fundjavë kishte kufizime të shumta, krejt e kundërta ka ndodhur në Greqinë fqinje, plazhet dhe vendet turistike të së cilës u mbushën me pushues, pas heqjes së kufizimeve.Pas gati 2 muajsh në izolim, Greqia vendosi të rihapë muzetë dhe destinancionet e tjera turistike, shkruan Daily Mail. Shumë të rinj zgjodhën detin për të kaluar fundjavën, duke marrë rreze dielli, madje janë lejuar edhe të zhyten në ujë.

Pak ditë më parë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis u shpreh se sezoni turistik do të nisë më 15 qershor, ndërsa fluturimet ndërkombëtare charter do të rifillojnë në muajin korrik.

Turistët nuk do të jenë të detyruar t’iu nënshtrohen testeve para udhëtimit në Greqi, e as karantinimit 14-ditor. Autoritetet e Athinës janë vlerësuar për mënyrën e menaxhimit të krizës shëndetësore, me vetëm 166 jetë të humbura dhe mbi 2800 raste me Covid-19.

Burimi:Daily Mail

Shqipëria e paradokseve!

The Economist” shkruante së fundmi se pandemia po përdoret si mjet për rrëmbimin e pushtetit. Një mundësi që nuk po ngurron të përdoret as nga drejtuesit shqiptarë, ku rritja e varfërisë dhe niveli i ulët i demokracisë vetëm sa i shtojnë më shumë mjetet për përqendrimin e pushtetit dhe arritjen e synimeve me një fokus të ngushtë përfituesish.

Jetojmë në Shqipëri! Është vendi që ka të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, me vetëm 30% të mesatares europiane dhe kjo përqindje nuk po ndryshon prej vitesh. Është shteti që, në pothuajse të gjitha renditjet, del i fundit, si për korrupsionin, ashtu dhe për qeverisjen, zbatimin e ligjit, shpenzimeve në shëndetësi, e me radhë lista është e gjatë dhe arrin deri te niveli i ulët i sofistikimit të bizneseve.

Jetojmë në një vend, që ka një ekonomi aq të dobët, saqë kriza e nxori përnjëherë zbuluar, duke pasur pritshmëritë për rënien më të lartë në rajon, deri në 9%, sipas vlerësimit të fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Borxhi i lartë, të ardhurat e ulëta buxhetore, informaliteti, struktura e dobët e ekonomisë e varur te tregtia e shërbimet dhe mikro bizneset, kosto e lirë e fuqisë punëtore si avantazh kryesor konkurrues, mungesa e sofistikimit do të bëjnë që shqiptarët të ndiejnë më shumë se kushdo tjetër pasojat e kësaj sëmundjeje që vetëm sa po e gërryen më tej këtë ekonomi të infektuar.

Dhe në këtë Shqipëri të varfër, ku shumëkujt i ka sosur durimi (vitet e fundit është gjallëruar sërish emigracioni, duke na bërë të parët në botë për kërkesat për azil në raport me popullsinë), nuk mungojnë paradokset. Në dy muaj, që vendi ishte në karantinë dhe mijëra individë humbën vendet e punës dhe qindra biznese rrezikojnë mbylljen, vijuan të lulëzojnë ndërtimet, duke zënë çdo hapësirë që kishte mbetur e lirë. Në Shqipërinë e varfër nuk duket se kanë ndër mend të ndalen kullat luksoze që po shiten me 4,000 euro për metër katror, duke e bërë kryeqytetin shqiptar ndër më të shtrenjtët në Europë, në raport me fuqinë blerëse.

Biznesi i vilave po lulëzon gjithashtu, në një tregues indirekt se pabarazia është shtuar dhe politikat ekonomike po funksionojnë vetëm në favor të një grupi të vogël. Banka Botërore vlerësonte në një raport të fundit se rritja ekonomike vitet e fundit nuk ka arritur të ulë varfërinë. Një rritje prej 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) e ka ulur varfërinë me 0.8% në 2013-2017, përkundrejt 1.2% që ishte ulur në periudhat e mëparshme, ndërsa në Serbi, për të njëjtën rritje, varfëria është reduktuar me gati 4%.

Por, paradoksi më i madh është në orientimin e prioriteteve. Ky ishte momenti më i mirë për të ngritur debatin frytdhënës për orientimin e një modeli ekonomik të vendit, në përputhje me ndryshimet që po imponohen nga situata e krijuar nga COVID-19, duke kërkuar një kurë afatgjatë për ekonominë që do të çonte në një shërim gradual të saj. Teknologjia e Informacionit, riorientimi i eksporteve, zhvillimi i bujqësisë, rritja e konkurrueshmërisë do të mund të hapnin një perspektivë për kalimin e ekonomisë në një nivel tjetër, me vende pune më cilësore dhe më të qëndrueshme (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).

Por ajo që po shohim është përqendrimi i energjive e burimeve në fusha shterpë. Zgjidhja po mundohet të gjendet (apo më mirë situata po shfrytëzohet) për tema të tillë si legalizimi i kanabisit, një dukuri që nuk i solli ndonjë të mirë vendit. Amnistia është një tjetër strategji e diskutueshme, pasi rrezikon që të legalizojë, ndër të tjera, dhe paratë e krimit dhe të korrupsionit dhe përveç disa arkëtimeve në buxhet, në afat të gjatë nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar.

Prishja e Teatrit është çështja tjetër që po konsumon shumë energji. Përtej debatit nëse duhej shembur apo jo ky institucion kulturor, koha, urgjenca dhe dhuna me të cilën u procedua nuk janë aspak të përshtatshme, teksa vendi është në emergjencën e COVID-19. Për më tepër, rendja drejt një kredie me garanci shtetërore për ndërtimin e tij, rrit barrën e borxheve për produkte jo të domosdoshme.

“The Economist” shkruante së fundmi se pandemia po përdoret si mjet për rrëmbimin e pushtetit. “Autokratët e shohin katastrofën si mundësi për shfrytëzim. Bota është e shpërqendruar dhe publiku ka nevojë për shpëtim. Kjo është ëndrra e një udhëheqësi diktatorial”, shkruante revista, duke iu referuar sjelljes së disa liderëve.Një mundësi që nuk po ngurron të përdoret as nga drejtuesit shqiptarë, ku rritja e varfërisë dhe niveli i ulët i demokracisë vetëm sa i shtojnë më shumë mjetet për përqendrimin e pushtetit dhe arritjen e synimeve me një fokus të ngushtë përfituesish.

Burimi: Revista Monitor

Shqipëria do të hapë kufijtë tokësore dhe plazhet për hotelet nga 1 qershori; Kjo ishte fundjava e fundit nën izolim

Shqipëria do të hapë kujfitë tokësorë me fqinjët dhe plazhet për hotelet nga 1 qershori, ndërsa kjo ishte fundjava e fundit nën izolim ne deklaraten e fundit qeveritare.”Jemi gati të hapim kufijtë tokësorë por duhet të marrim miratim nga vendet me të cilat kemi lidhje direkte të transportit ajror.

Vendimet e reja:

Shengeni deri në 15 qershor është i mbyllur dhe fluturimet mes vendeve janë të mbyllura për momentin.Duke nisur nga e hëna e 1 qershorit do hapen kufijtë tokësorë me fqinjët për të gjithë shqiptarët qofshin me pasaportë të Shqipërisë, Kosovës, apo Maqedonisë së Veriut ku ju bëhet thirrje për kujdes.

Fasha orare:

Kjo do të jetë java e fundit me kufizime të fashës orare dhe që nga 1 qershori do të hiqet, si në Tiranë ashtu dhe në të gjithë qytetet e tjera.

Fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe për dy fundjava, dhe do të rikthehetnga tetori i 2020 deri ne mars 2021 ku nuk do te lejohen makinat te dielave per te ruajtur ajrin e paster” .

Në lidhje me transportin publik:

Hapja e transportit publik do të bëhet duke hapur pjesë-pjesë linjat e transportit publik, por strategjia e qartë se si do të funksionojë pritet të publikohet në fund të muajit maj.

Hapja e plazheve:

Nga 1 qershori do të hapen edhe plazhet, por vetëm për hotelet, ndërsa nga data 10 do të happen për të gjithë. Duke filluar nga kjo javë do të ngrihet një Autoritet i Përkohshëm Licensues i plazheve nga subjektet private.

Të gjitha të ardhurat do ti kalojnë bashkive. Asnjë kontratë e mëparshme nuk do të njihet nëse nuk konfirmohet nga ky Autoritet licensues dhe asnjë kontratë e re nuk do të lidhet nga bashkitë pa miratimin paraprakisht të këtij Autoriteti licensues.”Në lidhje me transportin publik u deklarua se deri në fund të muajit do të jetë gati një strategji e re.”

VIDEO/Ambient festiv,dy vite më parë Ujqërit festonin titullin e 8-të!

Si sot 2 vite më parë, Skënderbeu fitonte titullin e 8-të në Kategorinë Superiore.

Shpërthente festa në Korçë. Bardhekuqtë e Ilir Dajes festonin titullin e tetë në historinë e klubit. Mes një atmosfere elektrizuese ekipi i Skënderbeut ngriti lart në qiell trofeun që tashmë ka munguar më shumë se çdo sezon tjetër.Drejtuesit e klubit në bashkëpunim me tifozerinë ishin kujdesur që gjithçka të ishte perfekte në ate mbrëmjë historike.

Klubi korçar ka kujtuar me nostalgji atë moment teksa nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ka ndarë edhe njëherë me tifozët korçarë, atë moment të lavdishëm, ku presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dhuroi trofeun kapitenit të korçarëve, Orges Shehi, i cili i cili konsiderohet nje ikonë ne klubin Korçar pas nje besnikërie fanelle prej dhjetë vitesh.

LAJME TË MIRA NGA ITALIA, ULJE DRASTIKE E NUMRIT TË VIKTIMAVE ME COVID-19 (SHIFRAT NË 24 ORË)

Të dhënat e buletinit të lëshuar nga Mbrojtja Civile shohin sot një rënie të infeksioneve dhe një stabilitet dhe progresion ne ulje te nr te viktimave ku janë 50 viktima në 24 orët e fundit.Një shifër që dje dhe dy ditë më parë ishte pothuajse e njëjtë, përkatësisht dje ishte 119 dhe dy dite me pare 130 të vdekur.Numri i përgjithshëm i viktimave në Itali ka arrirur në 32.785 persona që nga fillimi i monitorimit të epidemisë Covid-19.

Numri i përgjithshëm i personave aktualisht pozitive ndaj virusit është 56.594 njerëz (dje ishte 57.752).Rastet e përgjithshme të personave të prekur nga Covid-19 ka arritur në 229.858 që nga fillimi i monitorimit të pandemisë. Rastet e reja janë + 531 (dje ato ishin +669,dy ditë më parë ishin +652).

Numri i personave të rikuperuar në 24 orët e fundit është në rënie: 1639 pacientë krahasuar me 2,120 dje dhe 2,160 dy ditë më parë. Numri i pacientëve të shtruar në spital vazhdon të ulet: ata janë 8,613 (dje ishin 8,695). Nga këta, pacientët më seriozë të pranuar në kujdesin intesiv janë 553 (dje ishin 572).

Italia është vendi i tretë më i goditur nga koronavirusi nga numri i viktimave, pas SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa sa i përket rasteve të konfirmuara, shteti fqinj është vendi i gjashtë në botë më i goditur nga Covid-19.

Shtetet me te prekura nga Covid -19 jane :1-SHBA vazhdon të mbetet epiqendra e pandemisë me më shumë të prekur dhe viktima në botë dhe ndiqet nga Brazili,Rusia,Spanja,Britania,Italia

Presidenti Ilir Meta: Lajm i trishtë ndarja nga jeta e ish-deputetit Niko Faber

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-deputetit socialist, Niko Faber.Teksa i shpreh ngushëllimet familjes, Presidenti Meta thotë se kontributi i tij publik, si në Korçë dhe në nivel kombëtar do mbetet gjithmonë i nderuar.

Reagimi i plotë:

“Lajm shumë i trishtë dhe befasues për mua ndarja nga jeta e ish-deputetit Niko Faber. Kontributi i Tij publik, si në Korçë dhe në nivel kombëtar do mbetet gjithmonë i nderuar.

Do na marrë malli gjithnjë e më shumë për burra të tillë, patriotë, me dinjitet dhe kontribut qytetar. Jam pranë familjes Faberi, të afërmve dhe të gjithë miqve të Tij në këtë ditë tragjike. I përjetshëm kujtimi i Tij!”,- shkruan kreu i shtetit në një mesazh në Facebook.

Ndahet nga jeta Niko Faber…ish-deputeti socialist

Korça humbet një nga qytetarët me vlera të saj, intelektualin Niko Faberi. Ai është ndarë nga jeta papritur në moshën 80 vjeçare.Niko Faber, me kontribute qytetarie kujtohet ndër të tjera si drejtues në struktura të ndryshme lokale, si ish deputet i Korçës dhe Ambasador i Paqes.Aktiv dhe me ndjeshmëri shoqërore për problematikat e qytetit, Niko Faber ka shprehur gjithmonë vlerësimet e tij në dobi të komunitetit korçar.

Faber ka qenë deputet në legjislaturën 2001-2005, si pjesë e grupit parlamentar socialist.Ish-deputeti ka ngritur shqetësimet gjatë debatit lidhur me ndërtimin e TEC-it në afërsi të Korçës, duke iu bashkuar zërave të shumë intelektualëve të këtij qyteti.

Edhe pak ditë më parë, Faber ka lënë në rrjetet sociale reagimin e fundit si njeri i angazhuar dhe i vëmendshëm për aspekte të ndryshme.Përsa i përket shkakut të vdekjes, mësohet se ish-deputeti ka ndërruar jetë për shkak të një ataku kardiak. Miqtë e ish-politikanit kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për humbjen e kolegut të tyre.

Njëri prej tyre është edhe Arben Malaj

“Nje lajm i hidhur per vdekjen e pa pritur te expertit studjuesit dhe deputetit Niko Fabri. Perhere  angazhuar per sfidat e bujqesise dhe problemet specifike te zones te tij elektorale. Ngushellime familjes, miqeve dhe kolegeve. I paharruar! U prehte ne paqe! I qofte I lehte dheu I kesaj toke deputetit model, te dashurit Niko Faber! ,”- shkruan ish-deputeti Arben Malaj.

Korça Blog uron besimtarët myslimanë gëzuar festën e Fitër Bajramit!

Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Fitër Bajramin, këtë festë madhore të komunitetit të tyre që vjen pas një muaji përkushtimi dhe sakrificash të Ramazanit të madhërueshëm.Festë kjo që vjen pas agjërimit njëmujor të muajit të shenjtë të Ramazanit.Fiter Bajrami është festa e parë e këtij viti në kalendarinë islam dhe pas faljes së mëngjesit, rituali vazhdon me prerjen e kurbanit duke vijuar me urimet.

Ndërkohë që vizitat familjare do të shmangen për shkak të situatës që po kalon mbarë bota.

Por, çfarë është Fiter Bajrami?

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.Namazi i Bajramit është vaxhib (obligim i domosdoshëm) për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz.

Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit.Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër (preferohet të lexohet sureja A’ëla ose Kaf). Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngritet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure (preferohet leximi i sures Gashije ose Kamer), më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.

COVID-19/ 9 RASTE TË REJA, SHKON NË 998 NUMRI I TË PREKURVE NË VEND

Ka shkuar në 998 numri i personave të prekur nga koronavirusi në vendin tonë.Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet me 9 raste pozitive.Të shpërndara: 5 raste në Tiranë, 3 në Durrës dhe 1 në Shkodër. Në vendin tonë janë 177 pacientë aktive dhe pjesa më e madhe po ndiqet nga mjeku i familjes.Juglindja e vendit vazhdon të ketë 1 person pozitiv Covid-19 të vetëizoluar në shtëpi.Numri i testeve ne total ne Qarkun e Korçes eshte 270.

Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet:

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.
Pas më shumë se 3 javësh pa humbje jete nga COVID19, gjatë mbrëmjes së kaluar ka ndërruar jetë një 64-vjeçare nga Tirana, e cila vuante nga limfoma e trurit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht 64-vjeçarja nuk ja doli të mbijetojë.Që nga fillimi i epidemisë, 32 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19.Pavarësisht se ka pasur pacientë që kanë lënë spitalin infektiv të shëruar, aktualisht po trajtohen 15 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 146 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar pozitivë 9 raste.Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 5 raste në Tiranë, 3 në Durrës dhe 1 në Shkodër. Të shëruar janë 6 qytetarë.Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike.
Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 998 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja të COVID19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (24 Maj 2020)
Testime totale 14605
Testime molekulare 13279
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 998
Raste të shëruara 789
Raste Aktive 177
Humbje jete 32 (Qarku Tiranë 19, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 60
Durrës 53
Krujë 27
Shkodër 11
Berat 10
Kamëz 9
Fier 4
Elbasan 1
Mirditë 1
Korçë 1

Si sot 28 vite më parë në Palermo, mafia vrau Xhovani Falkonen!

Giovanni Falcone padyshim është një prej atyre që e ka të skalitur emrin e tij në Drejtësinë Italiane. Eshtë një prej atyre njerëzve të Drejtësisë që nuk do të harrohet kurrë jo vetëm në Italinë fqinje, por edhe në Shqipëri, apo gjetkë.Si sot 28 vjet më parë, Falcone u ekzekutua në mënyrën më kriminale të mundshme, me një taktikë mafioze që rrallë mendohej në ato vite. Plot 572 kilogramë eksploziv u përdorën përgjatë rrugës në të cilën do të kalonte Prokurori Italian i Antimafias.

Falcone u vra bashkë me gruan e tij Francesca Morvillo dhe tre policët që e shoqëronin: Roço di Cillo, Antonio Montinaro, Vito Schifani në Capaci, në autostradën që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Palermos me qytetin e Palermos, më 23 maj 1992.

Makina me të cilën po udhëtonin u hodh në ajër nga një bombë, e cila përmbante 572 kg eksploziv të vendosur në një pjesë të gërmuar thellë në anët e rrugës. Vrasja ishte organizuar nga Salvatore Riina si hakmarrje për dënimet e qindra gangsterëve që kishte firmosur Falcone gjatë “Gjurmëve të Mëdha”. Ndër masat më të rrepta të antimafias pasuese për vrasjen e Falcone dhe Borsellino, ishte edhe arrestimi i Riinas. Një mafioz tjetër i dënuar për vrasjen e Falcones ishte Giovanni Brusca një nga shoqëruesit e Riinas, i cili dëshmoi se ishte personi, i cili kishte komanduar shpërthimin.

Drejtësia është e barabartë për të gjithë! Kjo fjali e shkruar në çdo sallë gjyqi, apo institucion shqiptar e të huaj mbart dilemën shumëvjeçare, nëse ka ndodhur apo jo kështu! Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Falcone ishte personazh i përfolur, nga disa shumë i urryer gjatë jetës dhe shumë i dashur pas vdekjes, një personazh dyshues e i mbyllur, i vendosur e ngulmues. Për sa mund të bënte një njeri, ai ka luftuar sy për sy e ballë për ballë, me të gjitha forcat për të arritur autonominë e tij si hetues në vijën e luftës kundër mafies dhe sot konsiderohet me plot kuptimin e fjalës simboli i luftëtarit pa kompromis, një histori që nuk duhet harruar.

Për fat të keq në Shqipëri, Drejtësia ka çeduar jo pak. Aq sa shpresat e njerëzve tek sistemi i Drejtësisë janë lënë në nisje të dekadës së tretë të pluralizmit politik edhe pse ka ende skepticizëm, nëse do të jetë apo jo në nivelin e duhur dhe mbi të gjitha në pritshmëritë e publikut.Por, për Drejtësinë e dëshiruar nga shqiptarët, e gjitha vëmendja vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e kanë mision Drejtësinë në Shqipëri. Për krahasim do të vlente ajo që ka ndodhur vite më parë në Italinë fqinje.

Drejtësia në atë vend, ku tashmë jetojnë edhe mijëra shqiptarë nisi më së shumti në 23 maj të vitit 1992  në Siçili, menjëherë pas ekzekutimit të gjykatësit italian të antimafias, Giovanni Falcone. Miku dhe kolegu i tij, Paolo Borsellino do të vritej dy muaj më vonë, duke e bërë vitin 1992 një pikë kthese në ndjekjen penale të mafias italiane.

Kthesë, që e futi Drejtësinë italiane në shinat e duhura. Dhe ku shembulli ishte praktika “falconiane” e të penduarve të Drejtësisë, praktikë që edhe SPAK-u shqiptar kërkon ta përdorë si metodë .Krimet monstruoze të mafias italiane përfshirë edhe krimin me karakter ekonomik, e ku ishin përfshirë shumë banka, kanë ngjashmëri si “dy pika uji” me atë çfarë ka ndodhur ndër vite në Shqipëri.

Pikërisht në këtë leksion të Giovanni Falcone se hetimi mbi krimet dhe veprimtarinë e strukturave mafioze duhet shoqëruar me hetime edhe në pasuritë e mirëfillta dhe në ato të depozituara në banka është bazuar edhe Shqipëria.

Burimi Top Chanel