Nga tetori, punëtorët në Gjermani do të paguhen 12 euro për një orë pune

Rreth 6.2 milionë punëtorë në Gjermani do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale të miratuar nga ligjvënësit. Kjo rritje vjen si pasojë e rritjes së inflacionit në Gjermani. Kancelari gjerman Olaf Scholz e bëri rritjen e pagës
minimale një pikë kyçe në platformën e tij zgjedhore dhe, të premten,
ligjvënësit e miratuan një projektligj që e rrit pagën minimale në 12 euro në
orë duke filluar nga 1 tetori – një rritje prej 2,18 euro në orë.

Paga minimale në BE, kryeson Luksemburgu dhe Irlanda

Kjo rritje do të thotë 400 euro shtesë në muaj për njerëzit
me të ardhura mujore prej 1700 eurosh, sipas ministrit të Punës Hubertus Heil.

Gjermania prezantoi një pagë minimale kombëtare në vitin
2015 me insistimin e socialdemokratëve të qendrës së majtë të Scholz, të cilët
në atë kohë ishin partnerë të vegjël në qeverinë konservatore të ish-kancelares
Angela Merkel.

“Shumë qytetarë të vendit tonë punojnë shumë, por fitojnë
pak – kjo duhet të ndryshojë,” shkroi Scholz në një postim në Twitter kur
kabineti i tij ra dakord për këtë rritje në muajin shkurt. “Për mua, ky ligj
është një nga ligjet më të rëndësishme dhe një çështje respekti.”

A e kundërshtoi dikush ngritjen e pagës minimale?

Projektligji për rritjen e pagës minimale kaloi me një
diferencë të gjerë me 400 pro, 41 kundër dhe 200 abstenime, kryesisht nga
blloku opozitar i Unionit Kristian Demokrat dhe Unioni Kristian Social
(CDU/CSU).

Politikanët nga CDU/CSU e qendrës së djathtë theksuan se nuk
ishin kundër rritjes së pagës minimale, por mënyrës sesi e solli koalicioni i
Scholz-it i socialdemokratëve, të gjelbërve dhe demokratëve të lirë
neoliberalë. Partia e Majtë Socialiste iu bashkua treshes së partive të
koalicionit qeveritar në votimin për miratimin e projektligjit.

Si përcaktohet paga minimale në Gjermani?

Paga minimale në Gjermani përgjithësisht rekomandohet nga
një komision që përfshin përfaqësues të punëdhënësve dhe punonjësve.
Politikanët më pas nxjerrin ligje në bazë të këtyre rekomandimeve. Por për këtë
rritje, qeveria e anashkaloi komisionin dhe vendosi vetë çmimin prej 12 euro,
duke shtuar se organi do t’i përcaktojë rritjet e ardhshme.

Disa punëdhënës ishin kritikë ndaj kësaj rritjeje, duke
argumentuar se qeveria po ndërhyn në negociatat e krijuara prej kohësh midis
punëdhënësve, punonjësve dhe sindikatave për t’i vendosur nivelet e
kompensimit.

Sindikatat dhe politikanët, megjithatë, e kundërshtuan këtë
kritikë duke thënë se një pagë minimale e vendosur në 12 euro për një orë pune
do ta reduktonte varfërinë në Gjermani.

Kush e merr një pagë minimale në Gjermani?

Paga minimale e Gjermanisë e mbulon shumicën e punëtorëve në
vend që janë mbi 18 vjeç. Kjo përfshin punëtorët sezonalë, pavarësisht se nga
janë ata.

Si në shumicën e vendeve, ka një sërë përjashtimesh nga
rregulli. Praktikantët, punëtorët që marrin pjesë në skemat e promovimit të
punës, të papunët afatgjatë në gjashtë muajt e parë pas rihyrjes në tregun e
punës dhe individët e vetëpunësuar nuk mbulohen nga ligji i pagës minimale.

Punëtorët që kalojnë tranzit nëpër vend, si pilotët e
linjave ajrore dhe shoferët e kamionëve, gjithashtu nuk mbulohen.

Sa shpesh ndryshon paga minimale?

Paga minimale aktuale kombëtare është 9,82 euro, me një
rritje në 10,45 euro që nga korriku tashmë në regjistra. Komisioni i pagës
minimale do të vendosë për nivelet e rritjeve të mundshme në të ardhmen në
janar 2023 dhe qershor 2023.

Gjermania ka një nga pagat minimale më të larta në Bashkimin
Evropian. Me normën aktuale prej 9,82 euro për një orë pune, një punonjës me
kohë të plotë do të fitonte 1,621 euro në muaj, pak pas Luksemburgut (2,257
euro), Irlandës (1,775 euro), Holandës (1,725 euro) dhe Belgjikës (1,658 euro).

Një numër vendesh të Bashkimit Evropian – si Danimarka, Italia, Austria, Qiproja, Finlanda dhe Suedia – nuk kanë pagë minimale kombëtare. Ata mbështeten në sindikatat dhe sektorët individualë për t’i vendosur pagat e tyre./DW

Advertisement