Perfundon sfida mes Partizanit dhe Skëndebeut e vlefshme për javën e 27-të të Kategorisë Superiore.Skënderbeu ka arritur të fitojë me rezultatin 1-2 ndaj Partizanit në super sfidën e zhvilluar në kryeqytet. Kanë mjaftuar vetëm dy shkrepje brenda një minutë për të vrarë ndeshjen ndaj të kuqëve, falë realizimeve të Gripshit dhe Ditës.Ndërkohë nga ana tjetër goli i Feratit ka shërbyer vetëm për statistika të ndeshjes.Trajneri i skuadrës korçare, Ilir Daja, foli pas ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli”, ku u shpreh:

Ndeshja – Rifillimi është më i vështirë se fillimi nga e para, sepse duhet të prezantohesh në atë nivel që e ke ndërprerë. Kjo ishte më e mira, sepse vazhduam serinë e fitoreve, kundrejt Partizanit, ekipit në fuqi, që ka potencialin dhe lufton për vendet e sipërme. Kjo fitore na jep shpresë për vazhdimësinë, ashtu siç e kishim nisur këtë pjesë të dytë të kampionatit.
Përveç efektit që vazhdoi seria e fitoreve, nuk mund të them se skuadra është më e mira sec ka qenë. Më gëzon fakti që ekipi ka një shpirt skuadre që sakrifikon për njëri-tjetrin. Kjo është arma jonë e fortë dhe sot u pa. Megjithëse lojtarët ishin të kontraktuar, vazhduan për të qenë deri në fund pjesë e fitores.
Kënaqësia kur mund Partizanin – Dua të fitoj çdo ndeshje, qoftë me Partizanin apo dhe ekipet e tjera. Kur fitohet me ekipe me potencial dhe traditë të tillë, kënaqësia është më e madhe. Fitoret më shijojnë si ditën e parë kur kam filluar fitoren. Edhe fitoren ndaj Flamurtarit në ndeshjen e radhës do ta shijoja me të njëjtin kënaqësi.

Gjyqi në Gjykatën Federale – Nuk kam informacion të saktë. Është studio ligjore që e ndjek këtë proces, me shpresën që të jetë një vendim pozitiv. Jo vetëm për Skënderbeun, por për të gjithë futbollin shqiptar.
Çfarë duhet të bëjë më shumë një trajner shqiptar për të merituar një ekip Kombëtar? Nuk kam pikësynim të drejtoj ekipet Kombëtare të moshave, se kthehem 20 vite mbrapa, sepse i kam drejtuar në vitet 2000. Jo vetëm unë, por çdo koleg është i aftë që pavarësisht kushteve, kemi potencialin e duhur, që këtë lojë kaq të bukur ta zhvillojmë.
Ta bëri më të lehtë trajneri i Partizani, apo është merita e lojtarëve? Secili trajner ka manovrën e vetë për të dalë drejt fitores. Edhe Partizani pati shanset e veta në fillim ku mund të na godiste. Pjesa e fitores shkon e gjitha për ekipin, fryma e grupit tek ekipi jonë është në nivelin e duhur. Kur kemi një frymë grupi, gjithmonë shkohet te fitorja. Jo si mangësi e kolegut, por si meritë e klubit erdhi fitorja.
Bruno Dita ishte një nga më të mirët në fushë për Skënderbeun, në triumfin e sotëm ndaj Partizanit. Mesfushori shënoi golin e dytë në fundin e pjesës së parë. Në prononcimin pas ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli”, Dita u shpreh:

6 gola këtë sezon – Kam shënuar 6 gola. Është sezoni im më i mirë. 5 gola kam bërë në Durrës para disa vitesh. Duhet të bëj maksimumin për të dhëna akoma për ekipin dhe të rritemi sa më shumë në renditje. Goli ishte i punuar në stërvitje. Pashë zonën boshe e sulmova, fati im që erdhi topi tamam siç e desha.
A ra në “grackë” Partizani? Pjesën para e kemi shumë të shpejtë. Jemi grup, e prisnim që Partizani të luante ashtu. Kemi parë edhe videot e ndeshjeve. Mendoj ishte ndeshje deri diku e barabartë, rastet i shfrytëzuam në maksimum. Fati na buzëqeshi neve.
Merkato – Unë do bëj maksimumin sa kam kontratën me Skënderbeun. Pastaj mbetet për tu parë kur të mbaroj kontrata. Varet nga gjyqi që është në qershor ose më mbrapa, më pas do ulem me presidentin Takaj. Kjo fitore shkon për Dorianin që ka ndërruar jetë dhe për Krisild Boshkun që kaloi me sukses një operacion.











