8 bebe në 1000 lindje nuk mbijetuan më 2021/ Shqipëria me vdekshmërinë foshnjore sa dyfishi i rajonit…

Vdekshmëria foshnjore qëndroi edhe vitin e kaluar në nivele të larta, duke konfirmuar se Shqipëria vijon të ketë nivelet më të larta në Europë të këtij fenomeni, që ndër të tjera reflekton përhapjen e gjerë të varfërisë dhe mungesën e shërbimeve mjekësore.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 humbën betejën me jetën 228 foshnja nën moshën 1 vjeç nga 281 në vitin 2020 me një rënie 18.8%. Ndryshe nga vitet e tjera, INSTAT këtë vit nuk publikoi koficentin e vdekshmërisë foshnjore (një humbje jetë nën një vjeç në raport me 1000 lindje të gjalla) për shkak të një ndryshimi metodologjik.

Të dhënat mbi vdekshmërinë foshnjore nuk mund të krahasohen me vitet e mëparshme si pasojë e një ndryshimi metodologjik në 2021. Seria kohore para vitit 2021 do të jetë objekt rishikimi pas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2022” sqaroi INSTAT.

Sipas metodologjisë së vjetër koeficienti i vdekshmërisë foshnjore ishte 8.3 me 2021. Më herët Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik që mbledhin dhe përpunojnë statistikat rreth shëndetit kanë pohuar se ka disa problematika në raportimin e treguesit.

Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, në vitin 2021 shkaktari më i madh i fataliteteve te bebet ishin sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes ose rreth 44 % e të gjitha fataliteteve foshnjore.

Shkaktari i dytë më i madhe ishin “ndërlikimet në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes”. Nga kjo diagnozë kanë humbur jetën 21 % e të gjitha fataliteteve, ndërsa 19 % ishin nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, 9.2 % ishin anomali të bashkëlidhura, 3.5 % probleme të aparatit të frymëmarrjes dhe 3.5% sëmundje të tjera.

Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një grua shtatzënë duhet të ketë të paktën katër vizita para lindjes për të zvogëluar rrezikun e lindjeve të vdekura dhe ndërlikimet e shtatzënisë, dhe vizita e parë duhet ndodhë 8 deri në 12 javët e para të shtatzënisë.

Anketa Demografike e Shëndetit, 2017-‘18 (ADHS) që jep informacion të detajuar në lidhje me shëndetin e popullatës, gjeti se pjesa më e madhe e nënave shqiptare i respektojnë këto udhëzime, pasi 78% e tyre kishin katër ose më shumë vizita para lindjes, dhe 82% e tyre kishin vizitën e parë në tremujorin e parë të shtatzënisë.

Të dy treguesit janë më të lartë në zonat urbane. Përqindja që kishte të paktën katër vizitat para lindjes është 82% në zonat urbane, krahasuar me 73% në zonat rurale. Anketa gjeti se varfëria dhe niveli i arsimit ishte një element thelbësor për shërbimet shëndetësore te gratë shtatzëna. Rezultatet e anketës tregojnë ndryshime të mëdha në qarqe te gratë që morën hekur dhe vitamina gjatë shtatzënisë. Vetëm 13% e grave para lindjes në Kukës morën suplemente dhe hekur më 2018, krahasuar me 80% të shtatzënave në Gjirokastër.

Studime më të hershme të institutit të Shëndetit Publik kanë gjetur se, pjesa më e madhe e vdekjeve te foshnjat ndodh në zonat rurale në prindër me arsim të ulët. Kjo gjetje është reale edhe sot, madje është përkeqësuar, pasi shërbimi mjekësor për moshat pediatrike mungon në rrethe, ose është shumë i dobët dhe nga ana tjetër, varfëria në rritje në zonat urbane pengon nënat e reja të kenë akses te shërbimet mjekësore.

Në maternitetet rajonale dhe bashkiake mungojnë kirurgët. Nënave të reja që u duhet të lindin me operacion, u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës, por disa lloje ndërlikimesh në barrë si “rezusi negativ” kërkojnë ndërhyrje urgjente. Punonjës në shërbimet publike pohojnë se mungesa e shërbimeve kirurgjikale në rrethe e ka rritur vdekshmërinë foshnjore. Edhe mungesa e mjekëve në rrethe që asistojnë nënën gjatë barrës dhe ndjekin shëndetin e foshnjës pas lindjes është bërë shkak për rritjen e fataliteteve te foshnjat. Në shumicën e rretheve, mjekët kirurgë janë nga Tirana dhe punojnë me orar të kufizuar, ndërkohë që në fundjavë shërbimet nuk janë të mbuluara.

Eurostat në një raport përmbledhës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë vërejti se, Shqipëria e kishte vdekshmërinë foshnjore 10.3 për 1000 lindje të gjalla, fenomen, i cili mbeti i lartë edhe më 2020 me 10 foshnje për 1000 lindje. Kjo normë ishte më shumë se dyfishi i mesatares rajonale, raportoi Eurostat.

Pas Shqipërisë, Kosova renditet me normën më të lartë në Rajon me 8.7 foshnje të vdekura për 100 lindje, Maqedonia e Veriut me 5.6, Serbia me 4.8 dhe Mali i Zi me 2.4. Në BE norma mesatare e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2019 ishte 3.4. / Monitor

Mish pule me kok*inë nga Brazili/ Kapet sasi e madhe droge në Durrës e ambalazhuar me “Gokun” (Foto)

Një sasi droge, e llojit kokainë është kapur këtë mbrëmje në portin e Durrësit, në brendësi të një kontenieri me mish pule.Droga është gjetur në kontenierin që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut. Nuk dihet nëse sasia e kokainës është vendosur që në vendin e origjinës apo më vonë mes mishit.

NJOFTIMI

Si rezultat i kontrolleve bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Qeset plastike/ Mirela Kumbaro paralajmëron :”Grupet inspektuese nisin monitorimin e rreptë për gjoba prej 1 korrikut…

Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro në takimin e organizuar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit me përfaqësues të prodhuesve të qeseve plastike tha se pas fazës së informimit dhe të këshillimit, më 1 korrik grupet inspektuese nisin monitorimin e rreptë për zbatimin e ligjit që ndalon prodhimin, importimin dhe tregtimin e qeseve plastike njëpërdorimshe. Kumbaro shtoi se qytetarët nuk detyrohen të blejnë qeset me parametrat e rinj, madje kjo duhet të shërbejë si një nxitje për t’i orientuar drejt çantave shumëpërdorimshe dhe trajsave.

Kumbaro tha:

Ligji është miratuar në datën 17 mars në parlament dhe qëllimisht hyri në fuqi në 1 qershor për t’u lënë kohë subjekteve që të informohen dhe të marrin masat. Gjatë gjithë kësaj periudhe grupet tona kanë qenë në terren për të informuar dyqanet, supermarketet, tregjet për këtë nismë ligjore. Në këto ditë të para nuk ka qenë qëllim gjobitja, por informimi dhe sensibilizimi.Prej 1 korrikut, grupet inspektuese nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importuesit, nga Inspektorati i Tregjeve për tregtuesit dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për prodhuesit, do të jenë të rreptë duke aplikuar kontrolle dhe gjobat sipas parashikimeve ligjore për këdo që shkel ligjin. Qeset sipas standardit të ri janë shumëpërdorimshe, por përtej kësaj qytetarët nuk janë të detyruar aspak t’i blejnë.

“Të hamë bukë shqiptare”/ Durrsaku sfidon Putinin: “Mbjell 137 hektarë me grurë dhe misër…

Në një kohë që gruri mbetet një produkt i kërkuar dhe nga lufta ruse në Ukrainë, në treg ka mungesa, por që Erlin Lala nga fshati Jubë i Durrësit ka mbjellë dhe kultivuar drithëra në 137 hektarë tokë. “Nga të cilat 55 ha janë grurë, 65 ha misër, 5 ha fasule dhe pjesën tjetër jonxhë”, thotë Lala.

29-vjeçari thotë se pasioni i tij është dhe patriotik. Sipas Erlinit, Shqipëria i ka potencialet bujqësore që të fitojë pavarësinë nga gruri i rus.

“Të hamë bukë shqiptare duhet filluar nga infrastruktura duke rregulluar rrugët dhe kanalet kulluese atëherë nuk do të mbesë asnjë copë toke pa mbjellë. Dhe nuk do të kemi nevojë as për Serbinë dhe as për Rusinë”,--thotë për ”Top Channel

Pavarësisht luftës, gruri nga Rusia e largët ende kushton më lirë se gruri që kultivon Erlini në Durrës. Putini mund të jetë diktator, por fermerin rus e subvencionon dy herë për të njëjtën kulturë.Fermerët tanë mbjellin gjithnjë e më pak drithëra, për pasojë vendi ynë furnizohet me grurin nga Rusia, Ukraina dhe Serbia.

Varësia mdaj importit në këtë kohë lufte, na mësoi domosdoshmërinë e kësaj kulture bujqësore. Ministria e Bujqesisë duhet ta subvencionojë fermerin edhe për sipërfaqen e mbjellë, kështu edhe konsumatorit buka do t’i kushtojë më lirë se sot.

Tragjike në Greqi/ Sportistja 22-vjeçare bie pa ndjenja dhe vdes,gjatë stërvitjes (Foto)

Një studente 22-vjeçare greke, Gjeorgjia Solanaki ka ndërruar jetë pas një ataku në zemër, për shkaqe që janë ende të panjohura.Pas autopsisë, tashmë vëmendja do t’i kushtohet ekzaminimeve histologjike dhe toksikologjike për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes së vajzës. Nga autopsia ka rezultuar gjithashtu se ajo nuk rezulton të ketë pasur probleme shëndetësore.

E reja ishte studente e vitit të tretë në universitetin e sportit TEFAA Komotini. Ajo ra pa ndjenja ndërsa ishte duke u strëvitur në stadiumin e shkollës së saj, ndërsa u gjet shumë vonë dhe nuk mundi të merrte nmdihmën e nevojshme për të mbijetuar.

Vlen të theksohet se 22-vjeçarja mbante një orë që regjistronte kohën dhe pulsin e saj dhe është objekt hetimi nga autoritetet, në përpjekje për të përcaktuar kohën dhe mbi të gjitha shkakun e vdekjes.

Ku pyet drejtësia se me çfarë shkojnë njerëzit / Spartak Ngjela pro shkrirjes së gjykatave: “Anglia ka vetëm një Gjykatë Apeli

Avokat Spartak Ngjela është pro hartëss së re gjyqësore. Gjatë një debati televiziv në emisionin “Open”, me Eni Vasilin ai tha se nuk do të bojkotonte seancat gjyqësore sic kanë bërë kolegët e tij në shenjë protestë kundër vendimit për shkrirjen e shumë gjykatave në shkallë vendi.“Ku pyet drejtësia se me cfarë shkojnë njerëzit aty. Me se të duan të shkojnë, me bicikletë. E keni parë ju Anglinë? Vetëm një Gjykatë Apeli ka. Drejtësia nuk ka karakter popullor, ka karakter profesional”, tha Spartak Ngjela.

U kapën duke punuar ‘në të zezë’/ Arrestohen pesë shqiptarë në Gjermani…

Pesë migrantë nga Shqipëria janë arrestuar nga dogana në qytetin e Potsdamit në Gjermani. Migrantët nga Shqipëria kishin rënë në “syrin” e kontrollit financiar për punë të paligjshme. Arrestimi i tyre bë më 9 qershor derisa ata po punonin në shtrimin e një rruge në Ludëigsfelde. Ata u kapën duke punuar “në të zezë”.

Gjatë vëzhgimit dogana kishte vërejtur mashtrimin që është i njohur për ta.

Sipas njoftimit nga Zyra e Përgjithshme e Doganave kompanitë nga Britania e Madhe u ofrojnë pronarëve të shtëpive shërbime të ndryshme dhe zakonisht kërkojnë pagesë direkte. Kryesisht ofrohen punime me gurë dhe kopsht,e po ashtu edhe ndërtimi i tarracave ose krijimi i shtigjeve në oborre të shtëpive. Në njoftim thuhet se disa nga kompanitë punësojnë punëtorë të paligjshëm dhe nuk paguajnë taksa dhe as kontribute për punëtorët.

Ndryshime në qeveri/ Emërohet Zv/Ministrja e shëndetësisë(Emri)

Mjekja e njohur infektologe Entela Ramosaçaj është emëruar zëvendës-ministre e Shëndetësisë. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Vendimi:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Entela Ramosaçaj emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ARBEN AHMETAJ

“S’mban më ujë pilafi”/ Shqipëria ngrihet kundër rritjes së çmimeve …sot ora 18.00

Siç është paralajmëruar në rrjetet sociale, sot në ora 18.00 do të ketë protestë qytetare para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve. Ndërkohë sipas organizatorëve protesta do të jetë qytetare për të manifestuar kundër shtrenjtimit të çmimeve, të cilat janë rritur deri në 30 apo edhe 60 përqind. Mbetet të shikohet sa do të jetë numri i pjesmarrësve për të gjykuar se sa është varferia dhe shtrenjtimi i jetës ekonomike…

Në kërkim për dr*gë dhe vrasjen e një personi në Korçë/ “Shqiponjat” prangosin 27 vjeçarin në “Don Bosko”….

Policia e Tiranës ka arrestuar 27-vjeçarin Lulzim Spahia nga Lushnja, i cili kërkohej prej gati një viti në lidhje me një vrasje të kryer në Korçë. Bëhet fjalët për vrasjen e Fridman Xhaferrajt, në qershor të vitit të shkuar. Trupi i tij u gjet i hedhur në rezervuarin e Gjançit në Korçë disa ditë më pas, ku autorët e dyshuar Kristi Bixheku dhe Lulzim Spahia kishin tentuar të fshihnin gjurmët. Blutë bëjnë me dije se Spahisë iu kap edhe një sasi kanabisi në makinë.

Në kuadër të këtij operacioni, në rrugën “Lord Bajron”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: – Lulzim Spahia (A), 27 vjeç, banues në Lushnjë. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, për veprën penale “Vrasja” kryer në bashkëpunim, pasi në bashkëpunim me shtetasin Kristi Bixheku, 26 vjeç, banues në Lushnjë (i arrestuar më parë), në Korçë, më datë 13.06.2021, kanë goditur me sende të forta në kokë shtetasin Fridman Xhaferaj, duke i shkaktuar atij vdekjen”, njofton Policia.

Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka lëshuar urdhër ndalimi për 27-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.