Aksident tragjik në Elbasan, makina përplas për vdekje 20 vjeçarin…

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në unazën e qytetit të Elbasanit ku një makinë ka përplasur 20 vjeçarin Fiori Sula ndërkohë që ky i fundit po kalonte rrugën. I riu nuk mundi t’i mbijetonte përplasjes së fortë, duke ndërruar jetë gjatë rrugës në spital. Ndërkohë policia është vënë në ndjekje të drejtuesit të automjetit që është larguar nga vendngjarja menjëherë pas aksidentit të rëndë.

Njoftimi i policisë:

“Më datë 23.01.2023, rreth orës 21:25, në unazën e qytetit, një automjet ende i paidentifikuar, ka aksidentuar, këmbësorin shtetasin F. S., rreth 20 vjeç, dhe është larguar nga vendi i aksidentit.

Si pasojë shtetasi F. S., ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.

Nard Ndoka: “Në 21 janar për pak më vranë dhe mua…

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka në një intervistë për Ora News tha se personat që humbën jetën në bulevard më 21-janar i vrasin sa herë që vjen 21-janari. Ai thotë se “provat që dalin sot nuk janë të reja. Të gjitha regjistrimet ekzistojnë tek policia, i kanë institucionet tona. Përgjegësia është thjesht e Gardës së Republikës.” Ndoka kujtoi ditën kur ka ndodhur ngjarja, kur thotë se ishte prezent dhe ka parë gjithçka.

Madje ai shprehet se mund të ishte dhe një prej viktimae. Kreu i Partisë Demokristiane bën përgjegjës përngjarjen vetëm personin që ka qëlluar mbi turën. “Kanë kaluar shumë vite. Unë kam qenë në shesh më 21 janar, madje 5, 6 metra larg nga njëri prej tyre që humbi jetën.

Po keqpërdoret kjo situatë. Sa vjen 21 janari dalin konferencat e shtypit, kjo është pjesa më e turpshme. Së pari, ka një ligj, nuk mund ti japë asnjë politikan urdhër një gardisti të përdorë armën. Gardisti e ka të qartë kur do të hapë zjarr, kur do të qëllojë në ajër. Provat që dalin sot nuk janë të reja.

Të gjitha regjistrimet ekzistojnë te policia, i kanë institucionet tona. Përgjegësia është thjesht e Gardës së Republikës. Ne ishim drejtuar që t’ju kërkonim të tërhiqeshin. Rama në atë kohë kishte frikë ishte futur thuajse poshtë urës së Lanës. Unë e kam kuptuar që plumbat janë ushtarak. Personazhi drejt nesh është gjuajtur nga turma me gur dhe ai nga frika e goditjeve ka ulur automatikun.

Në atë moment mund të isha dhe unë një prej viktimave. Është përgjegjësia e atij që ka armën në dorë. Dhe nëse komandanti i gardës çmendet, gardsti duhet të dijë për ligin. Të mbajë përgjegjësitë e veta. Këta i vrasin sa herë vjen 21-janari. Kjo është pjesa më e pisët”, tha Ndoka.

Ndryshime në policinë e shtetit ,ja emrat që levizin….

Pas ndryshimeve të drejtorëve, Muhamet Rrumbullaku ka firmosur sot ndryshimin e shefave në disa prej komisariateve të vendit. Në Tiranë është ndryshuar shefi i komisariatit nr. 2 ndërsa ka pasur ndryshime edhe në komisariatet e Sarandës, Pogradecit, Bilishtit, Kavajës, Shkodrës dhe Krujës.

Shefat e komisariatet të Pogradecit dhe Sarandës janë ndërruar me njëri tjetrin. Oltion Agolli që drejtonte Komisariatin e Pogradecit, emërohet në krye të Policisë së Sarandës, ndërsa Klodian Kondri është emëruar në Pogradec. Në Devoll ikën Besim Palamani dhe emërohet Kreshnik Alimadhi.

EMERIMET:

Loard Sallaku – Shef i Komsaratit nr. 2

Edmond Pjetri –Drejtoria e Policisë

Elton Shahini – Shef i Komisariatit Krujë

Oltion Agolli – Shef i Komisariatit Sarandë

Klodian Kondri – Shef i Komisariatit Pogradec

Idriz Daulle – Shef i Komisariatit Shkodër

Kreshnik Alimadhi – Shef i Komisariatit Devoll

Po transportonte 6-emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës,arrestohet 61-vjeçari

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt përfitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 5”.

Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 61 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm, organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin dhe më pas ndalimin e automjetit tip “Opel” me drejtues shtetasin A. K., në qytetin e Bilishtit, Devoll.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën 6 emigrantë të paligjshëm të cilët 61-vjeçari do t’i transportonte drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit. Pas kryerjes së testit të alkoolit rezultoi se shtetasi A. K. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Aksident i frikshëm në Greqi, makina përfundon në oborrin e shtëpisë, dy të vdekur (Foto)

Një aksident i rëndë është shënuar në Kos të Greqisë, ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona. Mediat bëjnë me dije se për shkak të shpejtësisë së lartë, makina ku po udhëtonin 3 persona ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një mur duke përfunduar në oborrin e një shtëpie. 25-vjeçarja e ulur në sediljen e pasme ka gjetur vdekjen dhe kanë mbetur të plagosur rëndë pasagjeri 40-vjeçar dhe drejtuesi i mjetit.

40-vjeçari ka ndërruar jetë pak pasi është dërguar në spital, ndërsa drejtuesi i mjetit ndodhet në gjendje të rëndë. Dy të vdekurit, emigrantë me origjinë ruse, ishin çift dhe jetonin në Kos.

Paga mesatare në rajon arrin 800-900 euro, në Shqipëri vetëm 522 euro

Tre vitet e fundit pagat në vendet e rajonit janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa në Shqipëri, duke thelluar diferencën mes të ardhurave që merr një punonjës në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinën, në krahasim me një shqiptar. Paga mesatare bruto për këto vende luhatet midis 800-900 euro në muaj, nga rreth 520 euro që është mesatarja në Shqipëri, ose mesatarisht rreth 40% më e lartë sesa tek ne.

Monitor ka përpunuar të dhënat zyrtare të instituteve statistikore të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, dhe Bosnjë Hercegovinës për pagat mesatare mujore bruto, të cilat janë të disponueshme deri në shtator të vitit 2022. Ndërsa Kosova, të dhënën e fundit të disponueshme ka fundin e 2021-t. Kjo pagë është krahasuar në vlerë nominale (e paindeksuar me inflacionin) me tremujorin e tretë 2019, përpara fillimit të pandemisë.

Mali i Zi ka pagën e dytë mesatare më të lartë në rajon, me 885 euro në muaj në fund të tremujorit të tretë 2022, ndonëse diferenca me vendet e tjera është ngushtuar, për shkak të rritjes më të ngadaltë (me rreth 14% nga shtatori 2019), sipas Zyrës së Statistikave të Malit të Zi.

Serbia është vendi i rajonit që i ka rritur më shumë pagat gjatë kësaj periudhe, me 39%, duke i çuar 880 euro në fund të shtatorit 2022, sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë. Në Maqedoninë e Veriut, një punonjës paguhet mesatarisht gati 780 euro, ose 29% më shumë sesa në shtator 2019, raporton zyra e Statistikave të Maqedonisë së Veriut.

Rritje e lartë e pagave është shënuar dhe në Bosnjë Hercegovinë, duke arritur në 893 euro, më e larta në rajon, me zgjerim 24% nga tremujori i tretë 2019, sipas Agjencisë së Statistikave të Bosnjë Hercegovinës.Në Shqipëri, paga mesatare e një punonjësi ishte 522 euro në shtator 2022, nga 440 tre vjet më parë, me një rritje prej rreth 19%, sipas INSTAT. (shiko grafikun: Paga mesatare mujore bruto në rajon – euro).

Sa pak u rritën pagat në Shqipëri në tre vjet

Shqipëria është e dyta me rritjen më të ulët në përqindje të pagave, pas Malit të Zi për periudhën shtator 2019-shtator 2022. Por, për shkak se Mali i Zi ka paga të larta, në vlerë nominale pagat e punonjësve shqiptarë kanë shënuar zgjerimin më të ulët.

Pas tre vitesh, një punonjës shqiptar merr 83 euro më shumë. Punonjësit e Serbisë janë ata që kanë pasur përfitimin më të lartë, teksa marrin 248 euro më shumë. Në Maqedoninë e Veriut paga u është rritur me 178 euro, në Bosnjë me 173 euro dhe në mal të Zi me 100 euro. (shiko grafikun: Ndryshimi i pagave në rajon T III 2022/T III 2019).

Ndonëse Shqipëria është një nga vendet që kaloi më lehtë pandeminë dhe ka rritje relativisht të lartë ekonomike në raport me fqinjët, kjo nuk po përkthehet në mirëqenie të qytetarëve të saj, duke treguar për një zhvillim të paqëndrueshëm dhe me vlerë të shtuar të ulët. Të dhëna të tjera të Eurostat së fundmi treguar se familjet dhe individët shqiptarë kanë të ardhurat më të ulëta të disponueshme në rajon, përfshirë të rinjtë.

Edhe për konsumin dhe të ardhurat për frymë, sërish jemi të fundit në Europë. Kjo situatë po nxit një ikje masive, sidomos të të rinjve, duke krijuar problematika të shumta në tregun e punës, ndërsa po dikton dhe rritjen e pagave në vend./monitor/

Olta Gixhari: ‘Jam shumë e varur psikologjikisht nga burri im… totalisht e varur nga ai’!

Gjatë një bisede me banorët, Olta Gixhari ka rrëfyer të tjera detaje nga marrëdhënia me bashkëshortin e saj misterioz. Ajo është shprehur se është shumë e varur psikologjikisht nga partneri dhe se pas çdo veprimi që bën në Big Brother i del para syve ai.

“Ndonjëherë nuk i gjej fjalët për ta shpjeguar pse vendosa të vi këtu. Sepse unë praktikisht e kisha harruar Oltën komplet, e kisha lënë çdo gjë. Për mua familja është gjithçka. Ata të dy i dua shumë. Nuk jetoj dot pa ata. Për mua është sfidë më vete, se jam shumë e varur psikologjikisht nga burri im. Jam totalisht e varur nga ai. Unë kam nevojë për fjalën e atij për çdo hap që hedh. Unë që dukem femër e fortë, kam varësi psikologjike nga ai njeri të frikshme. Unë çdo veprim që bëj këtu më del para syve ai”, është shprehur aktorja.

Rikthehet telenovela “Njerëz dhe fate”/ Arben Derhemi: “E nisim me 15 seri të reja….

Aktori i njohur, Arben Derhemi, ka rrëfyer detaje nga jeta e tij profesionale.Teksa ishte i ftuar në programin “Dola te Ola” në Neës 24, ku tha se e kishte cilësuar serialin “Njerëz dhe Fate” në të cilin ka luajtur, si sfidën e jetës së vetë. Ai konfirmoi lajmet se se ky serial do të rikthehej me seri të reja dhe shtoi se ka qenë insistimi i tij që kjo të bëhej e mundur. “Po mos ta merrja unë këtë hap nuk do të bëhej e mundur”, tha ai.

Kujtojmë se Arbeni ka patur personazhin e Florit te “Njerëz dhe Fate”, një serial që rrëmbeu mendjet dhe zemrat e shqiptarëve atëherë.

Ai shtoi se vazhdimi i serive të reja të këtij seriali do të jetë shumë i suksesshëm dhe se ngjarjet do të jenë edhe më të forta se në seritë e para. Ai zbuloi se kasti i aktorëve do të jetë 80% i atyre që kanë qenë, duke filluar nga vetë ai, Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Eni Jani, Pavlina Mani e cila do të jetë sa në Amerikë aty ku ajo jeton, sa në Shqipëri. “Do ta ndërlidhim me jetën e saj atje”, tha ai.

Arbeni zbuloi se si fillim do të ketë 15 seri, pasi është një punë e madhe dhe sipas tij duhet shumë investim. “Është një staf prej 45 vetësh, të cilët për rreth dy muaj e gjysmë do të spostohen në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha më tej ai.

E pranishme në serial sipas Arbenit, do të jetë edhe aktorja Arta Muçaj, që luante personazhin e Didit. Ndërkohë mbetet për t’u parë se çfarë organizimi dhe risishë do të sjellë ky serial.