Turizmi në Greqi, në krizë punonjësish / Hotelierët kërkojnë të punësojnë mësues dhe pensionistë…

Problemi numër një për kompanitë turistike në Greqi është pamundësia për të gjetur punonjës që të plotësojnë vendet e planifikuara në hotele dhe njësi të tjera akomoduese. Një çështje e njohur nga pandemia, kur turizmi dhe kateringu përjetuan një eksod masiv punëtorësh për shkak të bllokimeve. Së fundmi, Konfederata e Sipërmarrësve të Akomodimit Turistik të Greqisë (SETKE) i dërgoi një letër ministrave të Punës dhe Financave, ku u kërkon që të lejojnë pensionistët dhe mësuesit publikë të punojnë në muajt e verës në turizëm, pa pësuar pasojat përkatëse që parashikon kuadri ligjor që rregullon pensionet, por edhe arsimin.

Konkretisht, Konfederata thekson se edhe pse janë bërë përpjekje për gjetjen e punonjësve në turizëm dhe janë dhënë stimuj, si për shembull nënshkrimi i një marrëveshjeje kolektive të punës nga ky organ, e cila parashikon rritje pagash 3% për këtë vit dhe 4% shtesë për vitin e ardhshëm, ky problem mbetet i pazgjidhur.

Sipërmarrësit i propozojnë Ministrisë së Punës që të japë “stimuj për plotësimin e vendeve të punës nga grupet sociale të sipërpërmendura të paktën për sezonin turistik të këtij viti me ndërhyrje të menjëhershme legjislative dhe deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare”. Në veçanti, propozohet që pensionistët të mos kenë ulje 30% të pensioneve për muajt që do të punojnë në sektorin e turizmit dhe mësuesit të kenë mundësi të ofrojnë punë paralele pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre ekzistuese të punës dhe kontratat.

Problemi në turizëm është studiuar edhe nga Instituti i Shoqatës së Ndërmarrjeve Turistike Greke (INSETE). Në studimin e publikuar në mars 2022 vërehet se në pikun e sezonit veror 2021, 53.249 vende pune nuk u plotësuan nga 244.124 vende pune të parashikuara. Kjo do të thotë, se shkalla e mungesës është 22% ose më shumë se 1 në 5 pozicione nuk u plotësuan. Përqindja është e ngjashme në të gjitha departamentet e hoteleve dhe varion nga 21% në 24%.

50% e totalit të vendeve të lira, gati 26 500 vende të lira pune, korrespondojnë me specialitetet e kamarierit, recepsionistit, asistentit të kamarierit, lavanderisë, baristit dhe mbështetjes apo mirëmbajtjes teknike. Mungesa e personelit në pikun e sezonit ka ekzistuar në vitet e mëparshme, veçanërisht në shumë ishuj dhe zona të thella, por tashmë është shtuar./SCAN

Advertisement