Efi bën reagimin e parë pas finales: “Big Brother i përket Luizit dhe Kiarës, Dea ti je një shembull

Efi Dhedhes u kthye në një prej emrave më të përfolur në media rozë që kur u bë pjesë e edicionit të dytë të Big Brother VIP Albania. Ish-konkurrentja e ”Përputhen” doli e treta në finale e BBVA dhe bashkë me dy finalistët e tjerë Kristin dhe Dea Mishelin fitoi çmimin prej 10 mijë eurosh, ndërsa Luizi u shpall fitues dhe mori çmimin prej 100 mijë eurosh. Disa ditë pas finales Efi ka reaguar sërish përmes një postimi të gjatë në llogarinë e saj në Instagram. Në shkrim Efi thotë se ndihet e lumtur dhe krenare për rrugëtimin e saj në BB Vip 2, duke shtuar se nuk ishte një udhëtimi i lehtë për të.

Krenare dhe e lumtur!     
Ju kam lodhur me postimet e mia, por jam shumë e emocionuar teksa reflektoj për rrugëtimin tim në shtëpinë e “Big Brother VIP”. Vendi i tretë është një arritje e madhe për mua, dhe nuk do ta kisha bërë pa mbështetjen te të gjithëve ju. Gjatë gjithë qendrimit në shtëpi, unë u përpoqa t’i qendoja besnike vlerave të mia, edhe në momentet më të vështira.

Nuk ishte një udhëtim i lehtë, por mbështetja dhe dashuria juaj më shtynë që të qendroja deri në fund në shtëpi. Ndërsa kam qenë duke lexuar sot mesazhet, komentet dhe DM tuaja, ndihem sikur kisha një familje të dytë që më mbështeste nga jashtë.

Më shumë se çdo gjë doja t’i bëja njerëzit e mi të dashur krenarë dhe jam shumë e lumtur që mund të them se ia dola. Prindërit e mi më rritën të jem një vajzë e fortë, e sigurtë dhe besnike, dhe jam shumë mirënjohëse që i kam ngjarë atyre.

Big Brother VIP 2 i përket @itsluizejlli dhe @kiaratito Kanë dhuruar emocione pafund, dhe i uroj jetë sa më të lumtur bashkë! @kristdragot jam e bindur qe do të shohim shumë gjera të bukura nga ty në të ardhmen! @deamichellee je një shembull për shumë vajza!
Faleminderit për çiltërsinë dhe shoqerinë që më ke dhënë gjatë disa momenteve të vështira në shtëpi.

Së fundi, dua të falënderoj ekipin dhe produksionin e “Big Brother” që më dhanë këtë mundësi për herë të dytë. Kjo përvojë ka ndryshuar jetën time dhe unë jam mirënjohëse për çdo moment.

Aksident i frikshëm në Ersekë/ Makina përplas këmbësoren në Ersekë, 64-vjeçarja përfundon në spital…

Një aksident është regjistruar sot në Ersekë, ku një këmbësore ka mbetur e plagosur. Mesohet se automjeti tip “Fiat” me drejtues shtetasin A. D., ka aksidentuar shtetasen me inicialet N. A., rreth 64 vjeçe, e cila u transportua në spitalin e Korçës, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Adriatik Lapaj: “Pse na trajtojnë si idiotë që gënjehemi me erën e ziftit vetëm 2 javët para ditës së votimit?

Nga Adriatik Lapaj:        
Të dashur bashkëqytetar, George Orwell në veprën e tij thoshte “Të thuash të vërtetën në një kohë mashtrimi është veprim revolucionar.” Tranzicioni shqiptar ka qenë një periudhë mashtrimesh të mëdha. Ka qenë koha e antivlerave. Ka qenë koha që politika vrau totalisht me gjakëftohtësi njeriun duke kthyer në moral të ri të shoqërisë tonë PARANË e pistë.

Kjo marrëzi nuk mund të kuptohej në fillimet e veta nga qytetarët, por koha bëri të vetën e tashmë të gjithë jemi dëshmitar të dëmeve të tmerrshme që ka bërë rruga e antivlerave në vendin tonë. Më shumë se gjysma e popullsisë tonë tashmë e ka braktisur vendin. Korrupsioni është kthyer në normë shoqërore. Antimorali i shkretoi spitalet tona. Antivlerat i shkatërruan qytetet tona. Shikoni spitalin e Sarandës…larg shkëlqimit të dikurshëm pavarësisht përpjekjes titanike të doktorëve e infermiereve të veta të mrekullueshme…

Shikoni vetë Sarandën… një masiv betoni që ulëret pabesin që i bënë bijtë e vetë.
Hidhni një sy rreth vetes e shikoni se sa nga shokët e shoqet e klasës ende jetojnë në Sarandë…
Hidhni sytë nga lulishtet. Ku janë? Ikën bashkë me ata që i kthyen në beton për 5 aspra.

Sarandën e ka penalizuar bukuria e vetë. Politika e Tiranës nuk i ka kushtuar kurrë rëndësinë e duhur qytetit tonë. E ka qeverisur me guvernator të deleguar si dikur Osmanët na qeverisnin nën pushtim. Dërgonin të besuarit e vetë. Rëndësi kishte mbajtja e pushtimit në këmbë, në këmbim guvernatori kishte karta biancha që mund të bënte çfarë të donte…edhe mund të vidhte.

Prej kohësh që kur ika në universitet vij në Sarandë shpesh. Vij te prindërit. Vij te qyteti ku kam kujtimet e viteve kur ikja këmbëzbathur. Vij te njerëzit e mij. Vij te balta ime, gurët e mij. Vij te deti im. Te deti i ëndrrave të mija.

Kësaj here e gjeta qytetin duke hedhur asfalt. Asfalt kudo.

Kaq e kaq vite harresë, por në muajin e zgjedhjeve të gjithë në punë. Punë ditë dhe natë…punë shkel e shko, por të paktën punë. Fasadë, por të paktën ndihet era e ziftit…ndihet se diçka lëviz. Vetiu mendoj…po sikur të punohej ditë natë me sinqeritet gjatë 4 viteve të 1 mandati si do të ishte Saranda? Po sikur qytetit t’i kushtohej rëndësi çdo ditë si do ishte Saranda? Po sikur era e ziftit të ndihej sa herë e donte nevoja, si do ishte Saranda? Po sikur kanalizimet të bëheshin sa herë ndërtohej, si do ishte Saranda? Po sikur të gjithë ata që marrin rrogë nga taksat tona në qytet të punonin çdo ditë si tani për fushatë si do ishte Saranda? Po ku dreqin shkojnë paratë tona gjatë 1445 ditëve të tjera të mandatit 4 vjeçar të Bashkisë? Si mund të qe një qytet që në 1460 ditë punohet vetëm 15 ditë nëse do punohej 1460?

Dhe në fund erdha te pyetja: Kaq shumë na nënvlerësojnë NE si qytetar sa na trajtojnë si idiot që gënjehemi me erën e ziftit vetëm 2 javët para ditës së votimit?

Po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm/ Arrestohet 35-vjeçari në aksin “Korçë-Pogradec…

Tentativa për të kaluar 5 emigrantë të paligjshëm të kufirit ka vënë në pranga 35-vjeçarin Gani Mollaymeri. Ai ishte duke lëvizur me automjet në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, ku konstatoi se po ndiqej nga policia. Ndonëse uniformat blu e sinjalizuan që të ndalonte, ai tentoi të largohej me shpejtësi por u kap.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” me të cilin lëvizte 35-vjeçari me banim në Durrës u gjetën 5 emigrantë të paligjshëm. Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 35-vjeçari do t’i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Perdori skemë vjedhje, arrestohet agjenti i shitjve në Korçë…

Shpërdoroi detyrën duke shitur produkte ushqimore me vlerë të konsiderueshme, të kompanisë në të cilën ishte i punësuar, vihet në pranga 40-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Korçë ndaluan shtetasin G. Sh., 40 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë. Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas, me detyrë agjent shitjeje në një kompani që tregton produkte ushqimore me shumicë, gjatë periudhës tetor 2022-mars 2023, ka tërhequr mallra të ndryshme për llogari të kësaj kompanie dhe nuk i ka depozituar ato, por i ka shitur në subjekte të tjera, duke përfituar shumën 2 600 000 lekë të rinj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Aksident në aksin ‘Elbasan- Librazhd’/ Përplaset Makina e dasmorëve, plagoset drejtuesi(Video)

Aksident në aksin Elbasan- Librazhd në fshatin Mengel. Mesohet se një makinë dasmorësh është përplasur me një makinë tjetër dhe si pasojë e përplasjes ka dëme të mjeteve. Gjithashtu raportohet se drejtuesi i mjetit ka marrë plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shkak i aksidentit dyshohet të jetë shpejtësia e lartë si dhe lagështira e rrugës.

Rita Ora “ngre peshë” skenën e eurovisionit: “Bën shqiponjën…

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, “ngriti peshë” Eurovisionin mbrëmjen e djeshme. Rita u shfaq me një korse të zezë latex për performancën e saj, së bashku me doreza që vinin deri në bërryl, geta dhe çizme të zeza. Ansambli i 32-vjeçares kishte gjithashtu një bisht në formë fustani me tyl të ngjitur në belin e saj, i cili u duk se ishte hequr në një moment gjatë performancës.

Ajo ishte e rrethuar nga një ushtri kërcimtarësh, të cilët ishin të veshur në mënyrë të ngjashme me të zeza, me një shumëllojshmëri pantallonash të shkurtra dhe bluza rrjetë me modele flokësh të kapura.

Në një foto nga performanca, Rita bëri një gjest me kthetra me dorën e majtë, ndërsa në një foto shfaqet duke realizuar shqiponjën me krahë. Ndërkohë, në natën e dytë një tjetër shqiptare do të pushtojë skenën, pasi Albina Kelmendi dhe familja e saj do të performojnë këngën “Duje”, këngë me të cilën po përfaqësojnë Shqipërinë në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm të këngës.

Këmbimi valutor 10 maj 2023….

Sot në tregun e këmbimit valutor një dollar amerikan do blihet me 100.7 lekë dhe do shitet me 101.5 lekë. Monedha europiane do të blihet me 110.6 lekë dhe do të shitet me 111.2 lekë. Franga zvicerane do të blihet me 112.6 lekë dhe do të shitet me 113.5 lekë.

Ndërsa paundi britanik do blihet me 126.7 lekë dhe do shitet me 127.7 lekë.