E rëndë në Devoll/ 62 vjeçari godet me sëpatë shokun, i cili përfundon në trauma

Një 62 vjeçar është arrestuar nga policia në Devoll pasi ka goditur në kokë me sëpatë një 73 vjeçar. I plagosuri u paraqit në urgjencë në spitalin e Korçës ndërsa do të transportohet në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim të specializuar . Konflikti dyshohet se ka nisur në një lokal ku të moshuarit ishin duke luajtur me letra e nën efektin e alkoolit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Bilishtit, kishte shkuar për ndihmë mjekësore një shtetas i dëmtuar në kokë, menjëherë kanë shkuar në spital, me qëllim verifikimin e rastit. Shtetasi i dëmtuar V. B., 73 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll, ka deklaruar fillimisht përpara oficerit të policisë gjyqësore se ishte rrëzuar aksidentalisht, në oborrin e banesës së tij.


Falë hetimeve të thelluara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Menkulas”, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga provat e siguruara nga hetimi rezultoi se shtetasi V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për motive të dobëta, kishte goditur me mjet të fortë (sëpatë), në kokë, 73-vjeçarin, i cili do të transportohet nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.