U gjet i pajetë në rezervuarin në Kolanec të Maliqit/ Policia : “26-vjeçari është vrarë…në pranga tre autorët e dyshuar

Policia ka zbuluar se 26-vjeçari Martin Çeço, trupi i të cilit u gjet i pajetë në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq dy ditë më parë, është vrarë. Mësohet se ekspertët kanë konstatuar shenja në pjesën e fytit të viktimës. Policia ka vënë në pranga si autor të dyshuar 3 të rinj, të cilët pasi e kanë vrarë Çeçon kanë inskenuar mbytjen e tij në liqen. Personat e vënë në prangat e policisë janë B. Angjo, 38 vjeç; V. Mollaj, 43 vjeç dhe E. Mollaj, 35 vjeç. Krimi dyshohet se ka nisur për motive banale, lidhur me një vajzë 18-vjeçare me të cilën viktima ka pasur një romancë ndersa dyshohet se vajza ,kishte krijuar një lidhje paralele me viktimën dhe një nga autorët.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Marjani”. Operacioni, pas hetimeve intensive nga Sektori për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë. Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç.

Vihen në pranga 3 autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit.

Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç., 26 vjeç, banues në këtë fshat, i cili rezultonte i larguar nga banesa, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Marjani”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i tre autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve:

– B. A., 38 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi, Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje);

– V. M., 43 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë;

– E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë.

Shërbimet e Policisë, pasi kanë nxjerrë nga rezervuari trupin e pajetë të 26-vjeçarit M. Ç., kanë krijuar dyshime se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale, duke qenë se gjatë këqyrjes, në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit.

Falë punës profesionale hetimore, provave dhe informacioneve të grumbulluara nga grupi hetimor, u dokumentua se tre shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2022, kanë marrë viktimën M. Ç., në fshatin Kolanec, dhe pasi e kanë vrarë (mbytur), për motive të dobëta, kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: