Artan Hoxha bën paralajmërimin e fortë: “Duhet të rithemelohet e djathta, ndryshe do të bëhet Rama si Federata e Futbollit…

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, tha në emisionin “Të Paekspozuarit” se rezultati i zgjedhjeve vendore të 14 majit prodhoi një rezultat të frikshëm dhe shumë dekurajues për opozitën. Ai u shpreh se duhet të rithemelohet e djathta, ndryshe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025 do të ndodhë si me zgjedhjet në Federatën e Futbollit, ku Duka fitoi mandatin e 6-të pa rivalë.

“Rezultati është i frikshëm, shumë dekurajues. Opozita, shpresa e një vendi, kur e sheh në këtë farë feje, të vritet edhe shpresa. Mazhoranca u kujdes aq shumë ta shpërndante në të gjithë territorin pigmentin e ngjyrës mavi.

Rezultati është shumë dekurajues, reagimi që po shoh mbrapa është gjithashtu shumë dekurajues. U tha se do të kemi opozitë të pashitur që do të përballej me regjimin, por nuk e pamë këtë gjë. Në mbrëmje shpëtoi Kavaja, shyqyr, po u dilte nga shpirti “poshtë komunizmi”.

U katandisën kokoshi një thelë. Duhet të rithemelohet e djathta, ndryshe do të bëhet Rama si Federata e Futbollit”-tha Hoxha.

Numërimi për Këshillat Bashkiakë/ PS kryeson në Korçë, siguron 24 anëtarë…

Pas numërimit të votave për bashkinë e Korçës, aty ku fitues u shpall kandidati i PS Sotiraq Filo ka nisur numërimi i kutive të votimit për këshillat bashkiakë. Deri tani janë numëruar 47 kuti nga 158 në total dhe në avantazh është Partia Socialiste me 24 këshilltarë, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 9, PD 2, AAK 1, PSD 1, PAASH 1, PR 1 dhe NTH 1 këshilltar.

PS: 24

  1. Ada Permeti
  2. Erjon Nexhipi
  3. Ana Verushi
  4. Petrika Tollkuci
  5. Anxhela Taho
  6. Pandi Bello
  7. Edlira Mitre
  8. Emiljano Muharem
  9. Alma Burda
  10. Erjon Kurti
  11. Majlinda Like
  12. Llambert Malaveci
  13. Valmira Nano
  14. Kostika Zguri
  15. Majlinda Duni
  16. Altin Habip
  17. Paola Kodra
  18. Julian Mema
  19. Ornela Alikaj
  20. Erjols Haxhillari
  21. Gurije Dedelli
  22. Joan Deli
  23. Marsela Ciro Marin
  24. Dejvi Hoxha

BF: 9

  1. Devis Osman
  2. Suela Dinellari
  3. Irvin Bode
  4. Ismeralda Seidolli
  5. Fidel Kreka
  6. Jorida Romacka
  7. Lorenc Nako
  8. Alketa Zheku
  9. Thoma Marku

PD: 2

  1. Elvin Bregu
  2. Laureta Alidinaj

AAK: 1

  1. Skender Dinellari

PSD: 1

  1. Julian Kodra

PAASH: 1

  1. Erald Fejzulla

L. Petri: 1

PR: 1

  1. Kristiano Kocibelli

NTH: 1

  1. Klajdi Pllaha

Andi Bushati ka ‘dy fjalë’ për përfundimin e zgjedhjeve: “Rezultat që dihet…

Analisti Andi Bushati tha në “Now me Erla Mëhillin” se e kishte paralajmëruar Berishën për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit. Harta e Shqipërisë e ngjyrosur kryesisht ngjyrë mavi, sipas Bushatit është “masakrimi” për të cilin i foli Berishës.“S’kam asnjë koment sepse s’kam asnjë surprizë. Është e njëjta gjë që po e them prej 4 muajsh në këtë studio.

Nuk e di a jeni ju të surprizuar, por unë nuk jam. Prisja çdo gjë që do të shkruante në letër Edi Rama. Bashkë kemi qenë këtu me Belindin, me Berishën, që iu kam thënë ‘do iu masakrojnë,

s’keni shanc të fitoni Tiranën, Durrësin, Elbasanin’ dhe thoshin fitorja blu, uragani blu është i pamohueshëm. Tani duket sikur përsëris unë fjalët e tyre, por në fakt kemi ardhur te një pikë që është rezultat që dihet dhe merr vetëm një fabul. Shiko si është sjellë një shtet fashist në Himarë për të kuptuar se ç’ka bërë në gjithë Shqipërinë,” – u shpreh Bushati.

Pirro Dhima uron Fredi Belerin për fitoren: “Sot drita e së vërtetës mundi errësirën e “terrorizmit…

Pirro Dhima ka uruar me anë të një postimi në Twitter fitoren e Fredi Belerit në zgjedhjet vendore në Himarë, duke theksuar ndër të tjera se “sot drita e së vërtetës mposhti errësirën e “terrorizmit”. Konkretisht, kampioni olimpik i peshëngritjes ka shkruar: “Sot drita e së vërtetës mposhti errësirën e “terrorizmit”. Urime Fredi Belerit dhe qytetarëve të Himarës historike që me krenari drejtuan staturën e tyre duke shkruar faqen e tyre

në librin e historisë së këtij Vendi. #Beleri”.

Rama pas fitores së thellë: “U jam mirënjohës Demokratëve që qëndruan në shtëpi…

Në një konferencë për media nga Selia Rozë, Rama falenderoi votuesit, drejtuesit politikë, kandidatët, deputetët si dhe patronazhistët dhe aktivistët, pa të cilët PS nuk do të ishte kaq shumë para kundërshtarit . Ai u shpreh se ndihej i vogël para një hartë e cila është e mbushur me ngjyrat e Rilindjes, ndërsa shtoi se duhet vijuar puna e ngadalësuar nga fushata, në nivel vendor dhe qendror.

Në fund Rama, e pati edhe një falenderim për demokratët që nuk votuan, pasi siç tha ai, iu bashkuan Shqipërisë krenare, dinjitoze dhe mike të palëkundur të SHBA-së. “Unë e kam të nevojshme të shkoj menjëherë në Shkodër, për të nisur menjëherë një tur falenderimi. Këto ishin zgjedhje vendore me ata që i shikonin këto zgjedhje si një aksion për përmbysjen e qeverisë.

Ne duhet të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata. Me një grup pune do të përgatis një raport të detajuar të votës.

Falëndroj patronazhistët e palodhur dhe aktivistët e pa epur pa të cilët makinerisë sonë elektoralë do u mungonin shumë kuaj fuqi. Falënderimi më i madh u shkon zgjedhësve, që na votuan ose na votuan për herë të parë. Dua ta falënderoj nga zemra çdo zgjedhës të djathtë, nga ata që e dëgjuan mesazhin tim për të mos dalë fare në votime për të mos kapërcyer ylberin politik. U jam mirënjohës. Të tjerëve atyre që nuk ja dolën të dalin nga e këneta e së shkuarës u them atyre që më vjen keq po atje ka vetëm të shkuar, jo të ardhme”,-tha Rama.

68% e qytetarëve të Korçës bojkotuan zgjedhjet për kryebashkiak…

Korça ka qenë gjithmonë bastion i së majtës dhe në këto zgjedhje është rikonfirmuar e njëjta gjë, mirëpo në qytetin e serenateve, është rregjistruar një nga pjesëmarrjet më të ulëta….Sipas KQZ-së, ka votuar më pak se 1/3 e e qytetarëve e përkthyer me shifra ,rreth 32 % kanë marrë pjesë në zgjedhje, duke shënuar kështu pjesëmarjen më të ulët në të gjitha zgjedhjet, se bashku me Vlorën…

Duket se qytetarët Korçarë kanë zgjedhur që të mos votojnë, pasi dilema e tyre ka qenë e madhe. Elektorati gri është i madh në Korçë dhe bojkoti në këto zgjedhje e ka treguar këtë.

Qytetarët duket se janë të lodhur nga të njëjtat alternativa dhe më e mira i është dukur ajo e bojkotimit, duke qëndruar në shtëpi dhe duke shijuar atë të dielë. Raportohet se më së shumti kanë votuar të moshuarit dhe punonjësit e administratës bashkë me familjen.

Sa të jetë Berisha, në pushtet do kemi Edi Ramën…

Nga Kreshnik Spahiu:       
Kur shqiptarët rrëzuan bustin e Enver Hoxhës dhe e zvarritën nëpër Tiranë deri tek godina ku unë me shokët e mi ishim ngujuar në grevë urie, mendova që asnjë politikan shqiptar nuk do e kishte fundin aq të keq, por isha gabuar. Enver Hoxha sa jetoi, mbretëroi dhe nuk e përjetoi zvarritjen nëpër rrugë.Sali Berisha po përjeton poshtërim për së gjalli. Populli shqiptar dje nuk votoi nga jugu në veri për të bërë mbret Edi Ramën, por për të shporrur Sali Berishën nga politika.

Njeriu që krijoi grupimin e struturuar anti-amerikan në Shqipëri dje mori shuplakën e popullit më proamerikan në Europë.48 orë para zgjedhjeve, arrestimi i kandidatit grek që ai kishte vendosur në Himarë i rrëzoi të gjithë kauzën e tij sovraniste. Berisha kundër Amerikës hiqej si sovran, por para Greqisë hoqi brekët. Kur ndërhyn qeveria amerikane thotë: armiqësore. Kur ndërhyn qeveria greke thotë: miqësore.

Ambasadoren amerikane e quan lavire, ambasadorin grek e quan partner demokracie, por Ambasadorin anglez e fyen diplomat orgjie, Belerin e Greqisë e bën kryetar Bashkie.

Berisha thotë se shpëtova Kosovën nga ndarja me Serbinë, por ndan detin dhe Himarën me Greqinë. Sot Berisha do dalë dhe do deklaroj që zgjedhjet u manipuluan ndonëse ende në SPAK nuk ka asnjë kallzim penal. Sali Berisha sot do dalë dhe do deklaroj që beteja jonë kundër SHBA sapo ka filluar por ai është pushkatuar nga populli proamerikan.

Sali Berisha do dalë sot dhe do deklaroj që humbjen na e shkaktoi Taulanti dhe Lulzimi, por shqiptarët e fundosën edhe në qytetet ku s’kishte kandidat Partia Demokratike e vulës. Sali Berisha do dalë sot dhe do thotë Sorosi bleu votat në gjithë Shqipërinë, por do bëhet qesharak kur ta dëgjojnë në Tropojë, Shkodër, Kamëz, Bathore, të gjithë ata që e mbështetën nē çdo protestë por që ky i braktisi dhe përdori në hallin e tij personal me Amerikēn.

Sali Berisha do dalë sot dhe do deklaroj që ishte puç global dhe do vazhdojë betejën me Amerikën, Anglinë, BE dhe gjithë planetin, por si ka mbetur askush.

Madje as autobusi falas i Belindit nuk e mbush dot dhe do i mjaftonte një furgon me njerzs sepse as familja e tij nuk do e ndjek pas në çmendurinë e tij. Sali Berisha do dalë e do thotë që Rama nuk rrëzohet me vota, por me Revolucion dhe kjo është shumë e vërtet, por revolucioni opozitar duhet filloj nga nesër në dyert e SHQUP të cilat ai i ka pushtuar. Opozita shqiptare duhet organizuar për ta tërhequar zvarrë nga zyra ashtu si bustin e Enver Hoxhës si njeriu që po mban peng opozitën dhe po mban Ramën në pushtet. Prandaj largimi i Berishës si kryetar opozite është mision patriotik dhe kombëtar: Berisha ik

Zv.ministri habit Grida Dumën: “Jam fans i Luizit, dua mbështetjen e tij…

Në një bashkëbisedim me Grida Dumën për fitoren e Benet Becit në Shkodër, zv.ministri i Ekonomisë Besart Kadia, tregon se e kishte takuar Luizin në ambientet e Top Channel dhe i tha se Beci ka fituar prej tij. Madje Kadia shprehet se është fans i Luizit dhe madje ka bërë edhe foto me të,

Besart Kadia: Takova Luizin poshtë dhe i thashë që prej teje fitoi.

Grida Duma: Këtë e krijove apo ka ndodhur?

Besart Kadia: Jo kam dhe foto po deshe.

Grida Duma: Edhe ti je një fans.

Besart Kadia: Po patjetër, dua mbështetjen e tij.

Grida Duma: Sa mirë, një zv.ministër fans!

Besart Kadia: Dua mbështetjen e tij për të fituar (qesh).

Ergys Mertiri: Ai ishte fans i Berishës.

Besart Kadia: Ore fans ka qenë edhe Grida edhe unë ndoshta.

Grida Duma: Jo ne nuk kemi qenë fans, ne jemi kontributorë. Sot që ti je fansi i një show bizi është, por ne jemi kontributorë të djathtës etj, etj.

Nga Pogradeci në Maliq e Devoll …policia procedon 5 persona për konflikte për motive të dobëta…

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: E. M., 40 vjeç dhe E. O., 28 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grusht në fytyrë, një 32-vjeçar.

B. M., 40 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi dyshohet se gjatë një konflikti në lagjen nr. 2, Pogradec, ka goditur me grushte në fytyrë, një 54-vjeçar.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. B., 33 vjeç, banues në fshatin Kuç, Devoll, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar në këmbë, një 50-vjeçar.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. T., 36 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte në fytyrë, një 37-vjeçar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Mjeti doli nga rruga në Qafë Thanë-Pogradec”, plagoset 51-vjeçari nga Korça…

-Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit: F. U., 55 vjeç, banues në Korçë, pasi në aksin rrugor “Qafë Thanë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Lin, Pogradec, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar shtetasi V. C., 51 vjeç, banues në Korçë, pasagjer në këtë automjet, i cili ndodhet në spitalin e Korçës, në kujdesin e mjekëve;

O. B., 38 vjeç, banues në fshatin Trestenik, Devoll, pasi në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, pranë fshatit Miras, u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

‘Kot gëzohen të shiturit në Himarë’/ Ngjela analizon pozitën e Fredi Belerit: “Është kapur në flagrancë, do gjykohet në SPAK….

Avokati i njohur Spartak Ngjela thotë se Himara nuk është fituar nga Fredi Beleri, pavarësisht rezultatit përfundimtar të votimit dhe të dhënave të KLQZ. Sipas tij, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është në burg dhe dosja e tij pritet të gjykohet nga SPAK. Fredi Beleri është kapur në flagrancë duke shpërndarë para për vota, ndaj Ngjela duke analizuar pozitën e tij gjyqësore, thekson se nëse dënohet me burg ai shkarkohet automatikisht.

Nga Spartak Ngjela:    
Asgjë, ende nuk është fituar Bashkia e Himarrës. Ai që u zgjodh me sforcim të madh parash, është i arrestuar në bazë të nenit 328 të Kodit Penal – për Korrupsion Aktiv në Zgjedhje. Çështja do të gjykohet në SPAK. Nëse gjykata do ta dënojë Belerin me burg, dhe vendimi gjyqësor do të marrë formën e prerë, Beleri shkarkohet automatikisht në bazë të vendimit me burg që i ka dhënë SPAK. Kot gëzohen të shiturit në Himarë.

Por, nëse Beleri merr pafajësinë në SPAK, atëherë do vijojë mandatin si Kryetar Bashkie i Himarës. Por kjo është pamundësi absolute, sepse Beleri është kapur në flagrancë, dhe nuk ka gjykatë që t’i japë pafajësi, e jo më SPAK-u

Të shohim më pas se si do të shkojnë zgjedhjet për kryetarin që do të zgjidhet në zgjedhjet e reja, dhe cili do të jetë kandidati i ri që do zgjidhet nga himarjotët. Por SPAK duhet ta gjykojë sa më shpejt me një procedurë të përshpejtuar, se kjo është një çështje me rëndësi të madhe kombëtare.

Po lëvizte me biçikletë, bie në humnerë turisti i huaj në aksin Përmet-Leskovik….

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Përmet-Leskovik, ku një çikliste e huaj ka rënë në greminë. Policia bën me dije se në vendin e quajtur “Kthesa e Zhepes”, shtetasja austriake H. F., rreth 70 vjeçe, duke udhëtuar me biçikletë, me një grup turistësh, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletës dhe është rrëzuar nga biçikleta. Si pasojë e dëmtimeve kjo shtetase ka ndërruar jetë

Mësohet se kanë qenë një grup çiklistësh dhe vizitorësh në zonë dëshmitarë të ngjarjes të cilët më pas i janë afruar. Burime për mediat bëjnë me dije se një grup çiklistësh të cilët ishin dhe dëshmitarë të kësaj ngjarje të rëndë kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën, mirëpo distanca nga qyteti është e largët.

Përmet/Informacion paraprak:    
Rreth orës 13:30, në aksin rrugor Përmet-Çarshovë, në vendin e quajtur “Kthesa e Zhepes”, shtetasja austriake H. F., rreth 70 vjeçe, duke udhëtuar me biçikletë, me një grup turistësh, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletës dhe është rrëzuar nga biçikleta.

Si pasojë e dëmtimeve kjo shtetase ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

PS fitoi, por humbëm të gjithë!

Nga Mentor Kikia :            
PS ka të drejtë t’i gëzohet fitores. Organizoi një fushatë politike, duke treguar me gisht Berishën dhe Metën si alternativë dhe në vend të llogaridhënies zgjodhi show-n me saze e valle. I eci. Ia doli. Fitoi në mënyrë dërrmuese, thuajse njësoj si në zgjedhjet e kaluara, kur ishte vetëm në fushë dhe porta e kundërshtarit ishte bosh…

Por pjesamarrja ishte më e ulëta në historinë e zgjedhjeve nga viti 1992 (përveç atyre me portën bosh, në 2019-n)
Në Vlorë, pjesamarrja ishte skandaloze, vetëm 24 %. Çfarë duhet më shumë për të kuptuar braktisjen e qytetarëve?
Elektorati “gri” ndenji në shtëpi.

“Bie shi, çta prish terezinë. Në fund të fundit, do të ndryshojë gjë?”
Të rinjtë ishin abstenuesit më të mëdhenj.

Ata, dhe veçanërisht ata që votonin për herë të parë, nuk ishin thjesht bojkotues. Ata e braktisën politikën.
Të rinjtë nuk braktisën vetëm opozitën dhe Berisha-Metën, por tërë kastën politike. Ata nuk mandatuan as “ndryshimin”, as “vazhdimin”.

Këtu askush nuk i bën këto analiza. Sepse atij që fiton, i mjafton edhe 10% pjesëmarrje, mjafton të fitojë 50% +1 vota të këtij 10 %-ndëshi. Dhe për këtë mjafton shtresa e pensionistëve (me një shpërblim para zgjedhjeve), militantët dhe administrata.
Të tjerët le të ikin në Angli dhe në Gjermani.
Ndërsa opozita, pasi nuk frymëzoi dot votën masive, tani është e zënë me listimin e arsyeve se përse fituan ata…

Euro ringrihet pas zgjedhjeve, rifiton pikë në kursin e këmbimit me lekun….

Euro e ka nisur javën me rimëkëmbje në kursin e këmbimit lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro të hënën u këmbye me 111.31 lekë, në rritje me 0.49 lekë krahasuar me ditën e premte. Rritja e euros në pikat e këmbimit valutor u theksua veçanërisht në gjysmën e dytë të të premtes, ndërsa ka vijuar më e lehtë edhe këtë të hënë. Në gjysmën e parë të muajit maj, euro shënoi një rënie të mëtejshme ndaj lekut, duke arritur vlerat më të ulëta historike.

Në datën 11 maj, kursi i këmbimit euro-lek arriti nivelin prej 110.63 lekësh, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia i detyrohej prurjeve të mëdha të valutës në treg. Rritja e ofertës së euros mund të shpjegohet pjesërisht me theksimin e faktorit sezonal dhe rritjen e turizmit hyrës, por edhe me zgjedhjet lokale.

Sipas ekspertëve, periudhat parazgjedhore shoqërohen me rritje të flukseve valutore dhe e njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe këtë vit, duke e çuar kursin e euros drejt rekordeve të reja në rënie. Në ditët e fundit, megjithatë, kjo rënie është korrigjuar disi dhe kjo koincidon me përfundimin e fushatës zgjedhore. Sipas agjentëve të këmbimit, në gjysmën e dytë të javës së kaluar u vërejt një rritje e kërkesës për euro në treg.

Rënia e euros në nivelet më të ulëta historike mund të ketë rritur kërkesën për monedhën europiane nga subjektet që kanë nevoja për valutë, të lidhura me biznesin, shlyerjen e kredive në euro, udhëtime jashtë vendit, etj. Një fenomen i ngjashëm u vërejt edhe në fund të vitit 2022. Pasi kursi i euros preku nivelin më të ulët historik, në ditët e fundit të dhjetorit dhe në fillim të janarit u vërejt një kërkesë e lartë për të dhe ringritje e shpejtë, ndonëse e përkohshme, e kursit euro-lek.

Në atë rast, rritja u nxit edhe nga një injektim shumë i madh i lekut në treg nga qeveria shqiptare, që e shpenzoi të gjithë deficitin e planifikuar në muajin dhjetor, duke e përqendruara sidomos në ditët e fundit të muajit.

Për momentin, kursi i euros është rimëkëmbur disi, por sidoqoftë ngelet ende pranë niveleve minimale historike dhe agjentët bendojnë se në afatin e shkurtër monedha europiane do të qëndrojë në pozita të dobëta, duke pasur parasysh efektin e pritshëm sezonal. Sidoqoftë, frenimi i rënies së euros iu jep për momentin një lloj frymëmarrjeje sektorëve eksportues të ekonomisë, që po përballen me humbje të konsiderueshme nga forcimi i lekut. Krahasuar me një vit më parë, monedha vendase është mbiçuar me rreth 8% në kursin e këmbimit me euron. /Monitor