Presidenti Meta dekreton emërimin e 2 gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë

“Presidenti Meta, pasi u njoh me vendimmarrjet respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimet e përcjella nga ky organ, së bashku me praktikat dokumentare të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për dy pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile, të shpallura për kandidim që prej muajit shkurt 2020, me vullnetin e plotë që Gjykata e Lartë të plotësohet me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së për dy kandidaturat e propozuara, ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimeve të KLGJ-së”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Bashkë me dy emërimet e reja, Gjykata e Lartë shkon në 15 anëtarë nga 19 që duhet të ketë në total sipas vendimmarrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kreu i Shtetit e cilëson këtë të sotmin një hap pozitiv drejt funksionalitetit të Gjykatës së Lartë.

“Ky është një tjetër hap pozitiv drejt funksionalitetit të plotë të Gjykatës së Lartë. Pas 5-vitesh pamundësie për të ushtruar plotësisht funksionet themelore të saj, me këto 2 emërime të reja, mund të thuhet se Gjykata e Lartë ka dalë nga zona e rrezikut dhe e pamundësisë së funksionalitetit të plotë të saj për të përmbushur misionin dhe autoritetin sublim sipas Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Advertisement