Kishte mbushur Volkswagen me 4 emigrantë/ Arestohet 25-vjeçari në Pogradec(Video)

Vijon operacioni policor “Perimetri 184”.Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit. Vihet në pranga 1 tjetër shtetas i cili u kap duke transportuar, kundrejt shpërblimit, 4 emigrantë të paligjshëm. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Ç., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë Rrugore, kanë konstatuar në qytetin e Pogradecit, shtetasin M. Ç., duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, në drejtim të Tiranës, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit.

Po punohet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.


E pazakontë në Greqi/ 7 të rinj rrahin të miturin për t’i vjedhur këpucët…

Policia greke ka zbuluar një ngjarje të pazakontë të ndodhur më 9 maj, kur disa të rinj sulmuan një 17-vjeçar teksa po ecte i vetëm në një rrugë të Janinës dhe e rrahën brutalisht për t’i vjedhur këpucët. Sipas denoncimit të viktimës së mitur, autorët ishin shtatë dhe i janë afruar duke e rrethuar. Më pas e goditën me grusht dhe e detyruan të hiqe këpucët me vlerë 200 euro që kishte veshur, të cilat i morën dhe u larguan me vrap. Rasti u zbardh pas 2 muajsh e gjysmë dhe si autorë u identifikuan shtatë grekë të moshës 17 dhe 18 vjeç, të cilët akuzohen për grabitje në bashkëpunim.


“Digjet” Shqipëria, temperaturat arrijnë deri në 41 gradë

Shqipëria prej disa ditësh po përballet me temperatura shumë të larta deri në 40 gradë, ndërsa termometri pritet të shënojë 41 gradë Celsius.
E gjithë harta shfaq zonat e kuqe dhe vlerat maksimale që do të shënojë dita e sotme.
Meteorologia Lajda Porja tregoi se kjo fundjavë do të jetë relativisht me temperatura shumë të larta dhe se zyrtarisht jemi më në epiqendër të kësaj vale.
Qytetet më të nxehta do të jenë Shkodra, Tirana, Elbasani, Berati, Kuçova, Fieri dhe Lushnja.
Në vijën bregdetare, termometri pritet të shënojë vlerat nga 34 në 37 gradë Celsius. Problematike mbeten zonat verilindore ku pritet të përjetojnë temperatura deri në 38 gradë Celsius.
Disi e freskët do të mbetet vetëm zona e juglindjes, ku temperaturat nuk do të kalojnë 34 gradë Celsius.
Meteorologia thekson se në diell temperaturat do të ndihen pesë apo gjashtë gradë më të larta.


Shokohet 34-vjeçarja në Korçë/ “Smartit” i vihet flaka gjatë natës dhe digjet plotësisht…

Një makinë është djegur plotësisht gjatë mbrëmjes së djeshme në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.10, rreth orës 01:30. Sipas policisë, dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme, teksa policia ka nisur punën për kapjen e autorëve. Makina tip “Smart” është në pronësi të shtetases me iniciale L.Z., 34 vjeçe.

Njoftimi i policisë:

Më datë 23.07.2022, rreth orës 01:30, në lagjen nr. 10, Korçë, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht automjeti tip “Smart” në pronësi të shtetases L. Z., 34 vjeçe, banuese në Korçë, i parkuar në afërsi të banesës së saj. Nga hetimet e kryera, dyshohet se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve si edhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.


Çmimet e çmendura/ Braktisen plazhet e jugut, Shqiptarët dynden drejt Turqisë dhe Greqisë…

Këtë korrik në plazhet e jugut ka pasur më pak turistë. Për kryetarin e Shoqatës së Turoperatorëve, Besnik Vathi, shkak janë çmimet e larta dhe mungesa e strukturave hoteliere. Zona e jugut historikisht nuk ka pasur më shumë sesa 45 ditë shfrytëzim, gjë që ka dhe pasoja prej këtij frekuentimi të shkurtër, pasoja në çmimet e larta që ofron. Nuk ka atë inventar të madh hotelier që ka zona Durrës-Golem,” tha Besnik Vathi, Kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve. Heqja e kufizimeve të pandemisë ka shtuar numrin e shqiptarëve që po pushojnë jashtë vendit. Risi këtë verë është Spanja, por Greqia dhe Turqia janë ndër destinacionet më të preferuara.

“Lëvizja e parë për nga numri është drejt Greqisë, për nga të ardhurat, shpenzimet që bëjnë është drejt Turqisë. Por ka lëvizje këtë vit për herë të parë edhe drejt Spanjës pasi ka fluturime direkte. Vazhdojnë fluturimet drejt Egjiptit,” tha ai.

Ndërsa të huajt që kanë vizituar Shqipërinë kanë zgjedhur të qëndrojnë në plazhet pranë Tiranës, në Durrës e Golem.

“Turizmi i plazhit ka zonën kryesore që është Durrës-Golem, zona që pret numrin më të madh të turistëve nga jashtë vendit,” tha ai.

Ata janë kryesisht nga Europa Perëndimore, por të shumtë janë edhe turistët nga vendet skandinave.


“Janë shtuar destinacionet pasi ka për herë të parë fluturime direkte nga Tirana edhe me fluturime të skeduluara drejt vendeve Skandinave. Janë dy dhe do bëhen tre qytete në Francë që fluturohet direkt, janë Barcelona dhe Madridi për herë të parë që fluturohet direkt gjatë këtij viti,” tha ai.

Pavarësisht problematikave që lidhen me çmimet apo mungesën e punonjësve të kualifikuar, Turoperatorët thonë se industria e turizmit ka nisur të rimëkëmbet pas dy viteve pandemi./ Ora News

Fruta të thata kontrabandë nga Maqedonia e Veriut/ Arrestohet 34-vjeçari në Pogradec, në kërkim bashkëpunëtori…

Një 34-vjeçar është vënë në pranga dhe bashkëpunëtori i tij është vënë në kërkim pasi po transportonin kuti me fruta të thata të futur kontrabandë nga Maqedonia e Veriut. Ai u arrestua në fshatin Lin të Pogradecit, ku ngarkesën e kishte në furgonin tip “Ford”. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Pogradec kanë ndaluar në fshatin Lin, Pogradec, shtetasin L. B., me mjetin furgon të markës “Ford”, në të cilin, gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhjetëra kuti me fruta të thata, të cilat dyshohet të jenë futur kontrabandë nga Maqedonia e Veriut.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. B., 34 vjeç, banues në fshatin Lin, Pogradec

dhe shpallën në kërkim bashkëpunëtorin e dyshuar të tij, shtetasin I. G., 37 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim”, njofton Policia.