Artan Fuga:Revoltohuni, po prishet shpresa e kombit

Protesta e maturantëve ditën e sotme ka marrë vëmendjen e të gjithëve. Ajo nisi si një irritim mbi provimin e Gjuhës Shqipe, ku sipas gjimnazistëve testi ishte me pyetje absurde.Por në protestë janë bashkuar shumë aktivistë të shoqërisë civile dhe studentë.Në mbështetje të tyre kanë dalë gjithashtu mësues dhe pedagogë.Ndër ta është edhe akademiku i njohur Artan Fuga.

Postimi i Fugës:

Unë mbështes fort protestën e maturantëve të Shqipërisë! Ata kanë një mijë herë të drejtë! Trajtohen me privilegje politike grupe dhe shtresa të caktuara, niveli i dijeve që u jepet është skandaloz, tezat e ndërtuara në mënyrë qesharake, shpërndarje e tyre në degët universitare e gjitha e dalë boje dhe e korruptuar, e ardhmja e tyre kulturore e vendosur në hone rrëpirash!

Arsimimi që u jepet po u shkatërron jetën për dekadat e ardhëshme! Ata kanë të drejtë! Ligja për arsimimin dhe standardet e shkollimit të kalbura!

Janë të mirë, të edukuar, me etikë të duruar, por politika u ka vendosur gjurin në kokë, po u marrin frymën burokratët, të paaftët, ata që nuk duan një rini të shkolluar!

Gjendja e studentëve dhe e cilësisë të diplomave është po aq e tmerrshme! Shoqëria po i merr frymën rinisë shkollore dhe universitare!

Po prish shpresën e kombit, po e dhunon, e ka lënë pa të drejta, në mëshirën e fatit, në papunësi profesionale, u jep mundësi o shitësa, o roje, o policë, o numurues votash në komisione votimi!

Diplomat pa vlerë në treg! Shkolla nuk është skena e striptizës politike dhe e deklarateve boshe dhe të dëmshme!

Maturantët dëshmojnë se u bëhen privilegje politike antarëve të forumeve politike, se jepen kopje, se ka trajtime të privilegjuara, se ka presione mbi mësuesti politikisht!

Hapini gojën maturantëve dhe do të shohim se çfarë na dëgjojnë veshët! Rinia shqiptare ka të drejtë të revoltohet!

Shtyhet me një javë hapja e transportit publik

Shtyhet me një javë hapja e transportit publik. Vendimi u mor sot nga Komiteti teknik i ekspertëve për pandeminë.Në një deklaratë për mediat, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, u shpreh se pas vlerësimit të situatës aktuale epidemiologjike, u vendos që të mos ketë kthim mbrapa – pra nuk do të vendosen masat e mëparshme kufizuese – por do të shtyhet rihapja e transportit publik për të paktën një javë.

Mira Rakacolli :

“Pas vlerësimit të situatës aktuale epidemiologjike, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ketë kthim mbrapa, por për më shumë siguri, u rivlerësua shtyrja e transporti publik me të paktën 1 javë, si aktivitet me rrezikshmëri të lartë”, tha Rakacolli.

Ndërkohë situata mbetet e paqartë te transporti publik, pasi ndonëse qeveria shpalli datën 15 qershor si rinisje të transportit publik – tashmë të shtyrë me 1 javë – nga ana tjetër, përfaqësues të shoqatave të transportit publik nuk pranojnë te rinisin aktivitetin ne rast se nuk plotesohen 4 kërkesat e tyre.

Tërhiqet Greqia/ Shtyn me dy javë hapjen e pikave kufitare me Shqipërinë

Ministri grek i Turizmit ka deklaruar ditën e sotme se shtatë pikat kufitare tokësore greke do të hapen më datë 1 korrik dhe jo më 15 qershor për turistët siç ishte deklaruar më parë.Ky vendim vlen për Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që fluturimi që është planifikuar për në datën 15 qershor Tiranë-Athinë nuk do të anulohet pasi bllokimi është bërë vetëm për turistët.Personat që kanë leje qëndrimi nuk bëjnë pjesë në këtë vendim, ata do të lejohen.

Aeroporti i Tiranës do të presë ditën e sotme për herë të parë një avion me turistë nga Bjellorusia. Ky është fluturimi i parë që do të ulet që pas mbylljes për shkak të pandemisë Koronavirus dhe bëhet me dije se do të jenë 192 turistë që do të vijnë në vendin tonë.

Avioni pritet të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 17:30. Theksojmë që aeroporti ka funksionuar edhe gjatë pandemisë, por vetëm për të riatdhesuarit dhe ndihmat humanitare dhe jo për turistë.

Shqiptarët pa transport publik Urbanët nuk nisin punën të hënën

Urbanët duket se nuk do të nisin punën ditën e hënë me 15 qershor, pavarësisht vendimit të marrë nga qeveria.Shoqata e Transportit publik ka deklaruar se nuk i kanë kapacitete e duhura për të rifilluar me transportin në linjat kombëtare.Ky është një lloj shërbimi që nuk mund të kryhet sipas protokollit të propozuar nëse nuk do të ketë ndërhyrje në subvenciononim e kapaciteteve të munguara si rezultat i zbatimit të këtyre masave.

Kërkesat e tyre janë :

Transporti publik të jetë falas për udhëtarët gjatë pandemisë, por të subvencionohen nga shteti, subvencionim nga shteti për vendet bosh në mjete për shkak të pandemisë.

Nëse kjo pikë nuk plotësohet, atëherë ata kërkojnë që 30% e kapacitetit që mbetet bosh të subvencionohet nga shteti.

Ata kërkojnë më tej edhe heqjen e akcizës dhe taksave për karburantin, heqjen e TVSH-së së transportit gjatë vitit 2020 dhe në vitin 2021 TVSH-ja për transportin të shkojë 6%.

Në këto kushte subjektet e transportit publik, qytetas, ndërqytetas në çdo datë që do të urdhërohet rifillimi i shërbimit do të refuzojnë shërbimin e linjave në nivel kombëtar, këto linja janë të paafta për ta rifilluar këtë shërbim”,janë shprehur Përfaqësuesit e shoqatës së Transportit publik.

COVID-19/ 31 RASTE TË REJA, SHKON NË 1416 NUMRI I TË PREKURVE NË VEND

Ka shkuar në 1416 numri i personave të prekur nga kovid -19.Ditën e sotme në vendin tonë janë regjistruar 31 raste të reja me koronavirus, një numër rekord ky që nga fillimi i pandemisë.Të shpërndara: 8 në Tiranë, 6 në Pukë, 5 në Shkodër, 5 në Vlorë, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Elbasan, dhe 1 rast në Lushnje.Në vendin tonë janë 346 pacientë aktive dhe pjesa më e madhe po ndiqet nga mjeku i familjes.Juglindja e vendit vazhdon të ketë 1 person pozitiv Covid-19.Numri i testeve ne total ne Qarkun e Korçes eshte 316.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet :

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 31 raste të reja dhe 33 të shëruar në 24 orët e funditNjë humbje jete në 24 orët e fundit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për respektimin e masave

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e fillon kominikimin e sotëm me një thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë popullatën, të jemi më të kujdesshëm për shëndetin tonë dhe të afërmve tanë ndaj Covid19, të respektojmë distancimin fizik jo më pak se 1.5 m, aty ku nuk është e mundur të respektohet të përdoret maska mjekësore, të evitojmë grumbullimet masive, në ceremoni festive, mortore, fetare, të evitojmë kontaktet, dhënien e duarve dhe përqafimeve, të respektojmë higjenën respiratore, kollitje e teshtime të kryhen në këndin e brrylit dhe të gjitha masat duhet të kombinohen me higjienën e larjes së duarve.

Është shumë e rëndësishme që në këtë luftë kundër Covid 19 të jemi të gjithë bashkë!!Kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, hetimi dhe gjurmimi aktiv i rasteve në terren. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 300 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 31 raste pozitive, pjesa më e madhe kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë.

Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 8 raste në Tiranë, 6 në Pukë, 5 në Shkodër, 5 në Vlorë, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Elbasan, dhe 1 rast në Lushnje.Lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të prekurve nga Covid19.

Janë shëruar 33 qytetarë.Por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një pacient nuk e ka fituar dot betejën me Covid19. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71 vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej më shumë se dy javësh.
Aktualisht në spitalin infektiv po marrin sherbim 48 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive.

Në vendin tonë janë aktualisht 346 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton edhe njëherë për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e rregullave dhe për të mos e ulur vigjilencën në asnjë moment.
Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

COVID-19 – Statistika (12 Qershor 2020)
Testime totale 19862
Raste pozitive 1416
Raste të shëruara 1034
Raste Aktive 346
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 199
Shkodër 45
Krujë 32
Kamëz 23
Durrës 15
Pukë 7
Lushnje 6
Vlorë 6
Elbasan 3
Mat 2
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1

Gjithçka duhet të dini para se të shkoni tek Kisha e Laçit

Është e njohur shprehja: Betohem për Kishë të Laçit. Sepse ai vend është aq i shenjtë sa përbën kultin e Zotit për Shqipërinë. Njerëzit në atë vend të mrekullueshëm takohen me hyjnitë, çojnë sende personale, përkëdhelin shenjtin dhe luten për problemet e tyre që kërkojnë zgjidhje. Besimtarët shkojnë për 12 të marta rresht në rrugën e mundimshme që të çon drejt shenjtit .Në dt 12 qershor besimtarët qëndrojnë atje, për të pritur ditën e 13 qershorit që është dhe vdekja e Shën Ndout.

Por ç’duhet të dini nëse do të shkoni për herë të parë në Kishën e Laçit?

Zona njihet si vend i mirë, ku besimtarët e krishterë dhe jo vetëm drejtohen për t’iu lutur Zotit, për të hequr siklete e a për mbarësi. Rekomandohet që pelegrini të niset me një ide të qartë dhe të vetme në mendje.

Pelegrinazhi në këmbë nis tek fillimi i shkallëve. Besimtarët më të mëdhenj, ata që kanë probleme të mëdha shëndetësore apo një hall madhor preferojnë t’i ngjisin në këmbë shkallët, pasi konsiderohet sakrificë. Rruga në këmbë është e gjatë dhe e mundimshme.

Kur arrin në buzë të kodrës, pelegrinët hyjnë në brenda në Kishë ku edhe luten për arsyen që i solli aty. Mund të qëndroni sa të keni nevojë.Pas kësaj, pelegrinët vizitojnë shpellën e Shën Vlashit aty pranë.

Në brendi, mund të lini rroba, fotografi, dokumenta a gjëra të ngjashme që kanë lidhje me problemin tuaj. Porsi në Kishë, edhe në shpellë mund të luteni.

Në dalje të shpellës qëndron prifti që prek besimtarët dhe u pranon lutjet, si të thuash.Pelegrinët ngjiten sërish lart dhe bëjnë ritualin e ujit të bekuar. Jashtë ndodhen dy çezma pikërisht për këtë funksion.

Me dorë preket uji dhe po me atë dorë fërkon zonën ku keni problem në trup. Përshembull, ata që vuajnë nga dhimbje kronike koke, fërkojnë kokën. Më pas, bëhet kryqi.Në fund, ndizen qirinjtë në një zonë të posaçme jashtë. Qirinjtë mund t’i merrni me vete, ose mund t’i blini tek shitësit aty pranë. Gjithashtu mund të blini hajmali të ndryshme për fat të mbarë, ose të merrni një gur nga vendi i shenjtë a ujë të bekuar për ta sjellë në shtëpi.

Vizitat në Kishën e Laçit duhen bërë gjithmonë në numër tek. Pra, ose duhet të shkoni një të martë, ose tre të marta, pesë të marta, e me radhë.Nëse e keni bërë ndërmend të shkoni, duhet të shkoni patjetër. Pelegrinazhi për në Kishën e Laçit s’mund t’i lihet rastësisë e as pezull.Qarkullojnë fjalë se gratë nuk mund të hyjnë në Kishë teksa menstruojnë, por kjo praktikë nuk ndiqet nga të gjithë.

Këshilla më e rëndësishme nga të gjitha është të besosh, të ndjesh energjinë e vendit dhe të kesh zemër të hapur. Pelegrinazhi në Kishën e Laçit është një përvojë shpirtërore më tepër se fetare dhe pragmatizmi s’mund të jetë kurrsesi i dobishëm.

Zbulohen datat dhe aeroportet, ja kur rinisin fluturimet me Italinë

Aviacioni Civil Italian ka publikuar të gjitha fluturimet e planifikuara që të kryhen me Shqipërinë gjatë sezonit veror.Fluturimet nisin nga 16 qershori dhe mund të kryhen nga dy kompani të ndryshme ajrore, Albawings dhe Blue Panorama.

Kjo parashikon që kufijtë me Italinë të hapen nga java e ardhshme, njësoj si me Greqinë, ndërsa janë parashikuar të nisin fluturimet me Athinën nga 15 qershori.

Sipas njoftimit të Aviacioni Civil Italian, të gjitha të dhënat për fluturimet e parashikuara janë të pandryshueshme./shqip