Jashanica rikthim neser ndaj Vllaznise,pas 740 ditësh mungese

Tashmë lojtari përfundon pezullimin dhe rifiton të drejtën për të luajtur futboll.Ndonëse ka që prej shkurtit të 2018-ës që nuk luan, ne Korcë besojnë te cilësitë e këtij lojtari. Përvoja që ai ka dhe mbi të gjitha fakti që po stërvitet intensivisht, u jep shpresë drejtuesve që një afrim i tij do ta “blindonte” prapavijën.

Skenderbeu ishte nje klub i destinuar të dhurojë kujtime të paharrueshme. Gëzime, befasi, gola emblematikë, zhgënjime dhe lavdi…të cilat nuk kanë munguar në asnjërin prej edicioneve të kampionatit kombetar apo ne europë.Pjesmarja ne fazen ne grupe është skena ku ngjiten yjet më të mëdhenj të këtij sporti keto emocione ne Shqiperi i kane perjetuar duke veshur fanellen e Skenderbeut midis te cilëve eshte dhe mbrojtesi shtatlartë ,Bajram Jashanica.Por futbolli ka prodhuar në të njëjtën kohë përveç shkëlqimit dhe anën e errët të denimeve.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kosovari ka folur për gjithçka ka përjetuar këto ditë. Vlerëson trajnerin Daja, ndërsa “troç” e thotë se i ka munguar edhe Përfaqësuesja e Kosovës. 

Jashanica, të shtunën riktheheni në fushë pas 740 ditësh. Çfarë do të thotë për ju kjo ditë? 

Është dita më e lumtur e jetës sime. Ju tregoj se po gëzoj si fëmijë dhe po e pres me padurim çastin e ndeshjes. Është një emocion i madh. Ka qenë me të vërtetë një pritje shumë e madhe dhe një periudhë e gjatë që unë isha jashtë. Por pas kësaj që kalova, e them me bindje se tani më presin vetëm momente të mira në fushë, pasi të vështirat i kam kaluar.

Kur u mor vendimi për ju, cila ishte gjëja e parë që menduat? 

E kam thënë në një intervistë të dhënë për ju që jam ndierë shumë keq. Ju lutem të mos i kujtojmë më ato momente të vështira. Ajo që kaloi, kaloi tani nuk dua t’i kujtoj. Jam vetëm duke menduar për të ardhmen duke nisur nga e shtuna.

Si është gjendja e Jashanicës pas kësaj pauze të gjatë. A jeni gati për të luajtur titullar?

Ju edhe mund të mos e besoni, por po e pres me padurim ditën e shtunë, që të zbres në fushë. Shyqyr Zotit kam qenë mirë dhe besoj se jam gati. Çlirimi më i madh për mua ishte kur u bashkova me ekipin. Atje e ndjeva se gjithçka po merrte fund. Nga data 4 janar kam punuar fort dhe kam dhënë maksimumin tim në stërvitje për të qenë i gatshëm që në momentin e parë. Kam marrë një ngarkesë mjaft të mirë dhe puna çdo ditë pranë grupit më ka bërë vërtet mirë. Tani do të shohim edhe në ndeshje se si do të jem, pasi është mjaft e vështirë kur je dy vite pa luajtur. Megjithatë, me ndihmën e grupit them se do ia dal.

Trajneri Daja ka vendosur me sa duket për t’ju hedhur në fushë si titullar. Jeni gati?

Kjo është një anë tjetër pozitive e trajnerit Ilir Daja. Një njeri i aftë për atë çka bën në fushën e futbollit, por mbi të gjitha një njeri i madh edhe në shpirt. Për mendimin tim, është trajner shumë i mirë, një nga më të mirët në Shqipëri, Kosovë apo dhe në Maqedoni. Ka një meritë të veçantë edhe te kjo pjesë, që unë e kam arritur ta kaloj me sukses. Meriton respekt dhe do të mundohem që t’ia jap nga fusha atë respekt që ai meriton.

Periudhën e pezullimit si e keni përjetuar?

Kemi vuajtur shumë si unë ashtu edhe familja, në këto dy vite të tmerrshme. Por, nuk dua që ta kujtoj më. Ajo që iku, iku dhe duhet që të shohim para, unë familja ime dhe familja korçare.

A keni menduar ndonjëherë që të thoshit “mjaft” pas kësaj që ndodhi?

Jo, asnjë moment të vetëm nuk e kam menduar një gjë të tillë. Më ka mbajtur të lidhur fort karakteri im që nuk dorëzohet asnjëherë. Kjo ka qenë shtysa më e madhe që më ka bërë të jem i përqendruar dhe të mendoj vetëm rikthimin. Kështu kam vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe, nuk jam dorëzuar dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem.

Po Përfaqësuesja e Kosovës ju ka munguar këto kohë?

Pa dyshim që po. Më ka munguar shumë. Kisha arritur një moment të mirë me ta dhe isha pjesë e grupit. Ishte një ndalesë që nuk duhej. Por do të mundohem ta rifitoj sërish.

A e mendoni sërish rikthimin?

Po patjetër, do të punoj fort dhe do ia arrij. Them se është diçka që do të ndodhë. Unë do e bëj punën time më pas e di trajneri.

Cili është mesazhi juaj pas gjithë kësaj që ndodhi?

U lutem të gjithëve të kujdesen sa më shumë për lojtarët. Unë për vete isha në kulmin e karrierës. U lutem mjekëve dhe drejtuesve të klubeve, që askujt të mos i ndodhë më kjo që më ndodhi mua, është shumë e rëndë, më e rëndë se një dëmtim që të rrezikon edhe karrierën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: