Lubonja:“Rama është bërë promotor vulgar i formës më të hapur të shfrytëzimit kapitalist”

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka mbërritur në Holandë, ku do të takohet me homologun Mark Rutte. Por ndërsa Rama po viziton këtë vend, mediat holandeze kanë marrë në intervistë gazetarin dhe shkrimtarin Fatos Lubonja. Ky i fundit ka dhënë një intervistë për portalin Sargasso, ku thotë se kryeministri holandez nuk duhet t’i besojë Ramës. Në intervistë ai shprehet se nuk ka kurrfarë progresi në Shqipëri, ndërsa vendi po përkeqësohet me shpejtësi. Shkrimtari shqiptar, i dënuar me 17 vite burg gjatë komunizmit, thotë se Shqipëri është një shtet mafioz dhe Edi Rama e ka lehtësuar diçka të tillë.

Për të ilustruar rënien e Shqipërisë nga standardet evropiane, Lubonja, jep dy shembuj.

I pari është kur kryeministri foli nga Shkodra gjatë fushatës së vitit të kaluar. Duke iu përgjigjur biznesmenëve që ankohen për mungesë punëtorësh, ai i këshilloi që të marrin staf nga Bangladeshi, pasi jo vetëm që punojnë më shumë, por nuk dinë shqip dhe nuk flasin shumë.

Ky është përdorim i njerëzve për të maksimizuar fitimin. Në një shoqëri të qytetëruar, sipas parimit kantian, një lider politik duhet t’i trajtojë njerëzit dhe mirëqenien e tyre si qëllim,” thotë Lubonja, duke shtuar se Rama është një promotor vulgar i formës më të hapur të shfrytëzimit kapitalist.

Sipas Lubonjës, Partia Socialiste që drejton Rama nuk është aspak e denjë për emrin që mban. Këtë e ilustron edhe fakti se në një rast kur Rama ftoi sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri, u tha se duhet të vijnë sepse nuk do të shqetësohen nga sindikatat sepse ato nuk ekzistojnë në Shqipëri.


Shembulli i dytë, sipas Lubonjës, ka të bëjë me tregtinë e drogës. Në intervistë ai citon një raport për numrin e personave të arrestuar në Europë për trafik kokaine. 266 shqiptarë janë arrestuar mes viteve 2018 dhe 2020. Shqipëria kryeson listën, duke qëndruar më lart se Brazili dhe Kolumbia.

“Si është e mundur që një vend kaq i vogël të prodhojë kaq shumë krim? Sepse Shqipëria është bërë një shtet mafioz. Kjo konfirmohet edhe nga një prokuror italian që ka ndjekur Ndraghetën, që thotë se Shqipëria është bërë si Kalabria e viteve ‘60”.

Sipas Lubonjës, pyetja më e rëndësishme në negociatat e anëtarësimit është: Kush do të përfitojë nga anëtarësimi i Shqipërisë në BE?


Sipas tij, përfitimet më të mëdha do u shkojnë njerëzve të gabuar, mafias së plotfuqishme dhe politikanëve të korruptuar që blejnë vota.

Lubonja thotë se Edi Rama është një lider autokratik.

“Ai ka eliminuar të gjitha grupet konkurruese. Një demokraci jeton me shanset e ndryshimit të pushtetit. Politikanët autoritarë si Rama e çaktivizojnë atë mekanizëm dhe e prezantojnë veten drejtpërdrejt para publikut si lideri i vetëm i popullit.

Madje prej disa vitesh ai ka edhe televizionin e tij për të tërhequr popullatën. Shembulli është Berluskoni. Shumë propagandë, shumë spektakël”.

Histori e shkurtër shqiptare në qendër të Romës

Nga Ermal Telha:

E hënë, ora 13:30 diku tek Piazza Venezia. Shkoi koha e drekës dhe u kthyem në një restorant të thjeshtë por të hijshëm, në një qoshe rruge. Ndërkohë që po i hidhnim një sy menusë dhe çmimeve (ndjesë për ndonjë që mund të ofendohet, por e bëj thuajse gjithmonë), mikpritësi rreth 50 vjeçar dhe i qeshur, na pyeti në anglisht prej nga ishim. Pasi i thamë nga Shqipëria, menjëherë tha: mirë se vini ju lutem, urdhëroni! Ishte italian, jo shqiptar dhe kishte mësuar disa fjalë shqip.

Pas tij erdhi kamarieri, italian edhe ai që kishte mësuar disa fjalë më tepër shqip dhe nuk na i kurseu mirësjelljen me fjalët tona. Porositëm, ushqimi erdhi shpejt dhe shumë cilësor, ndërkohë menaxheri na buzëqeshi në largësi dhe na ofroi diçka shtesë nëpërmjet stafit. E kapa menjëherë që ishte shqiptar dhe pasi e falenderova, u ulëm për një bisedë të shkurtës sa na lejoi koha.

Landi është nga Fieri, baba i dy fëmijëve dhe ka ardhur në Itali në 2006. Ai nuk ishte thjesht menaxheri, por bashkë-pronari, madje jo vetëm i këtij restoranti por edhe i katër të tjerëve në Romë, me rreth 100 të punësuar.
Mes vështirësive, ja kishte dalë të ngjitej aty ku u takon njerëzve të punës. Tashmë janë të shumtë – më tha, shqiptarët që kanë hapur restorantet e tyre kudo në Itali dhe ecin shumë mirë.


Mu bë zemra mal! E përgëzova dhe e lamë të takohemi sërisht shumë shpejt, në Romë a në Tiranë, kudo qoftë, me respekt të ndërsjellë. Historitë si e Landit në fakt duhet të zenë vendin kryesor në portale e kronika, se u helmuam çdo ditë nga vrasjet, sherret, aksidentet, dhuna e helmi.

Braktisi mjetin me dru zjarri pa dokumentacion /Procedohet 63 vjeçari në Miras të Devollit…

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 63 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi në afërsi të fshatit Miras, u gjet e braktisur një rimorkio pa targa, me posedues këtë shtetas, e cila ishte ngarkuar me lendë drusore, pa lejen përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

U zunë duke luajtur bixhoz me zare /Procedohen 2 persona në Pogradec…

Në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 52 vjeç; Gj. Xh., 46 vjeç dhe F. R., 27 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në lagjen nr. 3, Pogradec, konstatuan shtetasit e mësipërm duke luajtur bixhoz me zare.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë parash, si dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për këtë aktivitet.

Kontrrolli në Kapshticë habit Policinë/ Gjejnë të fshehur edhe 1 emigrant në kamionin gjatë skanimit…

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 45 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë, gjatë procedurës së skanimit të kamionit tip “Iveco” që ky shtetas drejtonte, panë të fshehur një emigrant të paligjshëm, i cili synonte kalimin drejt vendeve të BE-së.

Edi Rama feston sot ditëlindjen, mbush 58 vjeç

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, feston sot ditën e tij të lindjes, përkatësisht 58-vjetorin. Rama lindi në 4 korrik 1964 në Tiranë, ndërsa para zgjedhjes së tij si kryeministër, ka mbajtur disa pozicione të tjera. Karrierën politike e nisi në vitin 1998, kur u emërua si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, post që e mbajti për 2 vite. Në vitin 2000 ai u zgjodh për herë të parë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa u rizgjodh në vitin 2003 dhe 2007.